Prof. Dr. Enes Karić
Dhjetë pyetje të rënda drejtuar Kur’anit
E shtata: Pse një Zot i vetëm, por shumë besime dhe fe?
1. Njësia dhe shumësia
Kur të shqyrtohen sot përkatësitë fetare të njerëzimit, gjëja e parë që do të vihet re është fakti se asnjë fe ose besim, i marrë veçmas, për nga numri i ndjekësve të vet, nuk përbën shumicë.
Kështu, të gjithë muslimanët janë pakicë në raport me besimtarët e të gjitha feve dhe religjioneve të tjera së bashku; të gjithë të krishterët janë pakicë në raport me besimtarët e të gjitha feve dhe religjioneve të tjera së bashku; të gjithë budistët janë pakicë në raport me besimtarët e të gjitha feve dhe religjioneve të tjera së bashku; dhe kështu me radhë. Shumëllojshmëria dhe diversiteti fetar i njerëzimit janë diçka që i komplikon më tej debatet dhe diskutimet mbi “drejt-vërtetësinë” (ortodoksinë) e feve në veçanti.
Ka njerëz - dhe ka pasur gjithmonë gjatë historisë - të cilët thirrja e feve monoteiste për të besuar në një Zot të vetëm i ka dekurajuar, përballë një njerëzimi të zhytur në një shumësi religjionesh, disa prej të cilave janë theksimisht politeiste, ndërsa të tjera animiste ose të ngjashme me to. Madje, ka fe në të cilat “nocioni i Zotit” dhe “kuptimi për Zotit” nuk janë fare të diferencuara, në të cilat Zoti nuk besohet si “Zot personal dhe i gjallë”, e sidomos jo si ajo Esencë e Vetme Gjithpërfshirëse, e cila shpallet dhe nëpërmjet së cilës çdo gjë tjetër është dhe ekziston. Për shembull, në taoizëm Rruga (Tao/Dao) është diçka që është prej pafillimësisë e deri në përjetësi, diçka që është Rruga që i dha formë Qiellit dhe Tokës dhe që u jep drejtim rrugëve të Qiellit, Tokës dhe gjithçkaje tjetër. Tao/Dao është njëkohësisht fjalë që e shënon thelbin e Rrugës, por edhe emër për Atë Diçka që e garanton unitetin e botës dhe që, me Misterin e Vet, e tejkalon gjithçka, madje edhe vetë botën. Kjo dhe shumë gjëra të tjera na flasin për shumëllojshmërinë e besimeve dhe religjioneve. Si pasojë e kësaj, nuk është e vështirë të gjenden libra dhe trajtesa që e thonë madje edhe këtë: fakti që ekziston një shumësi religjionesh është dëshmia më e mirë se nuk është e mundur të ekzistojë ndonjë fe ose besim që të jetë “i drejtë” dhe “i vlefshëm”.
Përpjekja për t’i zgjidhur këto pyetje teologjike, të cilat kurrë nuk janë zgjidhur përfundimisht, shumëkënd e ka çuar në një ateizëm të ngurtë, nga njëra anë, ose në një fundamentalizëm të ngurtë (ose fideizëm të pakompromis) në mbrojtje të vetëm një feje të vetme, nga ana tjetër. Siç do të shihet në këtë ese, Fjala Hyjnore e Kur’anit e trajton këtë pyetje të rëndësishme për Zotin Një dhe për shumësinë e besimeve në Të, nga ana e një njerëzimi jashtëzakonisht të larmishëm për nga aspekti fetar dhe i besimit.
Nëse përqendrohemi mbi Kur’anin, do të shohim se shumëllojshmëria e religjioneve për këtë Libër nuk është problem, as arsye që njerëzit, për shkak të saj, të bien në rezignacion, agnosticizëm apo ateizëm të ngurtë, nga njëra anë, as në fundamentalizëm të ashpër, nga ana tjetër. Në Kur’an nënkuptohet qartë me sa vijon: shumësia e religjioneve është pasojë e shumësisë së formave të jetesës së lirë njerëzore. Edhe pse Kur’ani e privilegjon një pozitë që i inkurajon njerëzit të hyjnë në shtegun e dorëzimit ndaj Një Zoti të vetëm (= islām), ai kurrë nuk i nxit njerëzit që, në fe, ta humbin lirinë e tyre dhe vendimin e tyre personal.
