ALI PAJAZITI NË KRYE TË SOCIOLOGJISË NË RMV: DËSHMI E EKSELENCËS AKADEMIKE TË UEJL-SË
Platforma ARBU (The Academic Ranking of Balkan Universities) ka publikuar së fundmi rezultatet e rangimit gjithëpërfshirës akademik për rajonin e Ballkanit.
Ky projekt bën vlerësimin dhe rënditjen e hulumtuesve shkencorë dhe të universiteteve bazuar në kriterin e performancës dhe numrit të citimeve të tyre.
Sipas këtyre të dhënave, prof. dr. Ali Pajaziti, anëtar i stafit akademik në Fakultetin e Shkencave Shoqërore Bashkëkohore (FShShB) të UEJL-së, është ranguar i pari në fushën e sociologjisë në vendin tonë, duke u konfirmuar si sociologu më i cituar në Maqedoninë e Veriut.
Suksesi bëhet edhe më i spikatur kur merret parasysh fakti se në universitetin më të vjetër të Maqedonisë (Shën Cirili dhe Metodi) kjo disiplinë ligjërohet nga 1964 kur është hapur grupi studimor për sociologji dhe është themeluar Instituti i Sociologjisë.
Këto të dhëna numerike flasin për pasionin dhe ritmin me të cilin punohet në një nga universitetet më prestigjioz shqiptare. Edhe më mbresëlënës është fakti se në UEJL nuk ka departament të sociologjisë.
Për më tepër se dy dekada e gjysëm veprimtari, FShShB ka arritur të bëhet vatër dhe zë i sociologjisë publike, moderne, që i ndjek trendet vendore dhe globale, me mësimdhënie, me një diskurs interpretativ-opinionformues edhe me një segment të dalluar dhe të lartë shkencor që duket qartë edhe në metrikat e platformave rajonale dhe botërore që i peshojnë performancat akademike.
Fushat kryesore të hulumtimit dhe të lëvrimit të tij janë:
- Sociologjia e fesë
- Sociologjia e kulturës
- Sociologjia e arsimit
- Sociologjia politike
- Identiteti dhe multikulturalizmi
- Studimet mbi migracionin dhe diasporën
- Shoqëria digjitale
- Studimet ballkanike
- Sociologjia islame
- Teoria sociale
Një veçori dalluese e sociologjisë së Pajazitit është përpjekja e saj për të ndërtuar ura ndërmjet teorisë klasike sociologjike dhe realiteteve bashkëkohore të Ballkanit, veçanërisht përmes shqyrtimit të fesë, identitetit dhe kulturës në kontekstin e globalizimit dhe transformimit pas-socialist. Puna e tij shpesh e ndërthur sociologjinë interpretuese weberiane me analizën civilizuese, duke e bërë atë veçanërisht të rëndësishme për t’i kuptuar shoqëritë multikulturore në Evropën Juglindore.
Një pikë kthese dhe arritje kulmore në karrierën e tij është botimi i "Fjalorit të sociologjisë". Kjo vepër i dha një shtysë të jashtëzakonshme infrastrukturore sistemit arsimor në rajon, duke krijuar një përmbledhje gjithëpërfshirëse dhe të standardizuar të koncepteve sociologjike në gjuhën shqipe, gjë që u erdhi në ndihmë të madhe studentëve, kërkuesve shkencorë dhe gazetarëve tanë.
Përmes Sociologjisë së Islamit I, II, III Pajaziti e thyen monopolin historik të teorisë sociologjike eurocentrike në universitetet e rajonit. Ai u prezanton studentëve perspektiva krahasuese globale (siç janë qasjet nga Azia Juglindore, Afrika dhe Lindja e Mesme). Në vend që t'i qaset Islamit përmes një prizmi thjesht teologjik apo politik, kjo vepër e analizon atë rreptësisht përmes kornizave shkencore, socio-historike dhe ekonomike. Ajo ofron një vështrim objektiv se si një fe e madhe globale i formëson sistemet shoqërore njerëzore — dhe formësohet prej tyre.

