Në diskursin bashkëkohor mbi identitetin e Evropës, gjithnjë e më shpesh i referohet trashëgimisë së krishterë ose asaj judeo-krishtere. Mirëpo, një vështrim i vëmendshëm në librat e historisë e përgënjeshtron këtë tezë dhe na mëson se Islami ka qenë pjesë përbërëse e historisë evropiane për shekuj me radhë.
Ese nga Stefan Schreiner*
Kur flitet për Evropën, për vetëkuptimin e saj dhe sidomos për vlerat mbi të cilat ajo pretendon të mbështetet, ende është gjerësisht e zakonshme – dhe sot ndoshta edhe më shumë se dje – të flitet për një Evropë “të krishterë”, ose të paktën të theksohen rrënjët e saj të krishtera dhe të insistohet në një formësim të domosdoshëm që rrjedh prej tyre. Political correctness e ndalon që fjala “e krishterë” të kuptohet në mënyrë ekskluzive në këtë kontekst, dhe zëra veçanërisht mirëdashës nxitojnë ta zëvendësojnë atë me nocionin e një tradite judeo-krishtere ose të një trashëgimie judeo-krishtere të Evropës – gjë që, në të vërtetë, nuk e përmirëson aspak situatën.
Përkundrazi, referimi ndaj traditës ose trashëgimisë judeo-krishtere të Evropës, po të shihet më nga afër, zbulohet shumë shpejt si një manovër transparente: sepse ata që e artikulojnë me zë më të lartë këtë pretendim, zakonisht e bëjnë këtë me qëllimin e vetëm që ta përjashtojnë Islamin, thuajse a priori, nga përkatësia e tij ndaj Evropës.
Historikisht, kristianizimi i Evropës ka qenë një proces i gjatë dhe i ndërlikuar, që zgjati më shumë se një mijëvjeçar dhe që nuk ndoqi aspak një vijë të drejtë, por u shoqërua vazhdimisht nga “prapavajtje”. Në thelb, kristianizimi i Evropës nuk është përfunduar kurrë plotësisht. Sepse në kohën kur në Perëndim muslimanët u dëbuan përfundimisht nga Gadishulli Iberik dhe në Lindje, me kthimin në krishterim të lituanëve, u konvertuan të ashtuquajturit “paganët e fundit të Evropës” (shek. XIV–XV), Islami kishte kohë që kishte nisur të shtrihej sërish në Evropë, si nga Lindja ashtu edhe nga Juglindja, në Ballkan, dhe do të mbetej aty në mënyrë të qëndrueshme – në Evropën Qendrore dhe Lindore (Lituani, Poloni, Bjellorusi), po aq sa edhe në Ballkan.
Edhe pse, pra, muslimanët kanë qenë dhe janë – pa asnjë dyshim dhe pa asnjë kontestim, dje njësoj si sot – pjesë e popullsisë së Evropës, sipas këtij këndvështrimi, Islami jo vetëm që nuk i përket Evropës, por përbën madje një antitezë ndaj saj.
Armiqësia ndaj hebrenjve dhe muslimanëve
Se Evropa judeo-krishtere është, nga pikëpamja historike, një trillim, kjo dëshmohet qartë nga vetë librat e historisë. Vështirë se mund të flitet për një traditë judeo-krishtere evropiane: që nga shekulli i VII, koncilet kishtare i kanë shpallur hebrenjtë në “Evropën e krishterë” persona të padëshiruar, pra të papranueshëm (më), dhe që nga Mesjeta ata janë dëbuar nga shumë vende, sidomos nga Evropa Perëndimore.
Që në fillim, Evropa e krishterë e përkufizoi veten në kundërvënie ndaj hebrenjve dhe kështu vazhdoi strategjinë e përjashtimit dhe të margjinalizimit të judaizmit, e cila ishte paravendosur teologjikisht në Besëlidhjen e Re dhe në shkrimet e hershme të krishtera, dhe më pas u përkthye në të drejtë pozitive me Codex Theodosianus (438) dhe Codex Justinianus (529). Këto kodekse përbëjnë bazën e legjislacionit mbi hebrenjtë në historinë juridike evropiane, legjislacion që më pas mori trajtë konkrete në përvojën historike të hebrenjve në Evropë.
