Prof. Dr. Enes Karić

 

 

Dhjetë pyetje të rënda drejtuar Kur’anit

E nënta: Pse ekzistojnë Xhenneti dhe Xhehennemi?

 

 

1. Dëshmitë për Xhennetin dhe Xhehennemin

Kurʼani është një libër i shpallur që sjell shumë dëshmi për Zotin, për njeriun, për botën, për jetën, për botët shpirtërore dhe për “qytetërimet” (e melekëve/engjëjve, të xhinëve, të shejtanëve…), për këtë Botë dhe Botën e Përtejme, për botët minerale, bimore dhe shtazore. E gjithë kjo i ofrohet njeriut brenda një “perspektive hyjnore” ose, më saktë, brenda “perspektivave hyjnore”. Njeriut mund t’i duket se këto tema kurʼanore janë dhënë “pa rend”, pa një “sistematikë të paracaktuar”. Megjithatë, kjo tregon se Kur’ani flet për Realitetin dhe për realitetet, dhe se pothuajse gjithmonë e ka parasysh që ajo për të cilën flet dhe që e dëshmon, i drejtohet kryesisht dijes, intuitës dhe kontemplacionit të njeriut dhe të njerëzimit, në mënyrë që njeriu t’i “vëzhgojë”, t’i “renditë”, t’i “tematizojë” dhe t’i “sistematizojë”. Dhe megjithëse njeriu inkurajohet dhe nxitet që për gjithçka të thënë në Kur’an të mendojë, të intuitojë dhe të kontemplojë, Kur’ani, megjithatë, për vete e ruan atë Misterin e tij që qëndron prapa shpalljes dhe zbulimit të tij.

Prandaj Kur’ani shfaqet edhe si një tekst testamentar, veçanërisht kur bëhet fjalë për rrëfimet mbi rrugëtimet e kësaj Bote dhe të Botës së Përtejme, si dhe mbi njeriun. Në këtë kuptim, Kur’ani është edhe një përmbledhje pohimesh dhe njoftimesh që flasin për fundin dhe për kohët e fundit të shumë botëve, qenieve dhe dukurive. Me çdo krijesë lidhet në mënyrë të pandashme edhe koha e asaj krijese, dhe vetë koha në brendinë e saj bart shumë lajmëtarë të fundit.

Pa i marrë në konsideratë rrëfimet kurʼanore për “fundin e botës” ose për “fundin e botëve”, është e pamundur të kuptohet siç duhet tërësia e Kur’anit. Pikërisht këtu shfaqet fuqishëm “diskursi fetar” i Kur’anit. Përtej “fundit të botëve” shtrihen botë të tjera, në të cilat njerëzimi duhet të besojë, e ndër to, padyshim, janë edhe botët e Xhennetit dhe të Xhehennemit.

Për këtë Kur’ani jep një dëshmi të thjeshtë: kjo Botë do të shuhet, ashtu siç të gjithë njerëzit do të vdesin dhe ringjalljen e tyre do ta përjetojnë në Botën e Përtejme. Kjo është një porosi që shfaqet nga shumë shpallje dhe deklarime kurʼanore. Krejt tjetër gjë është kthimi kryengritës i njeriut me kokë mënjanë nga shumë segmente që, si në Kur’an ashtu edhe në Bibël, lidhen me besimin dhe me aktin e të besuarit. Në të vërtetë, nga perspektiva e kësaj Bote, nuk ekzistojnë prova eksperimentale që diku, në Përtejbotë, të ketë Xhehennem ose të ketë Xhennet. Vetëm besimi se ato ekzistojnë i siguron njeriut një garanci për ekzistencën e Xhehennemit dhe të Xhennetit. Pikërisht në këtë besim kanë zënë fill arsyet për të cilat shumë teologji e kanë futur në dogmat e tyre “besimin në Botën e Përtejme”.