Këtu duhet kujtuar se shehadeti – dëshmia e besimit në islam – shqiptohet në njëjës, në mënyrë personale. Domethënë, çdo njeri, burrë apo grua, nga vendimi i vet individual, pohon: esh-hedu el-la ilahe il-la Allah – "Dëshmoj se nuk ka zot tjetër pos Allahut".
Natyrisht, çdo liri dhe çdo vendim ka edhe pasojat e veta, dhe kush beson duhet të përpiqet që mbartja e këtyre pasojave të jetë në dobi të të gjithëve, ashtu siç edhe çështja e zgjedhjes së “fesë dhe besimit të drejtë” ka pasojat e veta, realizimi i të cilave duhet të jetë në dobi të të gjithëve.
I lexuar në tërësinë e vet, Kur’ani, krahas shumëçkaje tjetër, shpallet edhe si një rrëfim revelativ i dhënë në një ndërthurje të vazhdueshme të dy temave themelore. E para është njësia hyjnore (et-tevhīd), ndërsa e dyta është shumësia e pafundme e krijesave (katratu’l-mahlūkāt) dhe e mijëra e mijëra botëve që lindin, që shfaqen në skenën e ekzistencës dhe që më pas largohen prej saj dhe vdesin.
Nëse në Kur’an mund të gjendet ndonjë parim themelor absolut dhe i pakompromis, ai është ky: Zoti është Një dhe i Vetëm Zot! Ky është pragu themelor i Kur’anit. Nga ky prag shpallet: vetëm Zotit i përket të jetë Një dhe i Vetëm (Ai që është i Përjetshëm pa fillim dhe pa mbarim, Ai që është Krijuesi etj.). Nga njëra anë, Kur’ani e shpall fuqishëm njësinë hyjnore, ndërsa nga ana tjetër, ai e arsyeton dhe e justifikon fuqishëm këtë njësi hyjnore. E thënë më lirshëm, kjo “premisë” e Kur’anit është e shkurtër dhe e qartë: po të kishte më shumë perëndi, do të kishte edhe më shumë zotësi absolute, do të kishte më shumë vullnete absolute hyjnore dhe më shumë gjithëfuqi absolute! Pasoja e gjithë kësaj do të ishte shkatërrimtare: do të shembeshin edhe Qiejt, edhe Toka (krahaso el-Enbija’, 21:22), e jo vetëm bota minerale, bimore, shtazore dhe njerëzore: "Sikur në to (qiej e tokë) të kishte zota të tjerë pos Allahut, ato të dyja do të shkatërroheshin. Larg asaj që i përshkruajnë është Allahu, Zoti i Arshit."
Prandaj, në çështjen e Njësisë Hyjnore, mesazhi i Kur’anit është jashtëzakonisht i shkurtër dhe i qartë: Zoti është Një. Dhe, praktikisht, i gjithë Kur’ani (ose Kur’ani në tërësinë e vet) e shfaq këtë Njësi Hyjnore në mënyra të ndryshme: a) herë kur flet për qiejt dhe yjësitë, të cilat dërgojnë një mori rrezesh drite si shenja për njeriun, b) herë kur flet për mineralet dhe bimët, c) herë kur flet për njeriun dhe njerëzimin, d) herë kur flet për Tokën dhe për kafshët.
Pas gjithë këtij krijimi mahnitës në shumësi, pas këtij ekzistimi të krijesave si realizim i një shumësie të pamasë, qëndron, ekziston dhe është vetëm një Zot, jo më shumë se një. Qëndron vetëm një Esencë Hyjnore, një Qëndrueshmëri absolute, një vazhdimësi e pandërprerë si garanci për gjithçka tjetër. Kur’ani na flet në mënyrën e vet se Përjetësia Hyjnore dhe Njësia Hyjnore janë të pashtershme, pa fillim dhe pa mbarim.
