TEFSIRI I AJETEVE 6-7 TË SURES EL-BEKARA
Lexo këtë pjesë në PDF
Ajeti 6
إِنَّ الَّذِينَ كَفَرُوا سَوَاءٌ عَلَيْهِمْ أَأَنْذَرْتَهُمْ أَمْ لَمْ تُنْذِرْهُمْ لَا يُؤْمِنُونَ ﴿٦﴾
Përkthimi i kuptimit të ajetit
"Për ata që mohojnë, është njësoj nëse i paralajmëron apo nuk i paralajmëron; ata kurrë nuk do të besojnë."
Tefsiri – Komentimi
Kuptimi gjuhësor i fjalës kufër është “mbulim”, ndërsa fjala kafir do të thotë “ai që mbulon”. Edhe bujku është quajtur kafir, sepse ai e mbulon me dhe farën që mbjell. Në terminologjinë fetare, kufri do të thotë “mospranimi i të vërtetave që i ka sjellë feja e vërtetë islame, mbulimi dhe shpërfillja e tyre”. Shprehja “mohim” është më e përshtatshme se fjalët e tjera për ta shprehur këtë kuptim. Prandaj, si këtu, ashtu edhe në pjesët e tjera të përkthimit të kuptimeve të ajeteve dhe të tefsirit, është parapëlqyer që në vend të fjalës kufër apo mosbesim të përdoret fjala “mohim”, ndërsa në vend të fjalës kafirtë përdoren shprehjet “mohues” ose “ai që mohon”.
Në suren el-Fatiha u fol për ata që janë në rrugën e drejtë, për ata që kanë devijuar nga rruga e drejtë dhe për ata që e kanë merituar zemërimin e Allahut të Madhëruar. Në pesë ajetet e para të sures el-Bekara u përmendën cilësitë më të rëndësishme të atyre që janë në rrugën e drejtë (besimtarët e devotshëm). Ndërsa duke filluar nga këto ajete, përshkruhen morali, qëndrimet dhe përfundimi i atyre që kanë devijuar nga rruga e drejtë dhe e kanë merituar zemërimin e Allahut të Madhëruar.
“Ata që mohojnë”, cilësitë e të cilëve përshkruhen në këtë ajet, janë njerëz që nuk i fshehin mendimet dhe qëndrimet e tyre negative ndaj fesë së vërtetë; që e zgjedhin haptazi mosbesimin dhe refuzimin; që, me kalimin e kohës, nguliten gjithnjë e më shumë në mohim dhe që i mbyllin veshët, sytë dhe zemrat e tyre ndaj mendimeve dhe besimeve të tjera, përfshirë këtu edhe fenë e vërtetë islame. Është e qartë se këshillat dhe paralajmërimet nuk u sjellin dobi mohuesve, të cilët i kanë mbyllur veshët, vëmendjen dhe aftësinë kuptuese ndaj udhëzimit hyjnor. Paralajmërimet mund të ndikojnë vetëm tek ata që e kërkojnë të vërtetën dhe që e dëgjojnë Fjalën e Allahut të Madhëruar. Pejgamberi Muhammed s.a.v.s. është marrë shumë me mohuesit dhe ka dëshiruar që edhe ata t'u bashkoheshin besimtarëve. Kur shihte se përpjekjet e tij nuk jepnin rezultat, ai pikëllohej. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar, herë pas here, ia ka shpjeguar Pejgamberit të Tij të vërtetën rreth besimit dhe mohimit, duke e ngushëlluar dhe qetësuar, sikur t'i thoshte: “O i Dashuri Im! Fakti që ata, pavarësisht të gjitha përpjekjeve të tua, nuk heqin dorë nga mohimi dhe nuk e pranojnë besimin islam, nuk është për fajin tënd dhe as për fajin e fesë që ti e kumton. Faji qëndron tek ata që, me vullnetin dhe zgjedhjen e tyre, këmbëngulin në mohim dhe i mbajnë veshët të mbyllur ndaj fjalës së vërtetë. Sado që të përpiqesh, mohuesit e tillë nuk do të besojnë.”