Kur bëhet fjalë për Kur’anin, faqet e tij na dëshmojnë se kjo Botë, apo këto Botë, nuk mund të kuptohen pa eskatologjinë e pasur dhe të shprehur gjerësisht të Kur’anit (uhravijjat). Kjo Botë, apo këto Botë, e kanë qëllimësinë e tyre të plotë (esbab) në Botën e Përtejme, apo në Botët e Përtejme. Edhe pse njeriu mund ta studiojë këtë qëllimësi, ta dëshmojë apo edhe ta vërë në dyshim, ai nuk është krijuesi i saj; përkundrazi, ai, nga pozita e tij si krijesë, është i zhytur në këtë qëllimësi, ashtu siç është pika e ujit e zhytur në det. E gjithë kjo, natyrisht, me një dallim thelbësor: nuk e dimë nëse pika në det është e vetëdijshme për pozitën e saj individuale, por njeriu dhe njerëzimi janë thellësisht të vetëdijshëm për një numër të madh sprovash, sa herë që para aftësive të tyre mendore vendosin shqyrtimin dhe gjykimin mbi “fatet e tyre”, si në këtë Botë, ashtu edhe në Botën e Përtejme. Në këtë pikë, perspektivat e Kur’anit janë të qarta: pikërisht sepse njeriu ekziston tashmë në shumë mënyra të ndryshme, ai nuk guxon të harrojë se nga këto shumë ekzistenca të tij e ka për detyrë të mendojë, të besojë dhe të kontemplojë mbi lajmet e Botës së Përtejme, e rrjedhimisht mbi Xhennetin dhe Xhehennemin.

Në faqet e Kur’anit, njeriut i kujtohet shumë herë – do të thoshim madje lutet me ngulm – që ta përvetësojë dhe të jetë i vetëdijshëm për këtë fakt: se pozicionimi i tij i paradhënë dhe zhytja e tij në një mori të panumërt marrëdhëniesh dhe raportesh në botët që e rrethojnë, janë pjesë përbërëse e ekzistencës së tij. Sureja  el-Muʼminun (23:12–17) flet për krijimin, përkatësisht për ardhjen në ekzistencë të njeriut, duke përshkruar këto shkallë: 1) nga “esenca e dheut” (sulaleh min tin), e cila ngrihet në 2) “pikën e farës” (nutfeh); dhe kjo pikë, pasi vendoset “në një vend të sigurt” (fi kararin mekin) në mitër, shndërrohet së shpejti në 3) embrion (ʻalekah), i cili ngrihet në 4) copë mishi (mudgah); e në këtë copë mishi shfaqen 5) kockat (ʻidham), këto kocka më pas mbulohen me 6) mish tjetër, indor (lahm), dhe, në fund, Zoti këtë tërësi 7) “e gjallëron si një krijesë tjetër” (halkan ahar), domethënë e nxjerr në jetë si njeri, si një qenie e plotë. Këto shtatë shkallë, nëpër të cilat ngrihet dhe formësohet ekzistenca dhe qenësia e njeriut, kanë një përmbyllje simfonike qiellore. Në suren 23:14 shpallet: “I lartësuar qoftë Zoti, më i bukuri Krijues!”.

Përtej shumë domethënieve që këto pasazhe të Kur’anit përçojnë, mesazhi më thelbësor është ai mbi veçantinë e njeriut. Edhe pse Zoti është Një dhe i Vetëm Zot për të gjitha krijesat, në Kur’an krijimi i njeriut theksohet në mënyrë të jashtëzakonshme si krijimi i bashkëbiseduesit të Zotit, madje edhe si mëkëmbës (halifeh) të cilin Zoti e vendosi në Tokë (shih 2:30–37). Por ky pozicion i jashtëzakonshëm i njeriut, kjo qenësi e tij e veçantë, e ka çmimin e vet. Pikërisht për këtë Kur’ani e mëson njeriun: ekzistenca e Xhehennemit dhe e Xhennetit janë paralajmërime për çmimin e madh të veçantisë dhe lirisë njerëzore.

 

2. Berzahu, Xhenneti, Xhehennemi – çështja e moralit

Edhe këtu duhet rikujtuar se ligjërimi, pohimet dhe dëshmitë e Kur’anit për Berzahun (ose ndërbotën që e ndan Këtë botë nga Bota tjetër; shih 23:100; 25:53; 55:20), pastaj për Xhennetin dhe Xhehennemin, nuk duhen parë në lidhje të drejtpërdrejtë me mesazhet e kozmogonive dhe kozmologjive të ndryshme, as me evolucionin e universit apo me shfaqjet e pandërprera të pasojave të “Shpërthimit të Madh” (Big Bang), e kështu me radhë. Natyrisht, kush dëshiron, mund ta studiojë Kur’anin edhe në raport me këto tema shkencore; asgjë nga kjo nuk është as e pazakontë, as e ndaluar. Megjithatë, tonaliteti i përgjithshëm i Kur’anit në trajtimin e Xhennetit dhe Xhehennemit është i dhënë në kategori morale, përkatësisht në lidhje me temat etike. Në shumë mënyra Kur’ani dëshmon se veprimi i njeriut në këtë botë nuk është i kotë. Për shembull: “A mos menduat se Ne ju krijuam kot dhe se nuk do të ktheheni te Ne?” (el-Mu’minun, 23:115)

