Prof. Dr. Enes Karić
Dhjetë pyetje të rënda drejtuar Kur’anit
E gjashta: Pse ekziston liria?
1. Kur’ani si libër mbi “lirinë hyjnore”
Nuk duhet anashkaluar fakti se edhe Bibla, edhe Kur’ani, flasin për Zotin si, ndër të tjera, një Qenie absolutisht e gjithfuqishme, dhe, rrjedhimisht, si një Qenie absolutisht “e lirë”. Natyrisht, për Zotin si “Qenie e lirë” duhet folur me shumë kujdes.
Në të vërtetë, nuk është e mundur që kategoritë njerëzore, siç janë “liria” apo “mungesa e lirisë” dhe të ngjashmet me to, të përdoren në mënyrë të vlefshme në “paraqitjen” e Qenies Hyjnore gjatë interpretimit të Kur’anit. Kategoria e quajtur “liri” nënkupton liri nga diçka, ose liri për diçka, ose çlirim prej diçkaje, etj. Supozimi i çfarëdo forme të tillë në lidhje me Zotin është, sipas Kur’anit, krejtësisht i huaj. Për këtë atmosferë të përgjithshme të Kur’anit njoftohemi nga fjalët e tij të qarta: "Ai (Zoti) nuk ka shok, ortak (në hyjninë e Tij)…" (el-En’am, 6:163)
Kushtimisht thënë, kur bëhet fjalë për bërjen, veprimin dhe shfaqjen hyjnore, është mirë të ndiqen, kudo që është e mundur, mesazhet e plota të rrëfimeve kur’anore për Zotin, sepse këto rrëfime janë, sipas besimit të muslimanëve, vetë fjalë hyjnore si të tilla. Fjala Hyjnore e Kur’anit në raport me Zotin nuk e vendos askund as “lirinë”, as “moslirinë”, sepse kjo do të nënkuptonte cenimin e absolutësisë hyjnore ashtu siç paraqitet në Kur’an. Nga ana tjetër, siç do të shihet më vonë, për njeriun Kur’ani ndonjëherë e përdor fjalën el-hurr (i lirë).
Sigurisht, është plotësisht e dukshme në shumë ajete kur’anore se Fjala Hyjnore flet për Zotin si një Qenie që nuk është e penguar nga asgjë, si një Qenie absolutisht e pakufizuar. Sipas Kur’anit: Zotin nuk e kufizon asnjë kufi, Atë nuk e kushtëzon asnjë kusht, Ai nuk ka nevojë ta mposhtë asnjë forcë, asgjë nuk mund ta përmbajë, ta përfshijë Zotin. Zoti në krijimin e Tij nuk “ndien lodhje”, për Të gjithçka është e lehtë. Në disa vende në Kur’an thuhet se gjithçka për Zotin është “e lehtë për t’u bërë”: "Ajo për Allahun është shumë e lehtë." (el-Haxh, 22:70)
Përshkrimet që Zoti ia jep Vetvetes në Kur’an janë dhënë nëpërmjet “Emrave të Bukur Hyjnorë” (el-esmā’u’l-husnā – el-Isra’, 17:110): Gjithëpërfshirësi (el-muhīt – el-Buruxh, 85:20), Vepruesi i asaj që Ai dëshiron (fe‘āl limā jurīd – Hud, 11:107), I Pari i Pafillim (el-evvel – el-Hadid, 57:3), I Fundit i Pafund (el-ahir - el-Hadid, 57:3), Dritë mbi Dritë (nūr ‘alā nūr – en-Nur, 24:35), e të tjera.