Ajeti 7
خَتَمَ اللَّهُ عَلَىٰ قُلُوبِهِمْ وَعَلَىٰ سَمْعِهِمْ وَعَلَىٰ أَبْصَارِهِمْ غِشَاوَةٌ وَلَهُمْ عَذَابٌ عَظِيمٌ ﴿٧﴾
Përkthimi i kuptimit të ajetit
"Allahu ua ka vulosur atyre zemrat dhe veshët, ndërsa mbi sytë e tyre ka një perde të trashë. Për ta ka një dënim të madh."
Tefsiri – Komentimi
Në Kur’anin Famëlartë, në shumë ajete, veprimet që lidhen me devijimin e njerëzve nga rruga e drejtë (dalaleh), gjetjen e rrugës së drejtë (hidajeh), kryerjen e së mirës apo së keqes, zgjedhjen e njërës prej tyre (iradeh, meshiht – vullnet dhe dëshirë), si dhe mbylljen e dyerve të ndjenjave, mendimit dhe të kuptuarit ndaj së vërtetës (vulosja dhe mbulimi), i atribuohen Allahut të Lartësuar. Në këto ajete thuhet se Allahu i Lartësuar ua bën ose bën që t'u ndodhin këto gjëra.
Mirëpo, duke qenë se Allahu i Lartësuar zotëron dije, urtësi dhe drejtësi, nuk mund të mendohet që Ai t'i detyrojë robërit e Tij të kryejnë mëkate pa pasur ata vullnet apo ndikim në veprimet e tyre, t'i devijojë nga rruga e drejtë, t'ua vulosë zemrat dhe pastaj t'i qortojë e t'i dënojë për këto veprime. Përveç kësaj, në shumë ajete dhe hadithe flitet për vullnetin e njerëzve, për lirinë që ata e zotërojnë në fusha të caktuara dhe për faktin se do të përballen me pasojat e mira ose të këqija të veprimeve që i kryejnë me zgjedhjen e tyre të lirë.
Dijetarët e Ehli Sunetit, duke i vlerësuar së bashku gjykimet e arsyes dhe udhëzimin e shpalljes hyjnore, kanë arritur në këtë përfundim: Kaderi është dija dhe vendimi i Allahut të Lartësuar që nga ezeli (parahistoria njerëzore), ndërsa kadajaështë realizimi, përmbushja dhe zbatimi i kaderit në botën e krijesave. Meqenëse Allahu i Lartësuar e ka ditur që nga ezelise çfarë do të bëjnë robërit e Tij dhe çfarë do të zgjedhin në fushat ku ata gëzojnë liri dhe vullnet të lirë, kaderi dhe kadajae Tij në këto fusha janë në përputhje me zgjedhjen e lirë të njeriut. Fuqia dhe vullneti që e kanë vendosur këtë rend i përkasin Krijuesit, i Cili ua ka dhënë qenieve natyrën dhe cilësitë e tyre. Nga ky këndvështrim, gjithçka që ndodh dhe realizohet, përfshirë edhe veprimet që njeriu i kryen me vullnetin e tij të lirë, ndodh në përputhje me dijen dhe vullnetin e Allahut të Madhëruar. Sikur Allahu i Lartësuar të mos dëshironte, njeriu nuk do të mund të zotëronte vullnet dhe aftësi zgjedhjeje; nuk do të mund të zgjidhte ndërmjet së mirës dhe së keqes, së drejtës dhe së gabuarës, mohimit dhe besimit. Ai nuk do të mund t'i hapte apo t'i mbyllte veshët ndaj thirrjes së të vërtetës. Në këtë kuptim, thuhet se: “Allahu është Ai që udhëzon në rrugën e drejtë, që lë të devijojë, që vulos dhe që e bën të mundur kryerjen e së mirës apo së keqes.”