Kur është fjala për seriozitetin e paraqitjes së njeriut në këtë botë, shumë zëra në Kur’an përmblidhen në këtë kuptim: normat morale që i janë vënë përballë njerëzimit në këtë botë, si dhe, krahas tyre, mijëra nxitje etike drejtuar njeriut – të gjitha këto kanë epilogët e tyre, tashmë në këtë botë, por sidomos në Botën tjetër, në botët e Xhennetit dhe të Xhehennemit. Ndërkohë, të gjitha këto mesazhe të shenjta për këtë botë, si edhe ato për Xhennetin dhe Xhehennemin, janë kumtuar me seriozitet të plotë. Kur’ani pa asnjë mëdyshje shpall se të flasësh për të shenjtën do të thotë, para së gjithash, të flasësh për moralin; pra, ekziston një “moral i së shenjtës”. Njerëzimit i bëhet e qartë se këto mesazhe nuk janë aspak shaka, nuk janë një “lojë fjalësh” apo një punë e lehtë. Pasazhet e Kur’anit mbi këto tema nuk mund të lexohen pa shqetësim, pa një lloj ankthi të brendshëm te njeriu dhe te njerëzimi. Vetë struktura e veçantë e diskursit kur’anor për Xhehennemin dhe Xhennetin flet në formën e dërgimit të mijëra mesazheve, të cilat njeriun dhe njerëzimin, nga një "përtejanësi e largët", i paralajmërojnë për dispozitat morale që u janë vënë përballë këtu dhe tani.

Por, ashtu siç njeriu ndaj gjendjeve të veta që i përmendëm pak më parë (d.m.th. ndaj qëndrimeve dhe fazave të tij në: “thelbësinë e tokës”, “pikën e farës”, embrionin, copëzën e mishit, eshtrat, mishin indor që i ka mbështjellë eshtrat, dhe, më në fund, në shfaqjen e “një krijese/qenieje tjetër”), nuk duhet të shikojë si në ca hije a fantazma me të cilat njeriu kërcënohet nga e kaluara e tij, e për të cilat ai, në çastin e lindjes së vet, nuk ka qenë i vetëdijshëm; po kështu – të paktën sipas parimeve të Kur’anit – as botët dhe sferat e Xhehennemit dhe të Xhennetit nuk duhen parë si hije kërcënuese me mundime dhe vuajtje të ardhshme, as si lajka përmes premtimeve për kënaqësi dhe ëmbëlsi në kohë të ardhshme eskatologjike të pafundme.

Natyrisht, pyetja “Pse, në fund të fundit, ekziston Xhehennemi?” është e vështirë. Po aq e vështirë është edhe pyetja “Pse ekziston Xhenneti?”. Por, të gjitha këto pyetje – ashtu si edhe shumë të tjera në këndvështrimin kur’anor ndaj botës – burojnë nga fakti se njeriu tashmë është dhe ekziston, pa u pyetur nëse ka dashur apo jo të ekzistojë, të jetë! Askush nuk e ka pyetur njeriun, as njerëzimin, nëse dëshiron të dëgjojë diçka për temat e kësaj bote dhe të Botës tjetër, për Xhennetin dhe Xhehennemin! Dhe, ashtu si vetë jeta dhe vetë vdekja që janë një lloj prove e fshehtë për njeriun, të tilla janë edhe pjesët e botës së ardhshme, eskatologjike. Është gjithmonë mirë të rikujtohet një mesazh nga sureja el-Mulk (67:2): “Është Ai që krijoi vdekjen dhe jetën, për t’ju vënë në provë: cili prej jush do të bëjë vepra më të mira.”