Shkurt thënë, ndër të gjithë librat që pretendojnë për veten se janë Fjala e Zotit, Kur’ani përmban një numër mbresëlënësisht të madh himnesh dhe rrëfimesh për Një të Vetmin Zot, i Cili është Absoluti. Për këtë arsye, është krejtësisht e papërshtatshme të mendohet për Zotin në mënyrën e rrëfimeve mitologjike për “luftërat e perëndive dhe titanëve”, që përfundonin me “fitoren e hyjnisë më të fortë”. Besime, mendime dhe përfytyrime të tilla për një Zot, përballë të Cilit qëndrojnë botët si kundërshtarë që Ai duhet t’i mposhtë – të gjitha këto pohime dhe ide janë thellësisht të huaja dhe të papajtueshme me Kur’anin. Kur’ani shpall: "Askush (dhe asgjë) nuk është i barabartë me Të (Zotin)." (el-Ihlas, 112:4)
Por, siç do të shohim shkurtimisht në vijim, si Krijues i gjithçkaje – përfshirë edhe njeriun dhe njerëzimin – Zoti nuk e shndërron krijimin e Vet në nënshtrim në kuptimin që krijesat e Tij t’i pozicionojë si robotë, kukulla apo automata. Pikërisht Kur’ani është libri që flet me bollëk për njeriun dhe për njerëzimin e lirë, dhe, për rrjedhojë, edhe për njeriun dhe njerëzimin që janë përgjegjës për veprat dhe për pasojat e tyre. Sipas përshtypjeve që i lë në ne rrëfimi i Kur’anit, as vetë universi nuk mund /as nuk duhet/ të shihet si një makinë e vënë në lëvizje apo si një makineri gjigante të cilës i mungon liria apo ndonjë formë spontaniteti. Por kjo është një temë për një rast tjetër.
2. Liria e njeriut dhe e njerëzimit në Kur’an
Në këtë pjesë të esesë është e nevojshme të jepen disa vërejtje rreth lirisë së njeriut në tekstin dhe kontekstin e Kur’anit.
Së pari, Fjala Hyjnore e Kur’anit shpesh ia kujton njeriut se ai është një krijesë, madje: një krijesë ndër krijesa të tjera. Kështu njeriut i kujtohet në mënyrë të tërthortë se liria e tij është e kushtëzuar. Liria e njeriut është liri me të tjerët, ose liri bashkë me lirinë e të tjerëve. Meqenëse njeriu nuk e ka krijuar vetveten, ai obligohet të ketë parasysh “shumë gjëra që te ai, te njeriu, kanë ekzistuar që më parë”. Këtu është e dobishme të tregohet sureja el-Mu’minūn (23:12–17), ku njeriut i përkujtohet detyrimi i tij që ta pranojë krijimin e vet, ekzistencën e vet dhe kalimin e tij nëpër etapat e kësaj bërjeje dhe krijimi. Natyrisht, këto etapa dhe shkallë që njeriu i përshkon nuk janë vepër e duarve të njeriut, as e fuqisë së tij. Kur’ani ia bën të ditur njeriut: nga një gjendje krejtësisht e pafuqishme (vendosja në mitrën e nënës si një ekzistencë embrionale nga thelbi i tokës, pastaj qëndrimi në pikën e farës, në embrion, në copë mishi, në kocka të mbështjella me mish...), njeriu lind si një fëmijë i pafuqishëm dhe i pazhvilluar, i cili në ditën kur lind – bashkë me nënën që e ka lindur – përfundon në shtratin e spitalit. Për më tepër, në shumë vende Kur’ani dëshmon se njeriu rritet duke i ndihmuar të tjerët, nëna që kujdeset për të, që e ushqen. Në këtë proces, njeriu, për sa kohë që jeton, nuk resht së hyri në një lloj kalendari të zhvillimit të tij, të rritjes, të pjekurisë dhe të pleqërisë. Shumë njerëz, burra dhe gra, e arrijnë vitin e dyzetë të jetës së tyre në fuqi (eshudd), ose në kulmin e forcës (eshudd): "… derisa ta arrijë pjekurinë e vet dhe kur t’i mbushë dyzet vjet…" (el-Ahkaf, 46:15)
