Prof. Dr. Enes Karić

 

Dhjetë pyetje të rënda drejtuar Kur’anit

E pesta: Pse të besohet në Zot?

 

 

 

1. Nxjerrja e njerëzimit në botë

Në katër artikujt e mëparshëm janë dhënë dhe janë shpalosur vetëm konturet e një përpjekjeje se si, në mes të shumësisë së rrëfimeve kur’anore, dhe nga brenda tyre, të mendohet, të arsyetohet, të intuitohet, të kontemplohet… rreth pyetjeve: “Pse ekziston Zoti?”, “Pse botët?”, “Pse njeriu?” dhe “Pse jeta?”. Përkujtojmë edhe një herë: tërësia e Kur’anit i sugjeron njeriut dhe njerëzimit, si perceptuesve dhe lexuesve të tij parësorë, që të pranojnë se me pyetjet e mëdha (Pse Zoti, pse botët, pse njeriu, pse jeta…?) në Kur’an nuk diskutohet në mënyrën e një dialektike racionale, e cila në pafundësi i shteron aftësitë diskursive njerëzore. Përkundrazi, në Kur’an gjendet një nxitje drejtuar njeriut dhe njerëzimit që ta pranojnë një pikënisje të pashmangshme dhe të paracaktuar ndaj faktit se Zoti ekziston, se ekzistojnë botët, njeriu, jeta… Në Kur’an, njeriu nuk nxitet dhe as nuk inkurajohet që të jetë një qenie rebele, që si kryengritës i shfrenuar të shpallë luftë ndaj gjithçkaje që ekziston, ndaj gjithçkaje që njeriu tashmë e ka gjetur të pranishme pa dhe përtej vullnetit të tij.

Me pranimin e këtyre nxitjeve të fshehta të Kur’anit, drejtuar njeriut, si për shembull asaj që njerëzimi duhet të mendojë për “krijimin e qiejve dhe të Tokës” (3:191), por që edhe njerëzimit i është dhënë “pak dije” (17:85), kështu që ai vetë nuk është në gjendje ta vendosë ekzistencën përballë vetes në mënyrë të plotë – pra, me këtë pranim të kufizimit dhe të përmasës së vet njerëzore, bëhet më e lehtë të kuptohet pozicioni i vërtetë i njeriut si marrës i porosisë kur’anore, por edhe si vëzhgues i botës. Kuptimet e Islamit (dorëzim, përulje ndaj Zotit), si edhe kuptimi i fjalës musliman (ai që i është dorëzuar Zotit, ai që i është përulur Vullnetit Hyjnor), i propozojnë fuqishëm njeriut dhe njerëzimit që t’u përulen premisave të Kur’anit mbi gjithçka që i paraprin njeriut, që e tejkalon atë, që e kapërcen atë, që është para çdo shikimi të tij të parë, por edhe të çdo shikimi të mëvonshëm njerëzor.

Dhe, ashtu siç në faqet e Kur’anit nuk ka vende të veçuara apo të izoluara ku të shtrohen drejtpërdrejt pyetje të tilla si: “Pse ekziston Zoti?”, “Pse ekzistojnë botët?”, etj., po ashtu nuk ka as vende të veçanta ku të gjenden përgjigje të drejtpërdrejta për pyetjen: “Pse duhet besuar në Zot?”. Në mënyrë të veçantë, nga Kur’ani nuk shihet se këto përgjigje janë paraqitur në formën e një skeme racionaliste, si një tabelë matematikore e shumëzimit apo pjesëtimit, e mbledhjes apo zbritjes.

Arsyeja për këtë qëndron në faktin se, praktikisht, i gjithë Kur’ani (ose Kur’ani në tërësinë e vet) është një korpus rrëfimesh. Pikërisht këto rrëfime japin përgjigje për të gjitha këto pyetje, edhe pse vetë pyetjet nuk shfaqen shprehimisht në Kur’an. Detyra e njeriut është që këto përgjigje t’i “tëharrë” nga Kur’ani, t’i zbulojë dhe t’i shpalosë, duke e zbuluar njëkohësisht edhe pozitën e vet në univers.