Bazat teologjiko-filozofike dhe përpunimet artistike të kësaj historie i ka dokumentuar gjerësisht Heinz Schreckenberg në veprën e tij katërvëllimëshe Die Christlichen Adversus-Judaeos-Texte und Bilder, sipas së cilës, për pjesën më të madhe të historisë evropiane, armiqësia ndaj hebrenjve përbën një vazhdimësi të pandërprerë. Sa pak e përputhshme ka qenë ideja e një Evrope të krishterë me praninë e hebrenjve në Evropë, këtë e dëshmojnë në fund përndjekjet e panumërta, dëbimet dhe shpërnguljet e hebrenjve nga vendet e krishtera evropiane që nga Mesjeta e deri te përjashtimi i tyre nga shoqëritë evropiane në kohët moderne. As karrierat e disa individëve hebrenj në ekonomi, politikë dhe shoqëri nuk e rrëzojnë këtë fakt.
Nën përshtypjen e përparimit të shpejtë të muslimanëve në Afrikën e Veriut, dikur të krishterë e së shpejti islame, Koncili i 17-të i Toledos (694) i akuzoi hebrenjtë e Spanjës për komplot dhe bashkëpunim “me hebrenj nga jashtë dhe me kombe të tjera (= muslimanë)” kundër krishterimit. Edhe sot, herë pas here, mund të lexohet ende se Tarik bin Zijadi, komandanti i ushtrisë arabe që në korrik të vitit 711 filloi pushtimin e Spanjës dhe e përfundoi atë brenda vetëm tre vjetësh, paska qenë një hebre i konvertuar në Islam.**
Njëfarë “vërtetimi” i vonshëm i kësaj teorie konspirative gjendet edhe në Ediktin për dëbimin e hebrenjve nga Spanja, të 31 marsit 1492, i cili e lidhi dëbimin e hebrenjve me dëbimin e muslimanëve (maurëve): nëse njëri grup duhej të largohej nga vendi, atëherë edhe tjetri – pra aleatët e tyre – duhej ta ndiqnin.
Po kjo ide e një komploti të përbashkët të hebrenjve dhe muslimanëve kundër të krishterëve dhe krishterimit u shndërrua në një obsesion të vërtetë në polemikën judeo-krishtere dhe përshkon si një fill i kuq historinë e polemikës së krishterë antijudaike dhe antiislame nga Mesjeta e deri në kohët moderne.
Prandaj nuk është aspak për t’u habitur që në polemikën e krishterë kundër Islamit, deri në epokën moderne, nuk përdoren vetëm të njëjtat “argumente” që gjenden në polemikën antijudaike, por se termat “hebrenj” dhe “muslimanë” bëhen thuajse të ndërrueshëm mes vete.
Ky vëzhgim i ka çuar Allan H. Cutler dhe Helen E. Cutler drejt tezës se antijudaizmi i krishterë – armiqësia e krishterë ndaj hebrenjve në Mesjetë dhe në periudhën (e hershme) moderne – në thelb ka qenë një anti-islamizëm; se, në fund të fundit, ai ka lindur nga armiqësia e të krishterëve ndaj Islamit dhe muslimanëve, për aleancën me të cilët hebrenjtë u detyruan të paguanin çmimin, si zëvendësues të tyre.
Rrënjët judeo-arabe të Iluminizmit
Megjithatë, fakt mbetet se Evropa – veçanërisht Evropa e sotme – nuk i detyrohet vetëm trashëgimisë së krishterë, por se në të kaluarën e saj (e deri sot), përkrah trashëgimisë antike greko-romake, të ndërmjetësuar gjerësisht nga hebrenjtë dhe arabët, hebrenjtë dhe muslimanët, ajo është formësuar dhe ndikuar fuqishëm edhe nga qytetërimi islam. Në disa vende të Evropës (krahas Rusisë, sidomos në Lituani, Poloni dhe në Ballkanin jugperëndimor), muslimanët – përkrah hebrenjve – kanë qenë të pranishëm për shekuj me radhë dhe janë deri sot jo vetëm pjesë e historisë së këtyre vendeve, por edhe bashkëpjesëmarrës në shoqëritë e tyre.
