Enkas për religion.ch

Rehan Neziri & Nadire Mustafi

 

 

Çështja nëse shkolla duhet të jetë një hapësirë orientimi në temat fetare mbetet objekt debatesh. Megjithatë, një fakt është i pakundërshtueshëm: ndërsa mësimi fetar i traditave të krishtera është i mundshëm  nëpërmjet sistemit shkollor në shumë kantone, nxënësve muslimanë kjo mundësi u është mohuar për një kohë të gjatë. Epoka jonë, e karakterizuar nga rrjetet sociale dhe polarizimi shoqëror, e thekson edhe më shumë rëndësinë e një mësimi fetar islam nëpër shkolla. Rehan Neziri, imam dhe mësues i lëndës fetare, si dhe Nadire Mustafi, pedagoge dhe drejtuese sektori profesional në PH St. Gallen, të përfshirë në hartimin e Planprogramit të Mësimit Fetar Islam në Kantonin Thurgau, reflektojnë mbi nevojën, domethënien dhe sfidat e këtij projekti arsimor.

 

Pse mësimi fetar islam në shkollat publike?

Nevoja për inkuadrimin e mësimit fetar islam në shkollat publike të Kreuzlingenit dhe të qyteteve të tjera të Kantonit Thurgau – paralelisht me mësimin e krishterë katolik dhe të reformuar – lindi nga ndërthurja e disa faktorëve që u intensifikuan njëkohësisht:

 

a. Realiteti shoqëror dhe integrimi

Në shumë shkolla, përqindja e nxënësve muslimanë tashmë e ka arritur nivelin e nxënësve të besimit të krishterë të reformuar dhe po i afrohet atij të komunitetit katolik. Ndërkohë që fëmijët e krishterë e kishin mundësinë ta ndiqnin mësimin fetar konfesional, nxënësit muslimanë mbeteshin të privuar nga kjo mundësi, duke i kaluar këto orë pa mbështetje pedagogjike dhe të lënë vetvetes.

«Mësimi fetar islam e mbështet trajtimin e barabartë»

Inkuadrimi i këtij mësimi nuk përbën vetëm një masë qendrore për integrimin shkollor dhe shoqëror, por edhe një hap të rëndësishëm drejt trajtimit të barabartë dhe vlerësimit reciprok, duke ua mundësuar nxënësve muslimanë të mësojnë në kushte të barabarta me bashkëmoshatarët e tyre të krishterë.

 

b. Rëndësia fetare dhe konteksti mediatik

Feja – dhe veçanërisht Islami – mbetet, pavarësisht procesit të sekularizimit, një temë qendrore e diskurseve shoqërore, shkollore dhe virtuale. Të rinjtë përballen në rrjetet sociale me imazhe të ndryshme të Islamit, që variojnë nga përfaqësime autentike deri në deformime të thella ideologjike.

«Feja mbetet lëndë e diskurseve shkollore.»

Mësimi fetar islam ua ofron atyre mundësinë të reflektojnë në mënyrë kritike për konceptet e trashëguara familjarisht, t’i krahasojnë ato me narrativat mediatike dhe të ndërtojnë një kuptim të pavarur, të reflektuar dhe të vetëdijshëm të Islamit, që i përgjigjet njëkohësisht kontekstit zviceran dhe identitetit të tyre personal fetar.

 

c. Parandalimi i ndikimeve ekstremiste

Prania e grupeve ekstremiste që promovojnë një imazh të shtrembëruar të Islamit dhe që në shënjestër i kanë edhe të rinjtë në shoqëritë perëndimore, e bën të domosdoshëm përçimin shkollor të një kuptimi të qartë, jetëndërtues dhe paqedashës të Islamit. Ky përçim duhet të realizohet në gjuhën e të rinjve dhe në një mjedis që e bashkon formimin intelektual me zhvillimin social në të njëjtën kohë.

Edhe pse mësimi fetar islam nuk mund të ofrojë një mbrojtje absolute ndaj radikalizimit, mirëpo ai kultivon kompetenca themelore për reflektim të pavarur mbi fenë dhe jetën. Në këtë kuptim, ai ushtron një funksion parandalues, duke e nxitur ndërgjegjësimin, mendimin kritik dhe rezistencën ndaj rrymave ekstremiste.

 

ç. Funksioni ndërmjetësues

Pas inkuadrimit të mësimit fetar islam, u shfaq një funksion shtesë i mësuesit të fesë islame si ndërmjetës mes shkollës dhe familjes. Në situata ku kërkesat shkollore binin ndesh me bindjet fetare – si p.sh. noti, kampet shkollore, agjërimi i Ramazanit apo aktivitetet kulturore – ai, falë pozicionimit të dyfishtë në kontekstin shkollor dhe fetar, ishte në gjendje të gjente zgjidhje pragmatike dhe të balancuara.