Ndoshta pikërisht për këtë arsye Fjala e përjetshme e Kur’anit, pasi na kujton në mënyrë bindëse shumëllojshmëritë marramendëse të gjithçkaje që shohim, dëgjojmë, ndiejmë apo mendojmë në Tokë dhe në Qiej, na zgjon nga ky hutim prej shumësisë, dhe pastaj, në pesë vende dhe në pesë herë në Kur’an, na e shpall atë pyetje të madhe, të drejtuar njëkohësisht neve dhe gjithë krijimit: "A mos ka ndonjë zot tjetër pranë Allahut?" (en-Neml, 27:60)
Këtë pyetje, të shtruar në formë habie: “A ka vallë ndonjë zot tjetër përveç Zotit?!” Fjala Hyjnore e Kur’anit e parashtron, në ato pesë herë të përmendura dhe domethënëse, në suren en-Neml, 27:60-64. Nuk është rastësi që kjo pyetje përsëritet pesë herë në suren en-Neml. Në këtë sure, milingonat (en-neml) na shfaqen në shumësinë e tyre, në “miliardat e tyre”. Dhe pikërisht Zoti, në këtë sure që quhet en-Neml, me gjuhën e Absolutit të Vet, pyet: “A ka vallë ndonjë zot tjetër përveç Zotit?!” - i cili do të ishte në gjendje të krijonte kaq shumë krijesa, në këto shumësi të panumërta?!
Me këtë pyetje të Kur’anit, njeriu inkurajohet që, ndërsa sheh p.sh. qindra mijëra milingona në një fole milingonash, të përpiqet të paktën për një çast të reflektojë mbi arsyet pse Absoluti është Ai Një dhe i Vetëm Zot.
2. Njësia (et-tevhīd) si vetëshfaqje e Zotit ndaj krijesave
Nga tërësia e Kur’anit mësohet se për këtë Libër themelor të Islamit është jashtëzakonisht e rëndësishme shpallja e Njësisë Hyjnore (et-tevhīd). Por Fjala Hyjnore e Kur’anit nuk e predikon përdorimin e forcës për ta imponuar këtë besim të tevhidit, në mënyrë “totalitariste”, kudo dhe ndaj gjithkujt. Edhe pse në faqet e Kur’anit gjithçka tjetër shpaloset drejt atij trungu të gjallë dhe gjithëpërfshirës të tevhidit, të qenies së universit, madje edhe të vetë Qenies Hyjnore, nuk ekziston asnjë kërkesë që, përmes imponimit të Njësisë Hyjnore ose të tevhidit, të shkatërrohet liria e zgjedhjes te njeriu. Në këtë drejtim dhe në këtë kuptim, edhe vetë muslimanët kanë përpara tyre një detyrë: një rilexim të vazhdueshëm të Kur’anit.