Së dyti, pikërisht atëherë kur njeriu e gjen veten në rritjen, pjekurinë dhe forcën e tij, ai bëhet i vetëdijshëm për lirinë e vet. Atëherë njeriu ndien se liria jo vetëm që i është dhuruar, porse edhe ai vetë është që ia dhuron vetvetes lirinë! Pastaj njeriu e realizon lirinë e vet, si të thuash, pa asnjë kujtesë për bërjen e tij të mëparshme dhe për etapat që i ka kaluar si një qenie e kufizuar, pothuajse plotësisht e varur nga ndihma e prindërve, e familjes, e njerëzve të tjerë... Nëse e marrim në tërësi Kur’anin, prej tij për njeriun e mësojmë edhe këtë: në një farë mënyre, njeriu harron se si e ka shprehur fëmijërinë e vet me të qarë, si e ka zvarritur trupin, pastaj ka filluar të ulet, e më pas të ecë duke u mbështetur mbi këmbët e veta – të gjitha këto të shoqëruara me gëzimin e vet dhe me gëzimin e më të afërmve të tij. Sikur njeriu i harron të gjitha gjendjet e tij të mëparshme, edhe pse ato mbeten gjithmonë brenda tij: ai mund të qajë, të zvarritet, të ulet, të ecë... Pikërisht në vitet kur ndihet i rritur dhe më pas i pjekur, njeriu e përvetëson idenë se ai është një qenie plotësisht e lirë. Dhe se lirinë e vet ia ka borxh vetvetes! Fjala Hyjnore e Kur’anit, në shumicën e faqeve të saj, flet dhe e përmend pikërisht këtë njeri të rritur dhe të pjekur, këtë – si të thuash – njeri të lirë. Për këtë tani duhet të jepen disa vërejtje.
3. Shumë “ndalesa” dhe “urdhëresa” kur’anore drejtuar njeriut të lirë
Në parim mund të thuhet se Fjala Hyjnore e Kur’anit nuk merret tepër me njeriun dhe njerëzimin në fazën e tyre të fëmijërisë. Kur’ani, në njëfarë mënyre, na qorton kur na porosit: “Hej! Ju dikur keni qenë embrione në mitrat e nënave tuaja!”(en-Nexhm, 53:32)
Por njerëzit e rritur dhe të pjekur, burrat dhe gratë, shpesh harrojnë se kanë qenë embrione në mitrat e nënave të tyre. Kjo harresë më vonë do të shndërrohet në harresën e njeriut ndaj botës në të cilën jeton, në harresën e shumë “kordonëve të padukshëm kërthizorë” me të cilët ai është i lidhur me këtë botë (ajrin që e thith, ujin që e pi etj.).
Sido që të jetë, Kur’ani, në përgjithësi, merret kryesisht me gra dhe burra të rritur e të pjekur, u drejtohet njerëzve që janë “të ngarkuar me përgjegjësi” (mukel-lefūn, mukel-lefāt), dhe kjo – sipas botëkuptimit të Kur’anit – do të thotë njerëz të lirë. Vetëm njerëzit e lirë janë, në kuptimin e plotë, njerëz përgjegjës. Dhe pikërisht atyre duhet t’u përkujtohet se liria ka kufij. Nga Kur’ani shihet se Zoti përpara njerëzve të tillë shpall urdhrat dhe ndalesat e Tij, gjithë ato “mosni!” dhe “bëni!” të shumta.
Dhe, vërtet, njerëzit që përmenden në Kur’an ose mëkatojnë këtu ose atje, ose nuk mëkatojnë këtu ose atje, ose, përndryshe, bëjnë edhe veprime vlerore neutrale. Por të gjitha këto veprime i përjetojnë si veprime të njerëzve të lirë. Nëse e konsultojmë Kur’anin, shohim se Ademi a.s. dhe gruaja e tij, të nxitur nga djalli Iblisi, i afrohen krejtësisht lirisht pemës së ndaluar (2:35–37), duke e shkelur urdhrin hyjnor “mosni!”. Njëri nga bijtë e Ademit a.s. e vret tjetrin, vëllanë e vet, dhe këtë e bën krejtësisht i lirë (5:27–31), po ashtu duke e shkelur urdhrin hyjnor “mos vrit!”. Gruaja të cilën e josh Jusufi a.s. dhe bukuria e tij, i afrohet atij plotësisht e lirë, duke dëshiruar që ata të bashkohen dhe të kryejnë tradhti (12:23–33), edhe pse Zoti urdhëron: “mos iu afroni imoralitetit!” (17:32). Popullit të Themudit i ishte ndaluar me urdhër hyjnor që ta therte devenë, por një themudas iu afrua devesë krejtësisht i lirë – dhe e theri atë! (54:29). Më tej, megjithëse prej fillimit të botës dihet se njeriu nuk mund të jetë Zot, Faraoni shpall plotësisht i lirë para popullit të vet: “Unë jam Zoti juaj më i larti!” (79:24). Po ashtu, në Kur’an gjendet edhe motivi i “djalit kryengritës” (ose i fëmijës së rritur) kundër prindërve: djali u shfaq mosbindje prindërve të vet, krejtësisht i lirë, edhe pse ndalohet që prindërve t’u thuhet madje edhe një “uf!” (17:23).
