Prof. Dr. Enes Karić
Dhjetë pyetje të rënda drejtuar Kur’anit
E katërta: Pse ekziston jeta?
Lexo këtë artikull në PDF
1. Zoti si i Gjalli (el-Hajj)
Shikuar nga tërësia e Kur’anit, jeta ose el-hajah në Librin themelor islam përmendet si dëshmia më e qartë se Zoti është dhe se Zoti ekziston realisht. Faqet e Kur’anit sjellin me bollëk motive dhe pamje të shpërthimit të pasur të jetës: E gjithë toka gjallërohet, shtohet dhe mbulohet me bimësi (el-Haxh, 22:5), botët vegjetative shfaqen në një bukuri të bollshme (el-Haxh, 22:5); shpendët fluturojnë duke hapur krahët e tyre (el-Mulk, 67:19); bletët në male, në zgavra të drurëve dhe në kosheret e tyre ndërtojnë hoje mjalti (en-Nahl, 16:68) dhe, në këtë proces, ato ndjekin “rrugët e Zotit të tyre” (en-Nahl, 16:69); bagëtitë kthehen nga kullotat dhe shkojnë drejt tyre në tufa – bukuri dhe gëzim për njerëzit (en-Nahl, 16:6); aty janë edhe kuajt e racave fisnike (Sad, 38:31); detet e pafundme janë të mbushura me jetë dhe me ushqim të freskët (en-Nahl, 16:14). Për më tepër, vetë njeriu e ndjek trajektoren e jetës: ai është krijuar nga një pikë e gjallë, farë – mashkullore dhe femërore – për të arritur më pas te embrioni dhe foshnja e porsalindur (el-Mu’minun, 23:12-14). Së fundi, aty është edhe shiu i begatë që, me pikat e tij, njom peizazhet e tokës, mbi të cilat shtrihen retë e rënda të shiut (er-Ra’d, 13:12). Vetë shiun Zoti e dhuron nga Vetja: “E prej qiellit Ai ju lëshoi shi me të cilin ju siguroi lloje të frutave si ushqim për ju.” (el-Bekara, 2:22)
Natyrisht, duhet pasur parasysh edhe kjo, pra edhe ana tjetër e veprimit hyjnor në botë: megjithëse nga të gjitha faqet dhe nga të gjitha porositë e tij Kur’ani e shpall jetën si një “shenjë (ājeh) ose shenja (ājāt) hyjnore” (er-Rum, 30:20-25) jashtëzakonisht të fuqishme, Fjala Hyjnore e Kur’anit jo rrallë përmend se të gjitha krijesat jetën e tyre e jetojnë nën hijen e vdekjes (el-meutu). Sepse, në të vërtetë, Zoti është Një dhe i Vetëm, por Vullneti i Tij është që Ai gjithçka të krijojë në çifte ose në palë. Për këtë na jepet një paralajmërim edhe në faqet e sures Ja-sin: "I pastër nga të metat është Ai që krijoi të gjitha llojet (çiftet) nga çka mban toka, nga vetë ata dhe nga çka ata nuk dinë." (Ja-sin, 36:36)
Dhe ashtu siç është Zoti Ai, e jo dikush tjetër, që e krijon jetën, po ashtu Ai është edhe Ai që vetë jetës ia krijon anën përballë, domethënë Ai e krijon edhe vetë vdekjen. Dhe pikërisht në këtë qëndron, natyrisht, një sprovë e madhe për njerëzit, por edhe një nxitje që ata të bëjnë vepra të mira dhe të bukura: "Ai është që krijoi vdekjen dhe jetën, për t’ju sprovuar se cili prej jush është më vepërmirë. Ai është ngadhnjyesi, mëkatëfalësi." (el-Mulk, 67:2)
Sipas këtyre vërejtjeve hyjnore, është e dobishme që në çdo lexim të Kur’anit njeriu të jetë i vetëdijshëm për Zotin si dëshmitarin më të afërt të shfletimit tonë të këtij Libri. Kjo vlen edhe kur bëhet fjalë për përpjekjen e njeriut për t’i kuptuar fenomenet e jetës. Në të vërtetë, mendimet, kontemplimet, intuitat, përfytyrimet… mbi pyetjen “Pse ekziston jeta?” – nëse realizohen në aleancë me Kur’anin – e çojnë këtë pyetje drejt pyetjes tjetër: “Pse në Kur’an Zoti për Veten thotë se është i Gjalli, el-Hajju?”