Foto: Rehan Neziri gjatë mësimit islam në Kreuzlingen. Foto: @Rehan Neziri

Ky rol ndërmjetësues, i mbështetur shpesh edhe nga autoriteti i lartë shoqëror që e gëzon imami – njëkohësisht edhe mësues i lëndës fetare -, u dëshmua si thelbësor për t’i respektuar njëkohësisht kërkesat e sistemit arsimor dhe nevojat fetare të nxënësve, pa e cenuar asnjërën palë.

 

d. Ndërtimi i identitetit në një shoqëri pluraliste

Pluraliteti dhe diversiteti në rritje i shoqërisë sonë paraqesin jo vetëm mundësi, por edhe sfida, veçanërisht për të rinjtë në fazën e ndjeshme të shkollimit. Ata përballen me detyrën komplekse të harmonizimit të dimensioneve të ndryshme të identitetit të tyre – qoftë kulturor, social apo fetar – në një tërësi koherente. Ky proces nuk ndodh vetvetiu, por kërkon një mbështetje të qëllimshme pedagogjike, gjë të cilën mund ta ofrojë mësimi fetar islam.

«Të rinjtë e të rejat muslimane janë të vetmuar, kur është në pyetje zhvillimi i identitetit të tyre fetar.»

Edhe pse shumë lëndë shkollore kontribuojnë tashmë në drejtim të perceptimit dhe të interpretimit pozitiv të diversitetit nga ana e nxënësve, megjithëkëtë kur është në pyetje zhvillimi i dimensionit të identitetit fetar, sidomos të rinjtë dhe të rejat muslimane shpesh mbeten të vetmuar. Studimet empirike tregojnë se përkatësia ndaj komunitetit fetar ofron një ndjenjë përkatësie dhe sigurie, por kjo shpesh nuk mjafton për një qasje të thelluar, kritike dhe me tone pluraliste me Islamin, për shkak të mungesës së resurseve ose për shkak të trajtimit të kufizuar të diversitetit të brendshëm islam.

Prandaj, shkolla shfaqet si një hapësirë kyçe ku të rejat dhe të rinjtë muslimanë mund ta ndërtojnë identitetin e tyre si muslimanë zviceranë në mënyrë aktive dhe konstruktive. Një mësim fetar islam i bazuar në pedagogji të përgjegjshme dhe në dije të thelluar profesionale mund t’u ndihmojë atyre në gjetjen e orientimit dhe të perceptimit të reflektuar të rolit të tyre në një shoqëri shumëdimensionale.

 

dh. Edukimi fetar si pjesë e mandatit arsimor

Edukimi fetar në shkollë nuk duhet të barazohet me mësimin fetar në kishë ose xhami, ngase ai përbën një kontribut të pavarur në mandatin ose misionin gjithëpërfshirës arsimor të shkollës. Ai vepron në kontekstin e një shoqërie plurale dhe synon t’i aftësojë nxënësit t’i kuptojnë traditat fetare dhe botëkuptimet e ndryshme në mënyrë reflektive dhe kritike. Në qendër nuk qëndron mbrojtja e një pretendimi ekskluziv për të vërtetën, por ballafaqimi i argumentuar dhe shkencor kritik me përmbajtjen e fesë së vet.

«Në fokus qëndron ballafaqimi kritik me fenë e vet.»

Njëkohësisht, nxënësit inkurajohen të nxjerrin nga tradita e tyre fetare argumente që i mbështesin vlerat e pluralizmit, dialogut dhe bashkëjetesës paqësore. Në këtë mënyrë, edukimi fetar kontribuon drejtpërdrejt në formimin e personalitetit dhe në forcimin e kompetencave demokratike në kontekstin shkollor në kuadër të mësimit fetar islam.

 

Hartimi i planprogramit: një proces participativ dhe ndërdisiplinor

Pas përvojës pozitive 14-vjeçare në Kreuzlingen, u shfaq dukshëm nevoja për zgjerimin e këtij modeli edhe në komuna të tjera të Kantonit Thurgau (si në Romanshorn, Sulgen, Bürglen). Fillimisht, mësimi u mbështet në planprograme dhe materiale mësimore nga Gjermania.