Tërësia e Kur’anit përfshin shumë pasazhe të tipit: “o njeri, mos!” ose “o njerëz, mosni!” (Shih për shembull: “Dhe mos e hidhni veten tuaj me duart tuaja në shkatërrim!” – 2:195). Por njeriu dhe njerëzimi, pikërisht atë që vjen pas “mos!” dhe “mosni!”, shpesh e bëjnë dhe e kryejnë! Dhe këtë e bëjnë me bindjen se po veprojnë lirisht. Nga gjithçka e përmendur (dhe nga ajo që nuk u përmend këtu) shihet qartë se Kur’ani e merr në konsideratë seriozisht lirinë e njeriut, e cila, në njëfarë mënyre, duhet të kufizohet, më së shpeshti me paralajmërime morale dhe këshilla etike.
Nga ana tjetër, nëse shikohen pasazhet e Kur’anit që janë të mbushura me nxitje për njeriun: “bëje!” dhe për njerëzit: “bëjeni!”, do të shihet se njeriu dhe njerëzit, duke e ndjekur lirinë e tyre, shpeshherë i refuzojnë me këmbëngulje këto nxitje. Për shembull, njerëzve (burrave dhe grave), si qenie të lira, Kur’ani u urdhëron: “Shpenzoni pasurinë në rrugë të Zotit!” (2:195), “Bëni mirë!” (2:195), “Matni drejt!” (55:9), “Pastrojeni veten!” (5:6), “Udhëtoni nëpër tokë...” (3:137). Të gjitha këto janë urdhra ose porosi drejtuar njerëzve si qenie të lira, që nga liria e tyre, ose lirisht, të shtrihen drejt qenies së tyre njerëzore dhe ta bëjnë këtë apo atë. E megjithatë, shumë njerëz nuk u përgjigjen këtyre urdhrave. Dhe kjo mos-përgjigje buron pikërisht nga liria e tyre, natyrisht.
Le të kujtojmë se ndër librat fetarë nuk është vetëm Kur’ani ai që nga njerëzimi i lirë kërkon diçka, e lut, e fton, i ndalon diçka, i vendos tabu etj. Të gjithë librat themelorë fetarë e kërkojnë pikërisht këtë nga njerëzimi. Me këtë i porositet njeriut se liria e tij ka mënyrat, zakonet, praktikat, ligjet, urdhrat, kohët, vendet, rrugët... e veta të realizimit dhe të përmbushjes së saj. Tema e përgjegjësisë së njeriut është jashtëzakonisht e ndërlikuar dhe për të duhet menduar sa herë që na duket e paqartë arsyeja e përmendjes së Xhenetit dhe Xhehenemit në faqet e Kur’anit.
4. Liria: dhuratë, rrezik, fat…
Por Kur’ani nuk flet për një njerëzim që është vënë në lëvizje (si një makinë), i detyruar të kalojë në një stampedë (rrëmujë), midis gjithë këtyre “mos bëni!” dhe “bëni!”, midis të ndaluarës dhe të lejuarës, midis – siç thuhet me gjuhën e Kur’anit – haramit dhe hallallit. Liria e njeriut dhe e njerëzimit që e lexojmë në Kur’an nuk paraqitet si diçka e shtrirë mes alternativash të forta kufitare, të ngritura si mure në dy anët e një rruge të vetme nëpër të cilën duhet të kalohet dhe të jetohet kjo jetë njerëzore.