Nëse e ndjekim strukturën e Kur’anit, ajeti i famshëm i Fronit Hyjnor (ajetu’l-kursijj) e përmend Zotin si të Gjallin dhe të Përjetshmin Vetëqëndrues (huve’l-hajju’l-kajjumu). Në Kur’an, përmendja e parë e Zotit si i Gjalli (el-Hajj) vjen në çift me përmendjen e Tij si i Përjetshmi Vetëqëndrues (el-Kajjum). Natyrisht, një përmendje e tillë e kësaj sintagme madhore kur’anore nuk është e rastësishme.
Meqenëse Fjala e Kur’anit i drejtohet para së gjithash njeriut, përmendja e Zotit si Ai i Gjalli, mund t’i çojë njerëzit drejt mendimit për “Zotin si një qenie e lindur ose e bërë”. Sepse, në këtë botë, njerëzit e dinë nga përvoja, e shohin me sy, e dëgjojnë me veshë dhe e kuptojnë me mendje e arsye se vetëm nga e gjalla lind e gjalla, gjegjësisht jeta. Dhe kështu, për ta shmangur idenë e rrezikshme se Zoti i Gjallë do ta kishte marrë Jetën e Vet nga dikush tjetër, në Kur’an, nga një maturi plotësisht e kuptueshme, në disa vende, krahas fjalës el-Hajj (i Gjalli), përmendet menjëherë edhe fjala el-Kajjum (Vetëqëndruesi i Përjetshëm dhe i Amshueshëm). Në këtë mënyrë, neutralizohet ideja e rrezikshme që buron nga mësimi i njeriut për të jetuar brenda shumë zinxhirëve të kauzalitetit. Njeriu mund të mendojë se edhe vetë Zoti është “i përfshirë në këtë kauzalitet”.
Shkurt thënë, me sintagmën el-Hajj el-Kajjum, Kur’ani tregon se Zoti është i Gjalli në mënyrën e Jetës së Tij të Përjetshme dhe të Amshueshme. Me fjalë të tjera, Zoti është i Gjalli në atë mënyrë që Ai ua dhuron jetën krijesave, ndërsa Atij askush nuk ia dhuron as jetën, as përjetësinë.
2. A janë universet, gjithësitë të gjalla?
Vlerësimet tregojnë se planeti Tokë strehon afërsisht nëntë milionë lloje qeniesh të gjalla. Shumë prej këtyre llojeve ende nuk kanë emra. Nëse e ndjekim Kur’anin, jeta në tokë, nëpërmjet krijimit hyjnor, degëzohet dhe shpërndahet në shumë drejtime. Organizmat e gjallë dallojnë edhe sipas formave të tyre të jashtme, dhe në Kur’an Zoti e quan Veten el-Musavvir – “Dhurues i formave” (el-Hashër, 59:24).
Pikërisht nga kjo Tokë e banuar me një jetë kaq të dendur, lind një pyetje e rëndësishme: “A janë universet, gjithësitë të gjalla?” Natyrisht, edhe kjo pyetje e ka bazën e saj në sintagmën kur’anore el-Hajj el-Kajjum. Zoti si i Gjalli, Zoti si i Pafillim, Zoti si i Pafund… Ai është i Vetmi që dhuron jetë dhe i Vetmi që me të vërtetë krijon dhe shuan.
Sipas Kur’anit, edhe vetë gjithësitë janë të gjalla në mënyrën e shumëllojshmërisë së formave të jetës që Zoti ua ka dhuruar. Në këtë drejtim, është mirë të rikujtojmë se në Kur’an dëshmohet se “qiejt, Toka, malet…” flasin (el-Ahzab, 33:72). Po ashtu, qiejt dhe Toka, kur Zoti i thirri në fillimin e tyre që, me dëshirë ose me detyrim, të formësoheshin ose të shfaqeshin nga mjegulla pa formë (duhan), iu përgjigjën Zotit me nënshtrim, duke thënë se do të shfaqeshin me vullnet të bindur (Fussilet, 41:11).
Edhe kur Kur’ani ia kujton njerëzimit se gjithçka në gjithësi noton, se gjithçka lëviz (Ja-sin, 36:40), edhe kjo na sugjeron se gjithësitë janë të gjalla, se ato i jetojnë jetët e tyre. Vështrimi drejt qiellit yjor ia jep njeriut ndjesinë e botëve si hapësira të gjalla, që lëvizin, që qarkullojnë, që i ndjekin qëllimet e tyre në një bukuri të jashtëzakonshme.