Me futjen e Lehrplan 21 (Planit mësimor 21), të orientuar në kompetenca, në shkollat publike të Zvicrës, u bë e domosdoshme hartimi i një planprogrami të përshtatur posaçërisht për realitetin zviceran. Për këtë qëllim, një grup ekspertësh ndërdisiplinorë nga teologjia dhe pedagogjia islame dhe e krishterë, në kuadër të një projekti dyvjeçar hartuan një planprogram të ri, të mandatuar nga organizatat islame dhe nga DIGO-n, nën koordinimin e Grupit Ndërfetar të Thurgaut. Bazë për këtë punë shërbeu planprogrami i akredituar në Baden-Württemberg të Gjermanisë me titullin “Mësim fetar islam me orientim sunnit”, pasi ai është i ndërtuar mbi qasjen e zhvillimit të kompetencave dhe e merr në konsideratë përbërjen fetare të nxënësve në Thurgau (mbi 90 % sunnitë).

«Procesi u zhvillua në mënyrë participative dhe ndërdisiplinore.»

Gjatë hartimit të planprogramit ishte vendimtare që procesi, që nga fillimi, të konceptohej mbi parimin e pjesëmarrjes së gjerë dhe të bashkëpunimit ndërdisiplinor. Ekspertë nga pedagogjia, shkencat e fesë, praktika shkollore, si dhe përfaqësues të bashkësive muslimane dhe të krishtera, kontribuan me perspektivat dhe përvojat e tyre profesionale. Kjo larmi nuk përbënte thjesht një detaj organizativ, por shërbeu si themeli substancial i këtij dokumenti, i cili i merr seriozisht dhe i integron këndvështrimet e ndryshme në mënyrë të vetëdijshme dhe sistematike.

Njëkohësisht, ky planprogram nuk duhet kuptuar si një rregullore e ngurtë dhe statike, por si një instrument interaktiv pune. Ai fton që, në praktikën e përditshme shkollore, të zhvillohet më tej, të pasurohet me përvoja konkrete dhe të përthithë impulse e ide të reja. Në këtë mënyrë, vetë planprogrami e pasqyron atë hapje dhe gatishmëri për dialog, të cilat synon t’ua përçojë edhe nxënësve.

 

Cilat janë sfidat në zbatimin e këtij planprogrami dhe të mësimdhënies?

Në mënyrë shoqëruese me procesin e hartimit të planprogramit, u organizuan trajnime profesionale për mësimdhënësit që veprojnë në kantonin Thurgau, të cilat synonin thellimin e kuptimit dhe të zbatimit praktik të tij. Gatishmëria dhe përkushtimi i pjesëmarrësve dëshmuan një motivim të lartë profesional, çka u reflektua edhe në efektet dhe rezultatet pozitive të këtyre trajnimeve.

Megjithëse planprogrami hyri në fuqi zyrtarisht në vitin shkollor 2025/26, ende mungojnë materiale mësimore specifike islame që të jenë në përputhje të plotë me përmbajtjen dhe kërkesat e planprogramit të ri; deri në hartimin e tyre, vazhdojnë të përdoren materiale mësimore nga Gjermania.

«Ende mungojnë koncepte afatgjata për qëndrueshmërinë e planprogramit.»

Një sfidë tjetër thelbësore përbën mungesa e formimit profesional të mësimdhënësve për mësimin fetar islam në Zvicër. Aktualisht, ky mësim zhvillohet kryesisht nga imamët e xhamive lokale. Kjo gjendje e thekson domosdoshmërinë e krijimit të një formimi akademik të kualifikuar për mësuesit e fesë, imamët, këshilltarët shpirtërorë dhe punonjësit socialë muslimanë në Zvicër. Një institucionalizim i tillë jo vetëm që do ta fuqizonte komunitetin musliman, por do të jepte gjithashtu një kontribut të rëndësishëm në bashkëjetesën dhe kohezionin shoqëror.

Sfidë përbën gjithashtu edhe mbështetja institucionale nga autoritetet kantonale, si dhe integrimi i mësimit në përditshmërinë shkollore. Kësaj i shtohen çështjet e pranueshmërisë nga ana e nxënësve dhe prindërve, nevoja për formime të vazhdueshme profesionale, përshtatjet metodike sipas grupmoshave të ndryshme dhe trajtimi i temave të ndjeshme. Krejt në fund, ende mungojnë koncepte afatgjata për sigurimin e qëndrueshmërisë së planprogramit, për shembull përmes krijimit të rrjeteve të bashkëpunimit ndërmjet mësuesve, ekspertëve dhe xhamive, si dhe përmes zhvillimit të burimeve digjitale dhe infrastrukturës teknike të nevojshme për një mësim bashkëkohor dhe cilësor.

 

 

Botuar në: www.religion.ch

Nga gjermanishtja: Rehan Neziri