Kështu, pyetja “Pse të besohet në Zot?” vetvetiu dhe në mënyrë të tërthortë shpaloset nga rrëfimet mbi krijimin hyjnor të botëve dhe mbi veprimin hyjnor në botë ose në botëra. Kur bëhet fjalë për njeriun, Kur’ani dëshmon se është i pashpresë çdo mendim që e sheh ekzistencën dhe qenien e njeriut jashtë veprimit hyjnor ose jashtë “dimensionit hyjnor”.  Në të vërtetë, Zoti është Ai që “nga pasardhësit e Ademit, nga shpinat e tyre, nxori pasardhësit e tyre” (7:172). Zoti këta pasardhës primordialë [në një gjendje para-ekzistente] i pyeti: “A nuk jam Unë Zoti juaj?” – dhe pasardhësit u përgjigjën: “Gjithsesi! Ne e dëshmojmë këtë!” (7:172).

E thënë më lirshëm, kjo skenë e “nxjerrjes hyjnore të njerëzimit” në dritën e botës, në vetvete përmban një thirrje që njerëzimi duhet të besojë se një ngjarje kaq madhështore ka ndodhur vërtet.

Sipas ajetit 7:172, Zoti nuk ngurron ta përmendë Veten në pyetjen: “A nuk jam Unë Zoti juaj?!” E lestu bi-Rabbikum?

Filozofitë më të thella do ta shihnin në këtë ajet të Kur’anit (7:172) shumë qartë faktin se njerëzimi, se njerëzit, duke u përgjigjur se Zoti është Zoti i tyre, kanë pranuar njëkohësisht edhe këtë: se ata vetë, njerëzit, njerëzimi, janë “të thirrur në këtë botë”. Ata nuk kanë mundur as ta krijojnë vetveten, as ta thërrasin vetveten në ekzistencë. Ky është qëndrimi dhe shpjegimi i Kur’anit.

Por, në ajetin 7:172 ka edhe një domethënie të fshehtë: është e qartë se vetë njeriu, vetë njerëzit, nuk e kanë thirrur veten në ekzistencë, që më pas, pas vendimit të tyre të lirë, të shfaqeshin në të si kryengritës kundër Zotit, si armiq të Zotit dhe si armiq të gjithçkaje, përfshirë edhe vetveten.

Fjala Hyjnore e Kur’anit ia bën të ditur njeriut (p.sh. në 7:172) se, para çdo pyetjeje që njeriu ia drejton vetvetes, duhet ta përvetësojë një fakt thelbësor – atë se njeriu tashmë ekziston, se është dhënë, se është thirrur në botë, në ekzistencë. Pikërisht në këtë fakt qëndrojnë dhe nga aty burojnë arsye të mëdha që i japin përgjigje pyetjes: “Pse të besohet në Zot?”. Sipas Kur’anit, besimi në Zot i dhuron njeriut një rrëfim qetësues për origjinën e tij dhe për atë se kah duhet të shkojë pasi tashmë është bërë njeri!

Në faktin e “nxjerrjes hyjnore të njeriut dhe njerëzimit në këtë botë” gjendet, sipas nxitjes së nënkuptuar të Kur’anit, një thirrje drejtuar njeriut që të besojë në Zotin dhe të mbështetet te Zoti. Me këtë arrijmë te një fjalë e rëndësishme e Kur’anit – el-imanose iman.

Imani, ose besimi në Zot, imani si mënyrë e besimit në Zot, është një fjalë shumë e shpeshtë në Kur’an. Përveçse do të thotë besim ose të besuarit në Zotin (dmth. se Zoti ekziston!), imani nënkupton gjithashtu edhe mbështetjen te Zoti, ose fitimin e sigurisë dhe të qetësisë nëpërmjet besimit se Zoti është dhe se Ai ekziston realisht. Imani përmban edhe kuptimin e marrjes së një garancie ose sigurie të brendshme se njeriu është këtu dhe tani me një qëllim, se bota nuk është një vel i kotësisë dhe i pakuptimësisë. Po ashtu, shprehja kur’anore el-iman mbart edhe kuptimin e largimit ose heqjes së frikës nga pyetjet: “Pse jemi nxjerrë në këtë botë?”, “Pse jemi thirrur ta jetojmë këtë jetë në të?”

Nëse “nxjerrja krijuese hyjnore” e njeriut (halku’l-insan) dhe e njerëzimit (halku’l-insanijjehalku’n-nas) në këtë botë është diçka që në vetvete ka një jehonë detyrimi dhe një mister të frikshëm (lat. Mysterium Tremendum), atëherë besimi në Zotin dhe imani, mbështetja te Zoti, kanë një veprim të fuqishëm qetësues, i cili në vetvete nënkupton një përkujtim të vazhdueshëm të Zotit si Burimi i Pafillim dhe Rrjedha e Pafund. Dhe këtu tashmë arrijmë te “përmendja e Zotit”, ose dhikri, për të cilën është folur në artikujt e mëparshëm.