Ideja e botëve të vdekura dhe e universit të shuar, të shtrirë në një shtrat të ngathët të pafundësisë kozmike, që në mënyrë të pajetë rrotullohen rreth Tokës së gjallë – kjo ide, në të vërtetë, është thellësisht e huaj për Kur’anin dhe krejt e papajtueshme me porositë e kthjellëta dhe jetësore të Fjalës Hyjnore të Kur’anit mbi Zotin e Gjithëpranishëm. Krijimi i jetës nga Ai është i përhapur kudo. Sureja e 69-të sjell një përkujtim të fuqishëm për njerëzimin, i shprehur në një betim hyjnor: "Pra, Unë betohem në atë që e shihni, edhe në atë që nuk e shihni!" (el-Hakkah, 69:38-39)
Me këtë Kur’ani na përkujton se jeta, ashtu si gjithçka që shfaqet në gjithësitë, realizohet në format e saj të dukshme dhe të padukshme për njeriun, në shpërfaqje, dukuri, pulsime. Gjithësitë janë të gjalla, por Kur’ani ia kujton njerëzimit se edhe vetë qiejt do ta kenë fundin e tyre, se edhe vetë qiejt jetojnë në njëfarë hijeje të vdekjes: "(Përkujto) Atë ditë kur Ne e palojmë qiellin sikurse palimi i fletëve në libër." (el-Enbija’, 21:104)
Por nga faqet e Kur’anit vjen menjëherë lajmi i kthjellët dhe optimist. Në të vërtetë, “Ai që është i Vetmi, me të vërtetë i Gjalli dhe që nuk vdes” (el-Hajj el-ledhi la jemutu – el-Furkan, 25:58), shpall se Ai do të “krijojë gjithçka përsëri, ashtu siç e ka krijuar gjithçka në krijimin e parë. Ky është Premtimi i Tij! ” (el-Enbija’, 21:104).
Kështu Zoti do të krijojë universe të reja, dhe jeta dhe vdekja do të vazhdojnë të ecin përpara.
3. Pyetjet për jetën vijnë më pas dhe me vonesë
Dy pyetjet e trajtuara më parë: “Pse botët?” dhe “Për çfarë shërben njeriu?” – mund të shtrohen vetëm post festum, domethënë pasi botët tashmë ekzistojnë dhe njeriu tashmë ekziston; dhe vetëm atëherë, ndër të tjera, bëhen të mundshme edhe pyetjet për to. Ashtu siç njeriu ka një tokë të fortë nën këmbë ku mbështetet me hapat e tij, po ashtu edhe pyetjet “Pse botët?”, “Për çfarë shërben njeriu?”, “Pse ekziston jeta?” – janë të mundshme vetëm sepse ekzistojnë botët, njeriu dhe jeta. Natyrisht, këto pyetje për botët, njeriun dhe jetën vijnë më vonë. Ato lindin ose nga ajo për të cilën parashtrohen pyetjet, ose nga ajo që vihet në pikëpyetje. Përveç kësaj, secila nga këto pyetje kërkon përgjigjen e vet si të veçantë dhe të ndarë, gjë që është thellësisht e huaj për Kur’anin, i cili i përfshin të gjitha në një tërësi: krijimin hyjnor dhe botët, jetën dhe vdekjen, këtë botë dhe botën tjetër. Nga faqet e Kur’anit në mënyrë të tërthortë na jepet porosia se nuk është mirë që me pyetje të copëtohet tërësia e ekzistencës.
Megjithatë, këto pyetje janë këtu, edhe pse ecin të ndara dhe gjithmonë me vonesë. Ato janë aty, edhe pse shtrohen, thuajse gjithmonë, shumë vonë. Pikërisht për këtë arsye është mirë të shqyrtohet vetë natyra e vonshme e këtyre pyetjeve dhe, në një farë mënyre, të shihet nëse kjo natyrë e vonshme ua cenon autonominë dhe e shkatërron vetëvlerën e tyre të brendshme. Në mënyrë sarkastike, Fjala Hyjnore e Kur’anit na njofton se njeriu pyet për gjithçka, dhe se pyet pa një rend logjik të vendosur paraprakisht të pyetjeve. Shumë nga pyetjet e njeriut, të cilat ky dy-këmbësh njerëzor i shtron nga hutimi dhe pa rend logjik, i ka regjistruar vetë Shpallja. Për shembull, një pyetje njerëzore për jetën Shpallja e regjistron si vijon: "Ai tha: ‘Kush i ngjall eshtrat duke qenë ata të kalbur?’ Thuaj: I ngjall Ai që i krijoi për herë të parë, e Ai është shumë i dijshëm për çdo krijim’."(Ja-sin, 36:78-79)
Me këtë, njeriu qortohet dhe përkujtohet se nuk është mirë të shtrohen pyetje që e përplasin njeriun në një zinxhir shkak–pasojë që nuk është menduar mirë.
