Prof. Dr. Ahmet Arslan
FILOZOFIA E MORALIT
Vlera dhe dukuria (fenomeni)
Me filozofinë e moralit përballemi njëkohësisht me një nga fushat themelore të interesimit filozofik, e cila merret me botën e vlerave. Më herët kemi bërë një dallim ndërmjet dukurisë dhe vlerës. Nëse e shprehim thjesht, dukuria është një ngjarje që ndodh në realitet dhe që mund të matet. Për shembull, fakti që në këtë çast jashtë po bie shi, apo që para dyqind vjetësh në Francë ndodhi një revolucion - njëri si realitet fizik, tjetri si realitet historik - janë dy ngjarje apo dukuri që paraqiten në botë dhe mbartin cilësi të matshme. Megjithatë, rënia e shiut nuk përjetohet njësoj nga të gjithë. Disa prej nesh - për shembull një bujk që e ka mbjellë arën dhe pret ujitjen e saj - do ta quajë këtë dukuri “të mirë”; ndërsa një tjetër, p.sh. një poçar që i ka nxjerrë enët jashtë për t’i tharë - do ta konsiderojë “të keqe”. Kështu, e njëjta ngjarje mund të cilësohet si “e mirë” ose “e keqe”. Tani, është e qartë se rënia e shiut, pavarësisht nga ndjenjat apo vlerësimet e bujkut dhe të poçarit, zotëron disa tipare që çdo mendje e shëndoshë - qoftë e bujkut apo e poçarit - duhet t’i pranojë. Për shembull, shiu mund të jetë i dendur apo i lehtë, mund të bjerë me një intensitet të caktuar, si p.sh. 10 litra për metër katror në orë, etj. Këto janë tipare që i përkasin anës faktike, të dukshme të ngjarjes. Nga ana tjetër, është po aq e qartë se kjo ngjarje ka edhe një dimension tjetër - një dimension që lidhet me dëshirat, nevojat, ndjenjat dhe pritjet e njeriut, si të bujkut ashtu edhe të poçarit; një dimension për të cilin nuk është e domosdoshme që të ketë pajtim të të dyve; një dimension që mund të vlerësohet nga njëri si "i mirë" dhe nga tjetri si "i keq". Pikërisht ky aspekt, përbën anën "vlerore" të saj.
Kur reagojmë ndaj sendeve dhe ngjarjeve që na rrethojnë, nuk mjaftohemi vetëm duke i trajtuar ato si lëndë të një shqyrtimi të natyrës së parë - pra si fakte të thjeshta dhe të matshme - por njëkohësisht u japim edhe një shtresë tjetër kuptimi: ne i "vlerësojmë" ato. Me fjalë të tjera, mbi to shprehim gjykime vlerore. Madje, dihet se shumica prej nesh, pothuajse në çdo çast, më shumë sesa përshkrime faktike, prodhojmë vlerësime të këtij lloji të dytë. Siç u pa edhe në shembullin e mësipërm, madje edhe një dukuri që në thelb i përket krejtësisht sferës së fenomeneve - si rënia e shiut - bëhet shkak për gjykime dhe qëndrime vlerësuese nga ana jonë. Nga ana tjetër, mënyrat se si sillemi ndaj miqve, kolegëve apo mësuesve tanë nuk janë thjesht veprime neutrale; ato, në vetë esencën e tyre, janë të ngarkuara me vlera dhe janë të formësuara prej tyre.
Po kështu, shumë prej sendeve që i shohim përreth nesh, sidomos ato që janë krijuar nga dora e njeriut, përveç vetive të tyre faktike - si p.sh. që një tavolinë të jetë prej druri, e rrumbullakët, me një këmbë të vetme apo me një peshë të caktuar - mbartin edhe një dimension tjetër, më të brendshëm: ato mund "të na pëlqejnë" ose "të mos na pëlqejnë". Veçanërisht krijimet si p.sh. një pikturë apo një këngë - pra produkte të dorës dhe shpirtit njerëzor - në thelbin e tyre ekzistojnë pikërisht për t’u bërë objekt i këtij lloji vlerësimi; madje, arsyeja e qenies së tyre duket se qëndron pikërisht në këtë: në faktin që ato përjetohen dhe gjykohen në horizontin e vlerave. Pa dyshim, një pikturë mund të ketë edhe një veçori tjetër: fakti që është krijuar nga një piktor i famshëm dhe, për këtë arsye, shitet me një çmim të lartë. Kjo përbën një dimension tjetër të saj - atë që mund ta quajmë "vlerë ekonomike". Po kështu, një këngë, kur këndohet si ilahi, mund t’i zgjojë dhe t’i thellojë ndjenjat fetare të njerëzve; dhe kjo përbën atë që mund të quhet "vlera fetare" e saj. Megjithatë, si piktura ashtu edhe kënga, përtej funksioneve të tyre të jashtme dhe përdorimeve që u jepen, zotërojnë një vlerë më të brendshme dhe më thelbësore: aftësinë për të ngjallur te shikuesi apo dëgjuesi një emocion të veçantë që ne e quajmë estetik. Pikërisht këtë e quajmë "vlerë artistike" e tyre. Dhe, në të vërtetë, ajo që e bën një vepër arti të jetë vepër arti është pikërisht ky dimension i fundit i saj.
Kështu, filozofia e vlerave është ajo fushë e kërkimit filozofik që i shqyrton ngjarjet dhe objektet në dritën e vlerave që ato mbartin ose përfaqësojnë. Problemet themelore të kësaj fushe janë të shumta dhe të thella: a ekzistojnë vlerat realisht? Nëse po, çfarë natyre ontologjike kanë? A janë ato subjektive apo objektive, apo mos ndoshta i përkasin një natyre tjetër më të ndërmjetme? Cili është burimi i vlerave? Çfarë e bën një gjë të jetë e vlefshme - kënaqësia që ajo i jep njeriut, apo diçka më e lartë dhe më e thellë?
Ndër vlerat kryesore mund të përmendim, siç u pa edhe nga shembujt e mësipërm, vlerat morale dhe ato artistike apo estetike. Fusha që merret me të parat quhet filozofi e moralit ose etikë, ndërsa ajo që merret me të dytat quhet filozofi e artit ose estetikë. Ka edhe mendimtarë që përpiqen t’i trajtojnë vlerat fetare - si “gjynahu” dhe “sevapi” - si një kategori më vete, duke synuar ta themelojnë filozofinë e fesë si një degë të pavarur të filozofisë së vlerave.
Burimi:
Prof. Dr. Ahmet Arslan, Felsefeye Giriş (Hyrje në filozofi), kap. 5. Vadi Yay., Ankara 1994, f. 85-112.
Nga turqishtja: Rehan Neziri
Lexo artikullin e plotë në PDF