Në Kur’an, të besosh në Zot, në mënyrë parësore do të thotë të besosh se Zoti është, dhe, ipso facto, se Zoti është Një dhe i Vetëm Krijues. Por Fjala Hyjnore e Kur’anit menjëherë na mëson që: këtë besim se Zoti është Një, vetë Zoti - ndonëse i Gjithëfuqishëm dhe i Pakufizuar - nuk ia imponon njerëzimit me forcë. Nga shumë faqe të Kur’anit lexohet qartë: Kur’ani shpall se imponimi i një feje të vetme mbi gjithë njerëzimin do të ishte diçka e lehtë për Zotin, sepse Zoti gjithmonë mund ta përdorë gjithëfuqinë e Vet. Por Zoti nuk e bën këtë, sepse atëherë besimi nuk do të ishte më një akt që buron nga liria, arsyeja (mendja) dhe vetëdija njerëzore: "Për secilin prej jush Ne caktuam ligj e program (të posaçëm). Sikur të donte Alahu, do t’ju bënte një popull (në fe e besim), por deshi t’ju sprovojë në atë që iu dha juve, andaj ju përpiquni për punë të mira." (el-Maideh, 5:48)
Prandaj, edhe pse Zoti kudo e ushtron Fuqinë e Vet absolute, dhe askush nuk mund ta pengojë në këtë, megjithatë, në sferën e besimit njerëzor Ai nuk e përdor dhunën. Mesazhi i Kur’anit këtu është i qartë: Zoti, nga mëshira e Tij, ia lë njeriut, grua apo burrë qoftë, që nga liria e vet të përcaktohet për mënyrat (shirʻaten ve minhāxha) e përgjigjes së vet ndaj Zotit. Dhe, në të vërtetë, çdo njeri, në vetminë e vet, e di shumë mirë se besimi i tij/saj në Zot është diçka që buron nga liria personale. Çdo njeri e di qartë dhe e ndien thellë brenda vetes se çfarë është i ashtuquajturi “besim i shtirur/jo i vërtetë” në Zot.
Mesazhi i Kur’anit në këtë pikë është krejtësisht i qartë: pikërisht sepse vetë Zoti e ka lidhur besimin me lirinë e njeriut, çdo formë detyrimi në besimin ndaj Zotit (krahaso el-Bekara, 2:256: Lā ikrāhe fī’d-dīn – “Në fe nuk ka dhunë!”) do të ishte diçka në kundërshtim me Vullnetin Hyjnor që njerëzimi të besojë në Të me anë të aktit të vendimit të lirë, ose me anë të aktit të vetë lirisë njerëzore. Këtë e shohim qartë nga kjo shpallje e njohur e Kur’anit: "Në fe nuk ka dhunë. Është sqaruar e vërteta nga e kota."
Ky ajet (2:256), nga ana e vet, e nxit iniciativën e njeriut që në besimin e vet ta investojë përpjekjen e dallimit të së drejtës nga e padrejta. Dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për besimin, por edhe për veprimet njerëzore, sjelljet dhe veprat, drejt të cilave besimi në Zot të çon, ose mund të të çojë.
Çdo lexim serioz i tërësisë së Kur’anit tregon se Zoti, me Njësinë e Vet (et-tevhīd), shfaqet ndaj shumësisë së panumërt të krijesave, ndërsa vetë krijesat, ndaj Zotit, shfaqen me shumësinë e tyre (el-katrah). Në këtë kuadër, Fjala Hyjnore e Kur’anit shpall fuqishëm se me shumësinë njerëzore është pandashmërisht e lidhur edhe liria për të besuar ose për të mos besuar në Zot. Janë së paku një mijë vende në Kur’an që janë formuluar si dëshmi, nxitje, inkurajim ose thirrje, që njerëzimi ta pranojë me zemër, ta kuptojë me mendje, ta shohë me sy, ta dëgjojë me veshë, se Zoti ekziston dhe se në Zot besohet lirshëm.
3. Një vetëshfaqje hyjnore, por shumë besime dhe fe – ku është rrugëdalja?!
Të gjitha këto që u thanë më sipër duhen pasur parasysh sa herë që dëgjojmë se si besimtarë të feve të ndryshme dhe ndjekës të besimeve të ndryshme pretendojnë se “vetëm feja e tyre është e vërteta”, ndërsa “fetë e tjera janë të rreme dhe të shtrembëruara”.
Fjala Hyjnore e Kur’anit, në disa vende, i përmend pikërisht këto debate ndërfetare, këto zënka dhe grindje, dhe ndaj tyre shpreh një qëndrim të përmbajtur dhe paralajmërues. Në këtë drejtim, karakteristik është ajeti 53 i sures 23, el-Mu’minun, i cili shpall: "…secili grup krenohet me atë që e ka përvetësuar për vete."