El-iman, ose besimi i vazhdueshëm në Zotin, nuk do të thotë asgjë tjetër veçse mbështetje e mëtejshme te Zoti se kjo “nxjerrje e njerëzimit në ekzistencë” do të vazhdojë me anë të udhëzimit hyjnor të njerëzimit nëpër kohën e jetës njerëzore në këtë botë, dhe pastaj, përmes etapave të jetës në botën tjetër.

 

2. Besimi në Zot si mirënjohje ndaj Zotit

Nëse vazhdojmë me shtjellimin e pyetjes “pse të besohet në Zot?”, duhet pasur parasysh se nga tërësia e Kur’anit kuptohet, ose thuhet shprehimisht, se fakti i krijimit hyjnor të njerëzimit (ose, për këtë çështje, i krijimit hyjnor të çfarëdo gjëje tjetër) ka pasoja të drejtpërdrejta dhe afatgjata.

Nëse njerëzimi ekzistencën e vet ia ka borxh Zotit, atëherë besimi në Zot bëhet një nga detyrimet thelbësore të njeriut. Dhe kjo detyrë njerëzore realizohet në mënyrën e mirënjohjes së njeriut ndaj Zotit.

Praktikisht, Kur’ani fillon me një himn falënderimi ndaj Zotit: "Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!" (el-Fatiha, 1:1)

Sipas tërësisë së Kur’anit, duke qenë se krijimi i njeriut është jashtë fuqisë së vetë njeriut, kjo do të thotë se njeriu, për gjithë ekzistencën e vet, i detyrohet aktit krijues hyjnor. Pikërisht në këtë akt krijues hyjnor, i cili i është dhuruar njeriut si diçka me qëllim, me kuptim, me arsye dhe e kuptueshme për mendjen njerëzore, në këtë akt krijues hyjnor në të cilin shfaqet ekzistenca e njeriut, e cila është e pakontestueshme, shihet qartë edhe arsyeshmëria dhe qëllimësia e thirrjes hyjnore që njerëzit të besojnë në Zot (el-iman) dhe që, për këtë ekzistencë të tyre njerëzore, t’i jenë mirënjohës Atij (el-hamd, esh-shukr).

Nga të gjitha faqet e veta, Kur’ani porosit: nga njëra anë qëndron krijimi hyjnor i krijesave, dhe nga ana tjetër qëndron mirënjohja e krijesave ndaj Zotit për faktin se Ai i ka krijuar ato. Shkurtimisht, këto dy gjëra në Kur’an nënkuptohen, ose përmenden shprehimisht, si të lidhura dhe të pandashme. Në të vërtetë, sureja  edh-Dharijat (51:56) shpall: "Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër gjë, pos që të më adhurojnë."

Nga njëra anë është krijimi (halk), ndërsa nga ana tjetër është shprehja e përulësisë ndaj Zotit (te’abbud‘ibadeh), ose shprehja e adhurimit të Zotit – dhe, në fund të fundit, kjo është tashmë vetë besimi në Zotin, pra el-iman.

Fjala Hyjnore e Kur’anit, në forma të ndryshme, ia kujton njeriut se besimi në Zot është një detyrë e njeriut ndaj Zotit. Por vetë realizimi i besimit në Zot si detyrë ndaj Zotit nuk guxon të zhvillohet në dëm të krijesave të tjera të Zotit: njerëzve, natyrës, florës dhe faunës. (Për shembull, sureja el-Bekara, 2:205, ia ndalon rreptësisht njeriut “shkatërrimin e bimëve dhe të kafshëve” – el-harth ve’n-nesl). Kur’ani zgjon te njeriu dhe te njerëzimi ndjeshmëri dhe dhembshuri ndaj të gjitha krijesave të tjera. Këtu shfaqet qartë fakti se vetë krijueshmëria e gjithçkaje tregon për Zotin si Krijuesin e Vetëm. Statusi i krijueshmërisë i lidh të gjitha krijesat mes vete. Dhe vetë njeriu, duke marrë parasysh dhuratat e shumta hyjnore që i janë dhënë, nëpërmjet imanit të tij ka detyrime jo vetëm ndaj Zotit, por edhe ndaj të gjitha krijesave: të besojë në Zotin si Krijues dhe të jetojë në miqësi me të gjitha krijesat.

