Prof. Dr. Enes Karić

 

 

Dhjetë pyetje të rënda drejtuar Kur’anit

E teta: Pse bota tjetër (Ahireti)?

 

 

1. Të jesh e pastaj të vdesësh?

Kur në rrëfimet e Kur’ani flitet për Botën tjetër ose Botën e ardhshme (el-Ahirah), duhet pasur parasysh se aty Kur’ani, në një mënyrë të veçantë, i zgjon lexuesit e vet nga shumë “dremitje, kotje”. Në të vërtetë, për Botën tjetër flitet nga perspektivat e kësaj bote (ed-Dunja) të njeriut dhe, për këtë arsye, njeriu gjendet në një lloj gjumësie përballë Ahiretit. Madje, për këtë botë Kur’ani flet me aq madhështi, shkëlqim dhe fuqi përshkruese, sa që njeriu guxon të pyesë: “A ka vërtet nevojë, përveç kësaj bote kaq madhështore, për ekzistencën e Botës tjetër?!”

Lexuesit të Kur’anit i mbetet të pranojë se pyetjet e tij i ngre nga shumë “janë” të parapërcaktuara, nga shumë realitete tashmë të dhëna, të cilat ai vetë nuk i ka krijuar, nuk i ka formësuar, as nuk ua ka caktuar masën, rendin apo zhvillimin. Njeriu thjesht është gjetur mes tyre, është shfaqur në to, është zgjuar brenda tyre dhe është habitur përballë tyre. Ai tashmë është në botë (dasein), siç do të thoshin shumë autorë në filozofi. Natyrisht, njeriu e ka lirinë të rebelohet kundër gjithë kësaj, madje edhe kundër vetë gjendjes së gjetur dhe rrjedhës së gjërave. Ai madje, mos bëftë vaki, mund të ngrejë dorë edhe kundër vetvetes, por Kur’ani nuk ia këshillon këtë, sepse kjo nuk është rrugëdalja. Rruga e vërtetë, sipas Kur’anit, është tjetër: të mendojë, të kontemplojë dhe të reflektojë brenda kornizave në të cilat njeriu është gjendur, dhe të besojë se njeriu ka një ekzistencë kuptimplote, të qëllimshme, të arsyeshme, si në Këtë, ashtu edhe në Botën tjetër.

Pikërisht një lexim i tillë – ose më mirë, një mësim i tillë i Kur’anit – e fut njeriun, mund të thuhet kështu, nën shumë “kupola” dhe “koridore” të këtij Libri. Në strukturën e "një numri të madh hapësirash" që Kur’ani i përmend dhe i adreson, këto “kupola” kur’anore janë njëkohësisht edhe forma të shumëfishta ekzistence: në disa prej tyre njeriu është pjesëmarrës, në disa të tjera jo. Këto “kupola” Kur’ani ndonjëherë i quan botëra (‘alemīn), ndërsa për Vetë Qenien Hyjnore Kur’ani shpesh përkujton se Ai është Zoti i të gjitha botëve” (rabbu l-‘alemīn). Kështu thuhet, për shembull, në suren el-Fatiha (1:1). Nga ana tjetër, surja er-Ra'd (13:16) e përmend Zotin si “Zotin e qiejve dhe të Tokës” (rabbu’s-semavati ve’l-erd).

Shkurtimisht, botët, qiejt dhe Toka – të gjitha këto janë shumë kupola” të Ekzistencës, ose, si të thuash, “nënqiej të qenies”, për të cilat Kur’ani dëshmon drejtpërdrejt ose tërthorazi se zotëriu i tyre është pikërisht Zoti! Të gjitha thirrjet drejtuar njeriut që “ta kthejë sërish shikimin e tij drejt shtatë katë qiejve”, siç është, për shembull, ajeti 3 nga surja el-Mulk (67), synojnë t’ia bëjnë të qartë njeriut se ai banon nën një shumësi të vërtetë kupolash "gjithë/përfshirëse". Dhe ashtu siç njeriu nuk mund të dalë jashtë këtyre kupolave "gjithë/përfshirëse", ai nuk mund të dalë as nga ajo që Kur’ani e quan Botë tjetër (el-Ahirah).