Fjala Hyjnore e Kur’anit i shënon edhe “përplasjet” rreth asaj se kush janë ata që janë “të dashurit e Zotit” (ehibbā’uhū, krahaso el-Maideh, 5:18), duke shfaqur një distancë të qartë kritike ndaj këtyre llojeve të ekskluzivizmit dhe ndaj “pretendimeve për të drejtë përjashtuese mbi Zotin”. Po ashtu është e njohur se Kur’ani nuk e sheh me miratim “përvetësimin e Xhenetit”. Kështu, muslimanëve, hebrenjve, të krishterëve, si edhe – për sa i përket përvetësimit të Xhenetit dhe të Shpëtimit – mbarë njerëzimit, u thuhet (el-Bekara, 2:111): "Ata edhe thanë: ‘Kurrsesi nuk ka për të hyrë kush në Xhennet, përveç atij që është jehudi ose i krishterë!’ Këto janë dëshira të kota të tyre! Thuaju: ‘Silleni argumentin tuaj (për atë çka thoni), po qe se jeni të drejtë?’"
Nga gjithçka që shihet në tërësinë e Kur’anit, rezulton me rëndësi universale se Fjala Hyjnore e Kur’anit (krahaso el-Bekara, 2:112) bën një shkëputje të qartë nga “kolektivitetet” dhe nga ideja e “hyrjes kolektive në Xhenet”, dhe, me një mesazh të qartë e të padiskutueshëm, tregon se çdo individ (domethënë çdo njeri, grua apo burrë, çdo qenie njerëzore) ka të drejtë ndaj Xhenetit, natyrisht, nëse ai/ajo e dëshiron Zotin dhe e dëshiron Xhenetin: "Nuk është ashtu (si thonë ata), po ai që i është dorëzuar Allahut dhe është bamirës, ai e ka shpërblimin e vet te Zoti i tij. Për të tillët nuk ka frikë, as nuk ka pse të mërziten."(2:112)
Edhe pse pothuajse gjithmonë, brenda intimitetit të vetë një feje, është e rrezikshme të mendohet për “Një Zot të vetëm, por shumë besime” (sepse, në fund të fundit, të gjithë ne priremi që vetëm “fenë tonë” ta pranojmë si “të vërtetë”), në shumë faqe të Kur’anit dëgjohet thirrja hyjnore drejtuar një njerëzimi me shumë besime, me ngjyra të ndryshme, me gjuhë të ndryshme dhe me raca të ndryshme. Dhe në këtë thirrje hyjnore, kurrë nuk mungon ftesa që të bëhen vepra të mira (krahaso Alu Imran, 3:195): "Unë nuk ia humb mundin asnjërit prej jush, mashkull qoftë apo femër. Ju jeni njëri nga tjetri…".
Mund të thuhet, pa frikë të tepruar nga gabimi, se nëpër këto pasazhe të veta Kur’ani ofron një rrugëdalje nga pozicioni “një Zot i vetëm, por shumë besime dhe fe”, duke i inkurajuar të gjithë njerëzit, gra dhe burra, që të bëjnë vepra të mira me vetëdije ndaj Zotit (et-takva). Madje, edhe atëherë kur njerëzit bëjnë vepra të mira, por nuk besojnë në Zot, edhe atëherë ekziston një shpresë në mëshirën hyjnore, sepse veprat e tyre të mira kanë pasur pasoja të dobishme dhe ndërtuese mbi Tokë.
4. Islami, dy pjesët e dëshmisë së tij dhe çështja e shumësisë së feve dhe besimeve
Edhe pse edhe në pasazhe të tjera të kësaj trajtese tonës kemi theksuar se Fjala Hyjnore e Kur’anit përmban dy nivele ose dy pjesë të dëshmisë për Zotin, - pjesën e parë, ku të gjithë njerëzit ftohen (shih 2:62) që të besojnë në: a) Zotin, b) Botën tjetër, dhe c) të bëjnë Vepra të Mira, - dhe pjesën e dytë të dëshmisë, ku njerëzit ftohen të besojnë edhe në pejgamberinë (risāleh) dhe në profetësinë (nubuvveh) e të Dërguarit të Zotit, Muhammedit a.s., domethënë, të dëshmojnë për Zotin Një dhe të Vetëm ashtu siç Ai shpallet në Kur’an, pra ashtu siç e dëshmon Shpallja Hyjnore që i është përcjellë Muhammedit a.s., këtu duhet pasur parasysh se, në tërësinë e Kur’anit, kjo në thelb është një dëshmi e vetme, por që nganjëherë paraqitet në dy forma, e nganjëherë shfaqet e bashkuar, si një dëshmi e vetme dhe e pandarë.