Kur bëhet fjalë për pyetjen “Pse ekziston jeta?”, është mirë të kujtohet se shumë teologji të natyrës – disa prej tyre teologji autentike të jetës – na përkujtojnë se ekzistenca e botëve dhe ekzistenca e njeriut (si qenie që mendon, kontemplon, intuiton… si për veten e tij ashtu edhe për botët) çojnë drejt pyetjes “Pse ekziston Zoti?”. Në thelb, kjo pyetje nuk merret me vetë Zotin, por me çështjen e fillimit të botës, të universit, të ekzistencës dhe të vetë jetës. Sipas nxitjeve të teozofisë dhe teologjisë, pyetja “Pse ekziston Zoti?” nuk nënkupton asnjë pyetje tjetër të mëtejshme drejtuar Zotit në formën e pyetjes për “fillimin e Zotit”, sepse shtrimi i një pyetjeje të tillë në lidhje me Zotin do të ishte i pakuptimtë dhe, në fund, do ta trajtonte Zotin e Përhershëm dhe të Amshueshëm si një krijesë në mesin e krijesave të tjera të shumta.
Në shumë vende, Fjala Hyjnore e Kur’anit e paralajmëron njerëzimin se për Zotin nuk mund dhe nuk duhet të mendohet, të besohet, të kontemplohet… ashtu siç mendohet, besohet dhe kontemplohet… për botët dhe për njeriun. Zoti nuk është një Qenie e ndarë, “separate”. Ai nuk është një Qenie karahas qenieve dhe gjërave të tjera. Zoti është gjithmonë “me gjithçka”; Ai është Ai që në mënyrë krijuese e bashkon jetën dhe vdekjen.
Teozofitë dhe teologjitë klasike të interpretimit të Kur’anit paralajmërojnë se, kur bëhet fjalë për pyetjen “Pse ekziston Zoti?”, përdorimi i të menduarit teleologjik është një shpatë me dy tehe. Në të vërtetë, të menduarit teleologjik në vetvete mbart, si një fat të vetin, të menduarit në terma shkaku dhe pasoje. Kurthi që e pret njeriun në fund të çdo të menduari teleologjik është pikërisht ky: që edhe vetë Zoti të fillojë të përfshihet në zinxhirin e shkaqeve dhe pasojave, si diçka që e përfshin Atë, gjë që, sipas Kur’anit, çon në një mendim që e degradon Dinjitetin Hyjnor. Kur’ani njëkohësisht paralajmëron dhe shpall: "Ata nuk e njohën (vlerësuan) Allahun sa duhet…" (kjo fjali përmendet në tri sure: el-En’am, 6:91, el-Haxh, 22:74 dhe ez-Zumer, 39:67).
Në këtë mënyrë Fjala Hyjnore e Kur’anit paralajmëron që njeriu të largohet nga të menduarit për Zotin si pasojë e një shkaku tjetër. Për ta nxjerrë njerëzimin dhe njeriun nga rreziku i këtij kurthi, Kur’ani i mëson ata të besojnë në Zotin si në atë Shkak të Parë, i Cili i Vetmi meriton të quhet Shkaku i Pashkaktuar (vaxhibu’l-vuxhud) ose Qenia e Domosdoshme në Vetvete.
Vetë jeta, pra nga-ja, si-ja dhe pse-ja e saj, nuk mund të shpjegohen pa mrekullinë e krijimit. Njeriu nuk mund ta shpjegojë krijimin e jetës, sepse nuk është në gjendje ta sistemojë atë dhe ta shndërrojë në objekt të laboratorit të vet. Njeriut gjithmonë dhe shumëçka i mbetet pas shpine.
Burimi: Preporod, nr. 5/1207, 1 mars 2022, f. 32-33
Nga gjuha boshnjake: Rehan Neziri