Se këto kupola "gjithëpërfshirëse" të të gjithë botëve nuk na janë dhënë si shenja të palëvizshme dhe të determinuara të krijimit Hyjnor, as si kufij të ngrirë, të ashpër e të pandryshueshëm, si gurë orientues përgjatë një rruge të frikshme që njeriu duhet ta përshkojë me ankth e rrezik, këtë na e dëshmon vetë gjuha e Kur’anit. Kështu, në suren es-Saffat (37:5), Allahu përmendet si “Zoti i shumë lindjeve” (rabbu’l-mashariq), ndërsa në suren  el-Me’arixh (70:40) Ai quhet “Zoti i shumë lindjeve dhe i shumë perëndimeve” (rabbu’l-meshariki ve’l-megarib).

Të shumta janë mesazhet e drejtpërdrejta, por edhe nënkuptimet simbolike, që burojnë nga këto pohime të Kur’anit se Zoti është “Zoti i shumë lindjeve dhe i shumë perëndimeve”. Me këtë, Kur’ani na kumton diçka thelbësore: Gjithçka në univers, pa ndërprerë, dëshmon për lindjet e veta të panumërta dhe për perëndimet e veta të panumërta, për daljet dhe shuarjet e shumta të kohëve të veta, të epokave dhe perspektivave. Mund të thuhet se këto janë, njëkohësisht, perspektiva hyjnore, të cilat Zoti, nga të qenët e Tij absolut dhe përmes veprimit të Tij krijues, i shpalos në një mori horizontesh të Qenies dhe të Ekzistencës.

Megjithatë, të gjitha këto “kupola” e horizonte të ekzistencës, nën të cilat njeriu banon përkohësisht, nuk mund ta shpëtojnë atë nga vdekja dhe as nga përfundimi tokësor. Nga vdekja nuk e shpëtojnë as “pallatet e fortifikuara”, siç thuhet në Kur’an, në suren en-Nisa (4:78). Ndoshta ndër ne ka lexues të Kur’anit të cilëve nuk u pëlqen t’i dëgjojnë këto kumte për njeriun: “të jesh e pastaj të vdesësh”. Por, në mesin e atyre shumë “kupolave të ekzistencës” për të cilat folëm pak më herët, bën pjesë edhe një tjetër – "kupola e vdekjes". Madje, vdekja nuk është vetëm për njeriun.  Jo vetëm njeriu, por edhe qeniet e tjera, “në qiej dhe në tokë”, vdesin ose do të vdesin. Në këtë drejtim, surja ez-Zumer (39:68) e përmend fryrjen në bri (Sūr), kur shumë krijesa do të bien pa ndjenja ose do të vdesin: "Dhe i fryhet Surit dhe bie e vdekur çka ka në qiej dhe në tokë…"

Madje, jo vetëm njeriu, por edhe vetë qiejt, vetë universi, do të "vdesin". Është karakteristike se Kur’ani këtë “vdekje të qiejve”e paraqet si "palim i fletëve të një libri". Në këtë kuptim, surja el-Enbija’ (21:104) shpall: "(Përkujto) Atë ditë kur Ne e palojmë qiellin sikurse palimi i fletëve në libër."

“Palimi i fletëve të librit”, në vetvete, është një shenjë se ka ardhur fundi jo vetëm i ekzistencës, por edhe i vetë “rrëfimit” të qiejve, pra i të folurit, i shfaqjes dhe i dëshmimit të tyre. Me këtë, po ashtu, jepet mesazhi se përfundon një periudhë e pamatshme e kësaj bote (ed-Dunja). Dhe kjo është diçka që është mbi njeriun dhe përtej tij. Pikërisht kjo na flet për kuptimin dhe domosdoshmërinë e botës tjetër (el-Ahirah).

 

2. Botët hyjnore: Kjo botë, Bota tjetër…

Nga tërësia e Kur'anit shihet qartë se ekziston një përsëritje e vazhdueshme dhe këmbëngulëse me të cilën përmenden njëkohësisht Kjo botë dhe Bota tjetër. Ed-Dunja (kjo botë) shumë shpesh përmendet krah për krah me el-Ahirah (Botën tjetër). Këto dy botë ecin së bashku, janë të lidhura në mënyrë të pashkëputshme. Është vështirë të thuhet nëse këto dy botë janë thjesht në një marrëdhënie suksesive – domethënë njëra pas tjetrës – apo nëse ato janë dhënë ashtu që njeriu duhet t’i perceptojë me anë të një lloj pjerrësie dualiste. Përkundrazi, prania e Kësaj bote dhe Botës tjetër, e Dunjasë dhe Ahiretit, përbën – mund të themi – një nga boshtet themelore tematike dhe përmbajtësore të vetë Kur’anit. Me to, me këto dy botë thelbësore, njeriu paralajmërohet vazhdimisht; ato i vihen në dije si të thuash në formën e "një akti të kryer", por i cili vazhdimisht fillon, bëhet dhe mbetet si një fushë e përhershme e vetë-shfaqjes hyjnore.