Është e vështirë të jepet një shpjegim i thjeshtë se pse Fjala Hyjnore e Kur’anit nganjëherë kërkon nga njerëzit vetëm besimin në Zotin, në Ditën e Gjykimit dhe në kryerjen e Veprave të Mira, ndërsa herë të tjera (në momente të tjera dhe në pasazhe të tjera) kërkohet edhe besimi në pejgamberinë dhe misionin e Muhammedit a.s., natyrisht, së bashku me besimin në të gjitha shpalljet hyjnore dhe në të gjithë të dërguarit e Zotit (ve kutubihī ve rusulihī – krahaso el-Bekara, 2:285). Ne muslimanët, këtë "tension" midis “ekskluzivitetit të Islamit”, nga njëra anë, dhe “universalitetit të besimit në Zot në të gjitha fetë botërore”, nga ana tjetër, e shohim edhe në veprat e mëdha të teologjisë islame. Natyrisht, duhet pasur parasysh se këto vepra teologjike i kanë shkruar njerëzit, dhe po ashtu se në çdo kohë mbetet detyrë e jona që të rishkruajmë vepra teologjike.
Kur kërkohen përgjigje të mundshme për pyetjen: “Pse një Zot i vetëm, por shumë fe dhe besime?”, është jashtëzakonisht e rëndësishme që nga faqet e Kur’anit të nxirret një koncept që mund të quhet me të drejtë “prozelitizëm i butë” i Kur’anit. Domethënë, siç dëshmohet nga ajeti (2:112), të cilit tashmë iu referuam më lart: "Nuk është ashtu (si thonë ata), po ai që i është dorëzuar Allahut dhe është bamirës, ai e ka shpërblimin e vet te Zoti i tij. Për të tillët nuk ka frikë, as nuk ka pse të mërziten." - me këtë rast, dëshirohet të theksohet se dorëzimi ndaj Zotit (el-islām) është ai kriteri më universal nga i cili duhet të nisen të gjitha besimet, fetë dhe format e adhurimit. Por, tërësinë e Kur’anit e lexon gabim ai që mendon se Kur’ani është një libër thjesht dhe vetëm “teocentrik”. Nëse Kur’ani lexohet në mënyrë të ekuilibruar, shihet qartë se ky Libër në më shumë se një mijë vende shpall se përkushtimi, dorëzimi ndaj Zotit (el-islām) shprehet edhe në respektimin e njeriut dhe të krijesave të tjera, në admirimin ndaj Qiejve dhe Tokës, në habinë mahnitëse se krejt këtë “Zoti ynë, nuk e ka krijuar kot, pa qëllim, pa kuptim!”: "Zoti ynë, këtë nuk e krijove kot." (Alu Imran, 3:191)
Nga ky ajet i Kur’anit shihet qartë, drejtpërdrejt dhe pa asnjë mëdyshje, një mesazh tjetër thelbësor: Asnjë shpresë e mirëfilltë drejtuar Zotit dhe asnjë veprim i mirëfilltë i bërë në emër të Zotit, pavarësisht se nga kush buron (qoftë ky musliman, hebre, i krishterë, budist, hinduist…), nuk mund të mbetet pa përgjigjen hyjnore dhe pa mbështetjen hyjnore. Me fjalë të përmbledhura, pikërisht ky është qëllimi përfundimtar i besimit sipas Kur’anit.
Burimi: Preporod, nr. 04/1230, 15 shkurt 2023, f. 22-23
Nga gjuha boshnjake: Rehan Neziri