Mirëpo, kur nga ky këndvështrim i përgjithshëm (makro) kalojmë në një këndvështrim më të veçantë (mikro) dhe i shqyrtojmë sjelljet që ndodhin brenda jetës, perceptimit dhe vetëdijes së njeriut, atëherë shfaqen dhe bëhen ndikuese liria, vullneti dhe zgjedhja që i përkasin vetë njeriut. Kur vlerësohen sjelljet dhe përcaktohet përgjegjësia për to nga ky këndvështrim, kuptohet se është vetë njeriu ai që e zgjedh rrugën e drejtë ose të gabuar, që e kryen të mirën ose të keqen, që bëhet besimtar ose mohues dhe që e kufizon e errëson aftësinë e tij për të kuptuar.
Ajetet dhe hadithet, me mënyra të ndryshme shprehjeje, i paraqesin të dyja këto këndvështrime, duke e shfaqur të vërtetën nga të dyja anët. Në të vërtetë, në ajetin 155 të sures en-Nisa, mbulimi ose vulosja e zemrave të mohuesve lidhet me faktin se ata e kanë përdorur vullnetin dhe zgjedhjen e tyre në këtë drejtim. Po ashtu, në ajetin 105 të sures Jusuf, thuhet se mohuesit kalojnë pranë shumë argumenteve (ajeteve) që gjenden në qiej dhe në tokë, të cilat e dëshmojnë ekzistencën dhe njëshmërinë e Allahut të Lartësuar, por që ata ua kthejnë shpinën dhe largohen pa i vërejtur. Në këtë mënyrë, ky ajet hedh dritë mbi kuptimin dhe shkakun e “mbulimit dhe vulosjes së zemrave”, si dhe mbi ndikimin që ka vetë njeriu në këtë proces.
Edhe hadithi i mëposhtëm i Pejgamberit s.a.v.s. e sqaron këtë çështje nga një këndvështrim tjetër: "Kur një besimtar kryen një mëkat, në zemrën e tij shfaqet një njollë. Nëse ai pendohet, heq dorë nga mëkati dhe ndien keqardhje, ajo njollë fshihet nga zemra e tij. Por, nëse vazhdon të kryejë mëkate dhe i shton ato, edhe njolla zmadhohet, derisa në fund ia mbulon dhe ia mbyll të gjithë zemrën. Pikërisht kjo është ajo që nënkuptohet me ‘errësimin’ në fjalën e Allahut: ‘Jo, kurrsesi! Por veprat që ata i kanë bërë ua kanë mbuluar dhe errësuar zemrat.’" (el-Mutaffifin, 83:14) (Tirmidhiu, “Tefsir”, 5; Ibn Maxhe, “Zuhd”, 29)
Si përfundim, nuk është Allahu i Lartësuar Ai që i detyron njerëzit të kryejnë mëkate, të cilat bëhen shkak që ata të meritojnë ndëshkim dhe vuajtje. Allahu është Ai që ua ka dhënë atyre mundësinë dhe aftësinë për ta përdorur vullnetin, zgjedhjen dhe fuqinë. Ndërsa njeriu është ai që i përdor dhe i shfrytëzon këto mundësi në drejtim të kënaqësisë ose zemërimit të Allahut. Ky përdorim dhe përvetësim i veprimeve quhet kesb (fitim ose përvetësim i veprës me anë të zgjedhjes dhe vullnetit të njeriut). Kur njeriu largohet nga kjo botë, në duart e tij gjendet ose çelësi i Xhenetit, ose zjarri i Xhehenemit. Këto ai i ka fituar vetë me veprimet dhe zgjedhjet e veta.
Jeta e kësaj bote është një tregti, kapitali i së cilës është jetëgjatësia e njeriut. Ndërsa këto janë fitimi që njeriu e ka arritur ose humbja që ai e ka pësuar. (Shih gjithashtu: el-Bekara, 2:286.)
Burimi: Komision, Kur’an Yolu, bot. Diyanet, Stamboll 2023, vëll. I, f. 75-77.
Nga turqishtja: Rehan Neziri