Duke qëndruar ende te pohimi se besimi në Zot është borxh i njeriut ndaj Zotit, ose shlyerje e borxhit njerëzor të mirënjohjes ndaj Zotit për dhuratat që Ai, me vetë aktin e krijimit, ia ka dhënë njeriut (dhe të gjitha krijesave të tjera) me bollëk, në Kur’an hasen herë pas here përkujtime hyjnore drejtuar njeriut dhe njerëzimit për këtë borxh.

Në këtë kuptim, karakteristike është sureja el-Infitar (82:6–8), në të cilën njeriut i shpallet si pyetje dhe si vërejtje: Çfarë është ajo që të ka mashtruar ndaj Zotit tënd Fisnik?! (Ma garrake bi-Rabbike’l-kerim?)

Ky vend i Kur’anit ia përkujton njeriut faktin e krijimit të tij (i cili është pasojë e fuqisë dhe e vullnetit hyjnor – halekake). Për më tepër, njeriut i kujtohet se ai, pikërisht ky njeri, është krijuar “në harmoni” dhe “në drejtësi”, dhe se e gjithë kjo – vetë kjo dhënie e njeriut në formë (sūrah), në pamjen në të cilën ai është – nuk është pasojë e vullnetit të njeriut apo e ndonjë vendimi të tij autonom, edhe pse njeriu shpesh merr guximin të mbështetet vetëm mbi veten dhe gabimisht të mendojë se gjithë çfarë ai e ka, është e tij.

Përkundrazi, porosia e Kur’anit është se njeriu është i krijuar, se në këtë duhet besuar dhe se duhet bindur se ai veten e ka gjetur të krijuar ashtu siç është. Njeriu, si i tillë, i është dhënë atij si dhuratë, i është falur vetvetja. Por, nga kjo rrjedh se njeriu duhet të ketë shumë kujdes “se në çfarë do ta harxhojë vetveten”. Në një vend (el-Muddeththir, 74:38), Fjala Hyjnore e Kur’anit shpall se: “Çdo njeri është peng i veprave dhe i veprimeve të veta.”

Shprehje të këtilla, me theksime të ndryshme tematike dhe me ofrime të ndryshme përmbajtjesh, gjenden në disa vende të Kur’anit.

Prandaj, ky fragment i sures el-Infitar (82:6–8), në vetvete, përfshin përgjigjen ndaj pyetjes: “Pse të besohet në Zot?”: "O ti njeri, po ç’të mashtroi ty kundrejt Zotit tënd që është bujar e i urtë? I cili të krijoi, të përsosi dhe të drejtoi. Të formësoi në formën që Ai dëshiroi!"

Edhe në këtë vend gjendet përkujtimi i njeriut (të cilin këtu Kur’ani e përmend në njëjës!) se ai, ndaj Zotit, ka një borxh të madh mirënjohjeje nga çdo anë, një borxh me të cilin ai e pranon veten si krijesë dhe Zotin si Krijues. Besimi në Zotin këtu mund të interpretohet fare lirshëm edhe si falënderim ndaj Zotit për dhuratën e krijimit, në të cilën njeriu, pikërisht ai vetë si “mish dhe lëkurë”, nuk ka pasur asnjë ndikim.

Ka ajete në Kur’an që janë dhënë si një lloj lutjeje drejtuar njerëzimit dhe njerëzisë që ta pranojnë faktin e krijimit të tyre. Sureja el-Vaki’ah (56:57) sikur me këtë lutje ia kujton njerëzimit sa vijon: "Ne ju kemi krijuar juve, e përse, pra, nuk e pranoni?

Akti hyjnor i krijimit (halk), i përmendur këtu, i formuluar edhe si një vërejtje, nga ana e njeriut kërkon një akt pranimi ose dëshmimi të së vërtetës (sidk).

Në këtë mënyrë, besimi në Zot shfaqet edhe si një formë shpalljeje të së vërtetës mbi botën. Sipas Kur’anit, të besosh në Zot do të thotë ta pranosh Zotin si të Vërtetën e rendit të gjithmbarshëm të realitetit. Zoti është Ai Gjithëpërfshirësi që gjithçkaje të krijuar, e në veçanti njeriut dhe njerëzimit, i jep kuptim dhe arsyeshmëri për pyetjen: “Përse ekziston e gjithë kjo?”