Kështu, në vitin 1997 muslimanët e Lituanisë festuan 600-vjetorin e tyre, domethënë 600-vjetorin e dhënies së privilegjit të përgjithshëm nga Duka i Madh Vytautas-Witołd, i cili jo vetëm që u garantonte atyre të drejtën e qëndrimit dhe të ekzistencës në Lituani, por u siguronte gjithashtu, usque ad infinitum, të drejtën për të jetuar aty si muslimanë krahas bashkësive të tjera fetare; dhe ata kanë mbetur deri më sot muslimanë sunitë të shkollës hanefite.
Në mënyrë të ngjashme, më 28 korrik 2007, muslimanët e Bosnje-Hercegovinës shënuan 600-vjetorin e tyre, duke konfirmuar kështu se ata jo vetëm që kanë qenë të pranishëm në Evropë për shekuj, por janë pjesë e pandarë e shoqërisë boshnjake dhe bashkëpjesëmarrës në historinë e këtij vendi.
Duke iu referuar kësaj historie, myftiu i madh i Bosnje-Hercegovinës, Dr. Mustafa Cerić, me të drejtë thekson se është njëkohësisht historikisht e pasaktë dhe politikisht fatale që Islami në Evropë të perceptohet vetëm si fe e imigrantëve, duke e harruar ose duke e shtypur faktin se ekziston prej kohësh edhe një Islam autokton, evropian – pikërisht ai i “muslimanëve të Ballkanit”, të cilët janë “evropianë të vjetër, jo imigrantë”, siç shkruan Timothy Garton Ash.
Kjo duhet theksuar si përballë atyre që vazhdojnë ta thërrasin trillimin e një Evrope “të krishterë” ose të paktën “judeo-krishterë” për t’i përjashtuar muslimanët per definitionem, ashtu edhe përballë atyre që e shohin Islamin, për nga thelbi i tij, si thelbësisht të papajtueshëm me idenë dhe vlerat e Evropës, duke u kapur ende pas “imazhit armik të Islamit”, i cili ndërkohë është shndërruar në një imazh të vjetër-të ri armik.
Islami ka qenë dhe është pjesë e Evropës
Ashtu siç Evropa – madje edhe “Evropa e krishterë” – nuk është e mendueshme pa rrënjët dhe vlerat e saj hebraike dhe islame, përkrah atyre të antikitetit klasik greko-romak, po ashtu një Evropë e krishterë në kuptimin në të cilin ky term përdoret dhe kuptohet gjerësisht sot, do të mbetet një trillim – ashtu siç ka qenë gjithmonë.
Ashtu si Evropa në të kaluarën e saj është formësuar dhe shënjuar në mënyrë të qëndrueshme nga ndikimi i ndërsjellë dhe ballafaqimi krijues i tri feve monoteiste, abrahamike, ibrahimiane – madje as dëbimi i hebrenjve dhe muslimanëve nuk i ka dhënë fund bashkëformësimit të tyre –, po ashtu edhe ndërtimi i Evropës të së ardhmes do të mund të ketë sukses vetëm përmes një bashkëjetese dhe bashkëpunimi të këtyre tri feve abrahamike.
* Stefan Schreiner është që nga viti 1992 profesor i shkencës së religjionit dhe i studimeve judaike, si dhe drejtor i Institutum Judaicum në Universitetin Eberhard-Karls të Tübingenit. Ai është gjithashtu anëtar i Këshillit Shkencor dhe i Këshillit të Fondacionit të Qendrës së Mësimit të Cyrihut për Islamin, Krishterimin dhe Judaizmin.
Burimi: Qantara.de
** Burimet islame raportojnë se ai ishte me prejardhje berbere; një mundësi tjetër është se ka qenë me origjinë perse. Ndërkaq, nuk gjenden dëshmi që ai të ketë qenë hebre. (Rehan Neziri)
Nga gjermanishtja: Rehan Neziri