Përkundrazi, në Kur’an njerëzit përshkruhen edhe në spontanitetin e tyre. Kështu, Musai a.s. udhëton drejt tokës së Medjenit dhe, krejt spontanisht, u ndihmon dy vajzave t’u japin ujë kopesë e tyre (28:24); pastaj Musai a.s., për t’u çlodhur, strehohet nën një hije (28:24); Ibrahimi a.s. u shtron mysafirëve të vet një viç të majmë të pjekur (51:26); dy vëllezër grindeshin për një dele dhe kërkuan gjykim te Davudi a.s. (38:21–24); një njeri vrapon me nxitim duke ardhur nga periferia e qytetit (36:20); Dhulkarnejni a.s. e ndërton një mur ndarës, digë (18:95–97) për t’i ndarë popujt e përçarë; kur dëgjoi se do të lindte fëmijë, gruaja e Ibrahimit a.s. qeshi (11:71), e kështu me radhë.
Jo gjithçka që bëjnë njerëzit në Kur’an paraqitet si diçka e përfshirë nga një “besim total” dhe nga rregullat e tij, të cilat, gjoja, do të duhej të ishin në funksion të kufizimit të lirisë dhe të vendimit të lirë njerëzor. Përkundrazi, veprimet njerëzore në Kur’an janë në shumë aspekte thellësisht njerëzore, dhe njerëzit i përjetojnë ato lirshëm. Pikërisht njerëzit janë ata që zgjedhin, veprojnë, përpiqen, mundohen, shpresojnë, dëshirojnë, xhelozojnë, vrasin, mbrohen, bëjnë mirë, e kështu me radhë. Edhe kur ka ajete të Kur’anit nga të cilat mund të na duket se gjithçka tek njeriu është e caktuar paraprakisht, vende të tilla duhet të interpretohen në horizontin e qëllimeve të mira. Për shembull, sureja el-Enfal (8:17), duke e përshkruar një betejë të vështirë në të cilën bashkësia muslimane e mërguar u mbrojt dhe e mbrojti veten, shpall se, në të vërtetë, Zoti, me urdhërimin e Tij, ua dha fitoren fitimtarëve: "Nuk ishe ti (o njeri, o Muhammed) ai që i gjuajti shigjetat, por Allahu ishte Ai që i gjuajti…"
Ky ajet i Kur’anit në mënyrën e vet flet për “pozicionin e njeriut në kozmos”, siç do të shprehej Max Scheler. Njeriu nuk vjen nga askundësia, nuk mund të jetë dhe të mbetet në asgjëkundi, etj. Ky ajet i Kur’anit, me anë të një figure metaforike, na mëson se liria e hedhjes së shigjetave nga ana e njeriut (në betejë) është e vendosur brenda një konteksti të shumëfishtë rrethues: aty janë Zoti, toka, ajri, përpjekja dhe mundimi… Aty janë edhe vetë shigjetat në duart e vetë njeriut. Liria nuk ndodh në askundësi, liria kurrë nuk është shoqëruese besnike e vetmisë së njeriut, por ajo gjithmonë zhvillohet në mes të shumë pranishmërive të tjera dhe lirive të tjera, ose lirive të qenieve, krijesave, dukurive… të tjera. Së fundi, ky ajet (8:17), në figurën metaforike të hedhjes së shigjetave, e vërteton se edhe njeriu është ai që hedh (idh ramejte) shigjetat, por vetë trajektoret e këtyre shigjetave janë të përcaktuara nga shumë faktorë a të dhëna paraprake që më herët "i siguron dhe i dhuron Zoti i dashur".
Natyrisht, që nga fillimi i botës e deri më sot, njeriu e vret mendjen si t’i anashkalojë ose t’i kapërcejë këto të dhëna, që ndonjëherë për të janë të pafavorshme. Dhe këtë vetë-veprim ai e konsideron si veprim të lirë të tij.