 

3. Besimi në Zot si kërkim i kuptimit të ekzistencës

Pyetja “Përse ekziston e gjithë kjo?” në Kur’an trajtohet në mënyrë të tërthortë. Njerëzit nxiten që të thellohen në Kur’an(jetedebberune’l-Kur’ane), në mënyrë që ta zbulojnë këtë “përse ekziston krejt kjo që është?”. Dhe megjithëse Kur’ani me aq ngulm e nxit njerëzimin të besojë në Zot, nga tërësia e Kur’anit kuptohet se besimi në Zot nuk i është vendosur njeriut përpara as si detyrim dhe as si dhunë: "Në fe nuk ka dhunë." (el-Bekara, 2:256)

Për më tepër, nga tërësia e Kur’anit kuptohet se besimi në Zot, në formë detyruese, nuk do të kishte asnjë kuptim. Vështrimi i Kur’anit ndaj Zotit dhe njerëzimit nuk është vështrim mbi një roje burgu, nga njëra anë, dhe mbi një burg në të cilin është mbyllur i gjithë njerëzimi, nga ana tjetër!

Pikërisht për këtë arsye, shumë faqe të Kur’anit na shfaqen si tufa madhështore fjalësh që e frymëzojnë njeriun për besim në Zotin, por që nuk e detyrojnë atë për të besuar. Këtu arrijmë te paraqitja kur’anore e botës dhe e botëve si një bashkësi e panumërt shenjash dhe simbolesh (ājāt). Në këtë drejtim, sureja er-Rum (30:20–25; 30:46) dallohet si ajo në të cilën e gjithë bota shihet si një skenë e gjallë dhe në zhvillim e sipër e Shenjave Hyjnore. Natyrisht, ky shenjëzim hyjnor është dhënë që të vëzhgohet, që prej tij të merret mesazh, që prej tij të nxirret mësim, dhe që nëpërmjet tij të arrihet te kuptimi i esencës dhe i ekzistencës së njeriut. Sipas Kur’anit, vetëm në Zotin besohet, ndërsa Shenjat Hyjnore janë aty që prej tyre të merret mësim, dëshmi dhe shenjëzim për origjinën e gjithçkaje dhe për kuptimin e Gjithëpërfshirëses.

Kur’ani paralajmëron shumë rreptësisht kundër asaj që Shenjat Hyjnore të hyjnizohen, që ato të idhujtarizohen. SurejaFussilet (41:37) shpall se: “Ndër Shenjat e Zotit janë nata dhe dita, Dielli dhe Hëna! [O njerëz!] Mos iu përulni as Diellit, as Hënës! Por bini në sexhde vetëm para Zotit që i ka krijuar të gjitha këto!”

Në këtë mënyrë bëhet e qartë se mesazhet e Kur’anit e shpjegojnë besimin në Zotin si diçka “të natyrshme”: vetë natyra, të gjitha botët, në mënyrën e tyre të veçantë dëshmojnë për Zotin, dhe këtë e bëjnë nga vetë krijueshmëria e tyre, nga vetë qenia e tyre si e tillë. Nga ana tjetër, privilegji i njeriut është që besimin e vet ta shfaqë nga pranimi i lirë, nga liria e tij. Vetë natyra, të gjitha botët, mund ta ndihmojnë njeriun që, nëpërmjet tyre, por edhe nëpërmjet natyrës së vet njerëzore, në besimin e tij të gjejë kuptim dhe qëllim, si edhe njohuri për pozitën e tij në kozmos.

Në fund të këtij artikulli le të themi se Fjala Hyjnore e Kur’anit ia përkujton njeriut se ekzistojnë dy lloje horizontesh (el-afak): të jashtme dhe të brendshme. Të gjitha këto horizonte e zgjojnë besimin në Zot; të gjitha këto pamje i japin kuptim jetës së njeriut dhe njohuri të çmuara për pozitën e njeriut në botën në të cilën ai ndodhet.

Sureja Fussilet (41:53) shpall: "Ne do t’ua bëjmë atyre të mundshme që t’i shohin shenjat Tona në horizonte dhe në veten e tyre, deri sa t’u bëhet e qartë se Ai është i vërtetë."

Me këtë njeriut i porositet se besimi në Zot do të thotë edhe njohje e së vërtetës së ekzistencës, njohje e të gjitha botëve.

 

 

Burimi: Preporod, nr. 6/1208, 15 mars 2022

Nga gjuha boshnjake: Rehan Neziri