E mira dhe e keqja i shënojnë veprat e njeriut, dhe ato nuk e kanë përmbylljen dhe përfundimin e tyre thjesht në vetvete, por përbëjnë fusha dhe sektorë thellësisht të rëndësishëm të etikës dhe moralit, si në këtë Botë, ashtu edhe në Botën tjetër. Prej këtej burojnë temat e Xhehennemit dhe të Xhennetit në Kur’an; prej këtej, dhe pikërisht për këtë arsye, ekzistojnë Xhehennemi dhe Xhenneti në Botën tjetër. Kjo, shkurtimisht, është aksioma e eskatologjisë së Kur’anit. A mund të vërtetohet kjo aksiomë nga shkencat ekzakte dhe disiplinat e tyre? Jo, natyrisht që jo – ashtu siç, në fund të fundit, asnjë kërkesë morale e sektorëve të shenjtë të Biblës dhe të Kur’anit nuk mund të vërtetohet nga shkencat ekzakte. Në të vërtetë, e gjithë historia e njerëzimit është dëshmitare se urdhri i librave të shenjtë “Mos vrit!” është shkelur. E thënë me ironi, ai është shkelur gjithnjë e më shumë pikërisht me të ashtuquajturin “zhvillim” të shkencave ekzakte dhe të dijes.

Por, nuk duhet harruar as sprova tjetër së cilës as njeriu, as njerëzimi, gjatë historisë, nuk i kanë rezistuar: vrasja për “arsye të shenjta”. Në shumë vende në Kur’an shohim (p.sh. 5:27) se ky Libër po ashtu shprehet me neveri kundrejt shkeljes së moralit për "arsye të shenjta”. Me këtë njeriut i përkujtohet se jeta dhe vdekja e tij zhvillohen mes një morie paradoksesh. Pikërisht në mesin e këtyre paradokseve është e nevojshme të gjendet “Rruga e Drejtë” (es-siratu’l-mustekim - 1:6). Dhe vetë kërkimi i kësaj rruge, në njëfarë mënyre, do të thotë shmangie e rrugëve që të çojnë drejt Xhehennemit.

Natyrisht, Xhehennemi i përshkruar në Kur’an është i tmerrshëm. Njerëzit do të “sillen në të në grupe” (39:71); “lëndë djegëse e Xhehennemit janë njerëzit dhe gurët/idhujt” (2:24); njerëzit do të “digjen, por sa herë që lëkurat e tyre të piqen, ato do të zëvendësohen me lëkura të reja, që ta përjetojnë dënimin përsëri” (4:56); banorët e Xhehennemit do të ndëshkohen me “veshje prej zjarri” (22:19); mbi kokat e tyre do të “derdhet ujë i vluar” (22:19); dhe, meqë banorët e Xhehennemit do të jenë të etur, ata do ta pinë atë ujë, por “me të do të shkrihet gjithçka që gjendet në barkun e tyre, si edhe lëkurat e tyre” (22:20); përveç kësaj, ata do të rrihen dhe goditen me “topuzë prej hekuri” (22:21). Shkallëzimet estetike të pamjeve të së shëmtuarës, të pranishme në Kur’an, e arrijnë kulmin në përshkrimin e “ushqimit që e konsumojnë banorët e Xhehennemit”; sikur fjala gislinnë 69:36, që do të thotë “lëng i qelbur”, dhe e mbartin funksionin e nxitjes së qëllimshme të neverisë ndaj Xhehennemit. Edhe pse kjo nuk është tema e tanishme, në Kur’an ajo e neveritshmja e Xhehennemit përshkruhet me fjalë dhe me pamje që lidhen me atë të neveritshmen që njerëzimi e përjeton tashmë edhe në këtë Botë.

 

3. Xhehennemi dhe Xhenneti: neveria dhe mahnitja, e shëmtuara dhe e bukura

Në të gjitha përpjekjet lexuese për t’i zbuluar mesazhet e tërësisë së Kur’anit, përfshirë edhe rastet kur bëhet fjalë për pohimet kur’anore mbi Xhehennemin dhe Xhennetin, nuk duhet humbur nga vëmendja se përshkrimet e Xhennetit dhe të Xhehennemit në faqet e këtij Libri paraqiten si realitete për të cilat – të paktën për Kur’anin – nuk ka asnjë dyshim. Edhe pse bëhet fjalë për Botën e Përtejme, e gjithë kjo është Reale – kjo përbën nivelin e parë të pohimeve kur’anore mbi Xhehennemin dhe Xhennetin.Niveli i dytë shfaqet menjëherë pas këtij të parit. Në të vërtetë, te njerëzimi synohet të zgjohet neveria ndaj Xhehennemit dhemahnitja ndaj Xhennetit! Ose, ndryshe thënë, nëpërmjet këtyre përshkrimeve synohet të vendoset vetëdija morale dhe etike, një gjendje zgjuarsie përballë sektorëve të së shëmtuarës dhe së bukurës, si brenda njeriut, ashtu edhe jashtë tij.