Sipas Kur'anit, njeriut i është dhënë mundësia që, nga këndvështrimi i kohës së ndarë në muaj dhe vite, Këtë botë (ed-Dunja) ta përjetojë dhe ta kuptojë si diçka që i paraprin Botës tjetër (el-Ahirah). Por, nga ana tjetër, Kur’ani ia kujton njerëzimit gjendjen e tij paraekzistuese, për një stad që i paraprin vetë ardhjes në këtë botë (krahaso el-A’raf, 7:172), në të cilin të gjithë njerëzit dëshmuan për Zotin (e lestu bi rabbikum, kalu bela shehidna). Ky dëshmim njerëzor, sipas paraqitjes kur’anore, duket sikur ka ndodhur në Botën tjetër, ose në një horizont metafizik që i paraprin ekzistencës tokësore. Në Kur’an, ai paraqitet si një shpallje primordiale dhe paraekzistuese, si një pranim i hershëm dhe i lindur i prirjes së njerëzimit drejt Zotit. Jo vetëm në këtë vend, por edhe në shumë ajete të tjera, Kur’ani e mbështet fuqishëm besimin në "origjinën paraekzistuese" të njeriut, një prejardhje që lidhet me Botën tjetër, me një realitet përtej kësaj bote materiale.

Por, po aq njëra pas tjetrës, renditen edhe shumë pohime të Kur’anit për një njerëzim që ekzistencën e vet e lidh vetëm me këtë botë (ed-Dunja). Madje, shumë segmente të njerëzimit, sot njësoj si në të kaluarën, mendojnë se ed-Dunja është e vetmja botë që ekziston fare. Sureja el-Xhathijeh (45:24) sjell britmën dhe klithmën e shumë njerëzve që pohojnë: Ata edhe thanë: ‘Nuk ka tjetër, vetëm se kjo jetë jona në këtë botë. Po vdesim dhe po lindemi dhe asgjë nuk na shkatërron tjetër, pos kohës.’”

Por, për Kur’anin, pohimi se ekziston vetëm dhe vetëm kjo botë (ed-Dunja) nuk është thjesht një qëndrim skandaloz, por është një mohim kryeneç dhe arrogant i veprimit të fuqisë hyjnore, si në Këtë Botë ashtu edhe në Botën Tjetër (el-Ahirah). Sepse veprimi Hyjnor nuk ndodh i copëzuar, por si një veprim i tërësishëm dhe unik. Fakti që njeriu nuk arrin ta përfshijë me mendjen e vet këtë tërësi të veprimit hyjnor, nuk i jep atij asnjë të drejtë ta kundërshtojë me kryelartësi as Zotin, as botët, as këtë botë, as atë botë - atë të ardhmen.

Për më tepër, edhe pse Bota e Ardhshme (el-Ahirah) mbetet në një masë të madhe e paarritshme për fuqitë mendore dhe shqisore të njeriut, Fjala Hyjnore e Kur’anit e nxit njeriun që pikërisht nga perspektiva e kësaj bote të mendojë, të meditojë, të kontemplojë, të intuitojë… për atë Botë. Me qëllim që të paralajmërojë të paktën për disa nga shenjat që tregojnë drejt Botës së Ardhshme, sureja Kaf (50:9–11) e ofron gjerësisht motivin e ujit, për të cilin thuhet: "Ne, nga qielli lëshuam shiun e dobishëm…". Pastaj Kur’ani thotë: dhe më të bëmë që të kultivohen kopshte e drithëra që korren!” Në pikën e tretë të këtyre ajeteve të Kur’anit theksohet se e gjithë kjo është furnizim për robërit – për adhuruesit, për krijesat e Allahut; se me atë ujë ringjallet një tokë e vdekur dhe e tharë, dhe pikërisht kështu do të jetë edhe ringjallja në Botën e ardhshme: "Dhe rritëm trungje të gjata hurmash me fruta të paluara njëra mbi tjetrën - ushqim për njerëzit -, dhe me të, Ne e ngjallëm tokën e vdekur, e kështu do të jetë edhe ringjallja."