5. Liria ekziston që të fitohet
Kur’ani nuk lexohet drejt dhe siç duhet, nëse në tërësinë e tij, përkrah kësaj bote, nuk njihet dhe nuk kuptohet edhe Bota tjetër ose Përjetësia.
Fjala Hyjnore e Kur’anit përpiqet fuqishëm ta zgjojë te njeriu veprimin e së mirës. Këto thirrje për të mirën i drejtohen njeriut të lirë dhe të përgjegjshëm, si burrit ashtu edhe gruas.
Por aty është edhe mesazhi i Kur’anit që thotë se pasojat përfundimtare të veprave njerëzore kanë vlefshmëri si në këtë botë, ashtu edhe në botën tjetër. Në njëfarë kuptimi, edhe Xheneti edhe Xhehenemi janë pasoja të lirisë njerëzore, ose të arritjes njerëzore. As kjo botë, as ajo botë, në Kur’an, nuk janë paraqitur si një automatizëm i përsosur, i programuar dhe i paracaktuar nga Zoti.
Thirrjet hyjnore drejtuar njeriut që të pendohet për veprat e këqija, që ta dëgjojë shpirtin e vet “i cili e qorton vetveten” në veprimin e lirë të ndërgjegjes (75:2), janë dëshmi se Zoti e këshillon njeriun t’i rishqyrtojë vendimet dhe veprimet e tij të lira. Me këtë, njeriut i jepet edhe një njohje e drejtpërdrejtë: ashtu siç e ka njeriu vendimin i tij (të lirë), po ashtu e ka edhe përgjegjësinë e tij. Në fund të fundit, vetë Kur’ani thotë se edhe besimi, edhe mosbesimi janë pasojë e vullnetit dhe e zgjedhjes njerëzore (18:29), ose janë pasojë e lirisë së njeriut për një arritje shumëformëshe, madje edhe për fitimin e vetë lirisë.
Sigurisht, në Kur’an kurrë nuk bëhet fjalë vetëm për një liri të vetme njerëzore, as që njeriut i është dhënë liria që ta sfidojë Zotin, natyrën apo njerëzit e tjerë. Edhe pse në Kur’an në mënyrë të gjerë përmenden njerëzit e lirë që e bëjnë këtë apo atë, që mendojnë kështu apo ashtu, që e ndjekin këtë apo atë rrugë, megjithatë, në faqet e Kur’anit përmenden edhe njerëz që kanë pushuar së qeni të lirë (el-hurr) për arsye të ndryshme. Domethënë, kanë rënë në robëri dhe kanë marrë njerëz të tjerë si zotër të tyre. Ose, për disa njerëz, zot bëhet pasioni i tyre (25:43).
Në faqet e Kur’anit, robëria ekonomike (rakabeh), robëria e luftës (usārā), e të ngjashme, përmenden si gjendje jo të këndshme të njeriut. Kur’ani thërret që këta njerëz të bëhen të lirë. Ndërkohë, duhet pasur parasysh se as Bibla dhe as Kur’ani nuk janë ata që i kanë bërë këta njerëz robër, por është vetë jeta ajo që ka ndryshimet e saj (surūfu’d-dehr), që shpesh e përplas njeriun, e ndonjëherë e privon edhe nga liria elementare.
Kur’ani, në mënyrë të tërthortë, sugjeron se edhe vetë jeta dëshiron të jetë e lirë, ashtu si vetë njeriu, dhe, me gjasë, edhe gjithçka tjetër. Në fund, duhet thënë se vetë pyetja “Pse ekziston liria?” duhet shqyrtuar në raport me natyrën e njeriut dhe me pranimin e njeriut për ta marrë mbi vete rrezikun e vetë të qenit njeri. Fjala Hyjnore e Kur’anit, ashtu si të gjithë librat dhe shpalljet e shpallura nga Zoti, i propozon njeriut udhëheqjen e Zotit të Dashur në këtë ekzistencë njerëzore si një qenie e lirë.
Burimi: Preporod, nr. 8/1210, 15 prill 2022
Nga gjuha boshnjake: Rehan Neziri