Ashtu siç përshkrimet e Xhehennemit janë marrë nga shembuj të kësaj Bote, në faqet e Kur’anit po aq edhe përshkrimet e Xhennetit janë, në njëfarë mënyre, “huazuar” nga sektorët  e bukur, të mrekullueshëm dhe të mahnitshëm të kësaj Bote. “Burime uji që rrjedhin” (88:12), si vende ku jeta banon më intensivisht; “kopshtije të degëzuara” (55:48); “kopshte nëpër të cilat rrjedhin lumenj” (2:25); “frutat” e florës, për të cilat banorët e Xhennetit do të thonë se “i kanë shijuar edhe më parë /në këtë Botë/” (2:25); banorët e Xhennetit “do t’ia ofrojnë njëri-tjetrit gotat e mbushura [me ujë, mjaltë, qumësht, verë që nuk deh]”; në Xhennet “nuk do të ketë fjalë të kota dhe as mëkat” (52:23); e kështu me radhë. Shkurt thënë, qëllimi i përshkrimeve kur’anore të Xhennetit është të tregohet çfarë është “jeta e vërtetë” (el-hajevan – shih 29:64). M. A. S. Abdel Haleem e përkthen shprehjen el-hajevan me fjalët “jeta e vërtetë”  “the true life”.

Dhe ashtu siç, nga njëra anë, prania e njeriut dhe e njerëzimit në Xhehennem na trishton thellësisht dhe na paralajmëron me mësim, po ashtu, nga ana tjetër, faqet e Kur’anit na paraqesin si më madhështoren vetë praninë e njeriut dhe të njerëzimit në Xhennet.
Rinia dhe bukuria e njeriut janë theksuar në mënyrë të jashtëzakonshme në Kur’an. “Bukuroshet me sy të mëdhenj” (hurun ‘in56:22), si edhe “djemtë përherë të rinj” (vildan muhalledun56:17), përmenden në faqet e Kur’anit vetëm si garanci e bukurisë njerëzore që i përshtatet Xhennetit; me këtë bukuri do të realizohet shoqërimi parajsor dhe bisedat e këndshme. Sipas Kur’anit, njeriu nuk është thjesht një zbukurim i Xhennetit, as një tablo artistike në muret e Xhennetit, por vetë njeriu dhe vetë njerëzimi janë thelbi i vërtetë i jetës së Xhennetit. Le ta themi shkurt: në Kur’an nuk ka asnjë provë që “bukuroshet me sy të mëdhenj” dhe “djemtë përherë të rinj” të jenë përmendur si objekte mësymjesh seksuale, shfrenimi pasional apo sodomie. Përkundrazi, sintagma kur’anore ʻuruben etraben, nënkupton se bashkëshortet dhe bashkëshortët xhennetorë do të jenë të dashur për njëri-tjetrin, se do të jenë bashkëmoshatarë ose afërsisht të së njëjtës moshë, pra bashkëshortë xhennetorë të barabartë në moshë, etj. (shih 56:37). Arberry e përkthen sintagmën ʻuruben etraben me fjalët: “chastely amorous, like of age”. Edhe ushqimet që përmenden në Kur’an (p.sh. “mishi i shpendëve” – lahmu tajrin56:21), kryesisht paraqiten si nxitje për gradacion estetik, e jo si një “ngopje e thjeshtë me ushqim”.

Tërësia e Kur’anit na paralajmëron në mënyrë të tërthortë për këtë të vërtetë: ashtu siç kjo Botë nuk është e rregulluar sipas vullnetit të njerëzimit, po ashtu nuk është as Bota e Përtejme.

Këtë e shohim qartë: vullkanet që shpërthejnë me lavë zjarri janë të frikshme, njerëzimi nuk është në gjendje t’i shuajë; masivet malore janë gjigante, njerëzimi nuk mund t’i zhdukë; dhe kështu me radhë. Dhe ashtu siç në këtë Botë vullkanet, malet e larta dhe e gjithë Toka e tejkalojnë njeriun, po ashtu edhe Xhenneti dhe Xhehennemi në Botën e Përtejme e tejkalojnë atë. Kur’ani është një Libër që e këshillon njeriun të mendojë për këto realitete, të besojë dhe, në këtë mënyrë, të gjejë për veten e tij një vend shpëtimtar në këtë Botë dhe në Botën e Ardhshme.

 

Nga gjuha boshnjake: Rehan Neziri