Nuk është ky i vetmi vend ku Fjala Hyjnore e Kur’anit lejon që – qysh në këtë botë – të merret me mend, të shihet, të dëgjohet, të ndihet e të parandihet… Bota e Ardhshme,
dhe kjo në mënyrë aq të afërt e të prekshme, si: pëllëmba dhe shpina e dorës, si drita dhe hija, si dita dhe nata. Ashtu siç ndodh mrekullia e ujit, që bën të mbijnë kopshtet dhe të piqet drithi që korret, po ashtu Allahu garanton se Bota e Ardhshme tashmë është e pranishme,
përmes shumë ringjalljeve që Ai i sjell vazhdimisht në këtë botë.

Rrëfimet kur’anore për Botën e Ardhshme (el-Ahirah) duhen vënë në përputhje dhe harmoni me rrëfimet e Kur’anit për “Ditën e Fundit” (el-jeumu’l-ahir). Nëse njeriu hyn në përsiatje rreth domethënieve të shumta – e vërtet të thella – që kjo “Ditë e Fundit” mbart në Kur’an, është e dobishme të arrijë te sugjerimi interpretativ se “Dita e Fundit” në thelb është koha e amshueshme, e cila vjen pas kësaj bote të parë (el-Ula). Në njëfarë mënyre, koha e kësaj bote do të derdhet në kohën e botës tjetër. Sipas Kur’anit, “Dita e Fundit” nuk është thjesht një çështje kronologjie kozmike, as një zbrazëti e plotë që do të shfaqet si një humnerë pas shuarjes apo shkatërrimit të kësaj bote. Përkundrazi, për njeriun “Dita e Fundit” paraqitet si një prag etik, si një hyrje morale, si çasti i vërtetimit përfundimtar të veprave tokësore, dhe si realizimi i plotë i asaj që njeriu e ka mbjellë dhe e ka ndërtuar gjatë jetës së tij.

Dhe e gjithë kjo është, në një mënyrë, një “skenë e vendosur” e Kur’anit, e cila nuk është e strukturuar sipas qëllimit, dëshirës, parandjenjës apo kontemplimit të njeriut. Ajo që në strukturën e Kur’anit është Dita e Fundit, në të vërtetë, është një thirrje e zjarrtë drejtuar njeriut dhe një nxitje e sinqertë drejtuar qenies njerëzore dykëmbëshe, që të pranojë se ekziston Bota e Përtejme dhe që të përgatitet për të. Ajo që është eskatologjike në Kur’an, shumë shpesh shfaqet si detyrë e njeriut në këtë Botë.

 

3. Njeriu, Bota e Ardhshme (el-Ahirah) dhe kuptimi i Udhës

Në këndvështrimin kur’anor mbi botën, njeriu është një qenie thellësisht e rëndësishme, aq e rëndësishme sa që për afirmimin dhe vërtetimin e plotë të tij nuk mjafton vetëm kjo botë, por para tij shtrihen hapësira, mundësi dhe horizonte edhe të Botës tjetër, të asaj të Ardhshme. Shkurtimisht, të dy botët – Dunjaja (ed-Dunja) dhe Ahireti (el-Ahirah) – përbëjnë një barrë të madhe ekzistenciale mbi njeriun. E vetmja alternativë e sigurt ndaj kësaj do të ishte (apo do të kishte qenë) që njeriu të mos ishte fare njeri, por “të bëhej pluhur”, siç shpallet me një sarkazëm të hidhur dhe me një klithmë dëshpërimi në Kur'an, në suren en-Nebe’ (78:40): "Ah sikur të isha pluhur!"

Do të ishte gabim të mendohej se Fjala Hyjnore e Kur’anit hyn në inat apo në polemikë me njeriun kur i kumton atij se “pas” kësaj bote ekziston edhe Bota tjetër, apo ringjallja e ardhshme. Ashtu si kjo botë për Kur’anin që nuk është ndonjë vegim i rremë, as ndonjë skenë e përkohshme hyjnore për të argëtuar krijesat, po në të njëjtën masë – madje edhe më fuqishëm – as Bota tjetër nuk është diçka iluzore apo e paqenë. Zoti i Kur’anit është Zot serioz dhe dinjitoz, ashtu siç janë edhe botët që Ai përmend – kjo botë dhe Bota e Ardhshme – të vërteta dhe të pamohueshme. Ka gjasë që pikërisht për këtë arsye, qëllimi kryesor i përmendjes së Botës së Ardhshme në Kur’an nuk është frikësimi i verbër, por zgjimi etik i njerëzimit, zgjimi i ndërgjegjes njerëzore dhe vetëdijësimi i njeriut përballë takimit me Gjykimin.

Llogaria që Kur’ani ia paraqet njeriut dhe njerëzimit është krejt e shkurtër dhe e qartë: Hapat e njeriut në këtë botë (ed-Dunja) nuk janë të kotë. Veprimi i tij ka pasoja dhe përfundime.
Asgjë nga ajo që bën njeriu në këtë botë nuk qëndron jashtë së mirës dhe së keqes. Nga çdo anë njeriun e rrethojnë njerëz të tjerë, minerale, bimë, kafshë, si edhe botë shpirtërore. Ndaj të gjithëve ai mund të bëhet dëmtor, ose, përkundrazi, ta ndiejë veten të detyruar të sillet me mirësi e dobi. Në Kur’an, besimi në Zotin nuk nënkupton vetëm përkushtim ndaj Tij, por njëkohësisht kërkon edhe sjellje etike ndaj botëve dhe krijesave të Tij. Kështu bëhet e dukshme se Kur’ani e dëshmon kuptimin dhe vlefshmërinë e Rrugës së Drejtë (es-siratu’l-mustekim), rrugë në të cilën thirret njerëzimi jo vetëm në këtë botë, por që lidhet thellësisht edhe me pragun e Botës së Ardhshme, ku ai e gjen përmbushjen dhe qëllimin e tij.

Kur’ani nuk flet për Botën e Ardhshme si për një ndodhi astronomike, as si një episod evolucionar, e as si ndonjë fazë zhvillimi të stadieve më të larta e fantastike të jetës, që do të shfaqeshin si një mega-ngjarje e përmbledhur në mijëra e mijëra galaksi. Përkundrazi, ashtu siç paraqitet në faqet e Kur’anit, Bota e Ardhshme – të paktën kur bëhet fjalë për njeriun – përmban hapësira të Xhenetit, të Xhehenemit, të Mesbotës (el-Berzah), dhe të tjera të ngjashme, hapësira që paraqiten në dimensionet e tyre morale dhe etike.

Udhët e njerëzimit, si edhe Rruga e Drejtë, në trajektoret tokësore dhe përtejbotësore të njeriut, kanë qëllimin e tyre moral, afirmimin etik dhe përmbushjen e tyre të plotë. Për më tepër, Kur’ani shfaq një transpozim eskatologjik të veprave njerëzore: ato nuk kanë kuptim vetëm në këtë botë, por edhe në botën tjetër. Në këtë kuptim është me rëndësi të kujtohet se fjala kur’anore ed-din (Dita e Gjykimit, ose – siç kuptohet diku – “fillimi” i Botës së Ardhshme) ka një domethënie thellësisht konkrete dhe mund të kuptohet nga vetë natyra e njeriut si qenie përgjegjëse. Për Ditën e Gjykimit, karakteristike është paralajmërimi i fortë i Kur’anit në suren el-Ma’un (107:1–3): "A e sheh ti atë që e përgënjeshtron përgjegjësinë dhe llogarinë në botën tjetër? Po ai është që e përzë në mënyrë të vrazhdë bonjakun. Dhe që nuk nxit për ta ushqyer të varfrin."

Ky është ndër vendet më të qarta dhe më të drejtpërdrejta të Kur’anit që dëshmon për përmasat morale si të kësaj bote, ashtu edhe të botës tjetër. Në renditjen dhe sistemimin e vet, udhët e njerëzimit – dhe bashkë me to edhe Rruga e Drejtë – përkufizohen para së gjithash nga vlerat morale dhe nga pesha etike e veprave.

 

 

Burimi: Preporod, nr. 5/1231, 1 mars 2023

Nga gjuha boshnjake: Rehan Neziri