Dr. Ismail Karagöz

 

Hyrje

I Lartësuari Allah i vlerëson njerëzit sipas besimit, adhurimit, devotshmërisë, veprave të mira, moralit të bukur dhe bindjes së tyre, ashtu siç i gjykon edhe sipas mohimit, politeizmit, hipokrizisë, padrejtësisë, mëkatit dhe sjelljeve të këqija të tyre. Ai nuk i vlerëson ata sipas pasurisë, racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, prejardhjes, ndërtimit fizik apo faktit nëse janë të shëndetshëm apo me aftësi të kufizuara. Këtë të vërtetë e pohon fjala e Allahut të Madhëruar: “Më fisniku ndër ju, te Allahu, është ai që është më i devotshmi.” (el-Huxhurat, 49:13). Po ashtu, Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Allahu nuk shikon pamjet tuaja dhe as pasuritë tuaja, por shikon zemrat tuaja (besimin apo mohimin që mbartin) dhe veprat tuaja.”(Muslimi, el-Birr, 32).

Ajetet me kuptimin “Ne, me të vërtetë, e kemi krijuar njeriun në formën më të bukur.” (et-Tin, 95:4), “Allahu ju dha formë dhe e bëri formën tuaj më të bukur.” (et-Tegabun, 64:3), dhe “Pastaj e përsosi krijimin e njeriut dhe i fryu nga shpirti i Tij; për ju krijoi dëgjimin, shikimin dhe mendjen.” (es-Sexhde, 32:9) shprehin se Allahu xh.sh. i ka krijuar njerëzit në mënyrën më të bukur dhe më të përsosur.

Kjo botë, që është si një shtëpi mysafirësh, është vend sprove. Njerëzit, të cilët në këtë botë sprovohen me besimin, fjalët, veprat dhe sjelljet e tyre, mund të përballen me ngjarje të mira ose të këqija, të ëmbla ose të hidhura; ka ditë kur gëzohen dhe ditë kur trishtohen, ditë kur qeshin dhe ditë kur qajnë. Nganjëherë sprovohen me begati, e nganjëherë me vështirësi të ndryshme. Është diçka e natyrshme që kudo ku ka njeri, të ketë edhe sëmundje, derte, vështirësi e fatkeqësi. Ndoshta perla e vërtetë e durimit dhe e qëndrueshmërisë së njeriut shfaqet vetëm pas këtyre sprovave e përjetimeve. Siç thuhet në një fjalë të urtë: “Ari njihet në zjarr, njeriu njihet në mundim (në çastin e vështirësisë).”

Të gjithë ne, në çdo çast, jemi përballë një sprove. Ashtu siç kemi ditë të shëndetshme e të qeta, do të kemi edhe ditë të vështira e të lodhshme. Pa dyshim, tek disa njerëz vështirësitë mund të jenë më të mëdha dhe mund të zgjasin gjatë gjithë jetës. Sprovat që i vijnë njeriut ndonjëherë janë pasojë e pakujdesisë apo gabimeve të tij vetjake, ndërsa herë të tjera ndodhin pa asnjë faj apo neglizhencë prej tij - si në rastet e aksidenteve rrugore, të cilat ndodhin për shkak të njerëzve të papërgjegjshëm, të pasjellshëm dhe që nuk i respektojnë rregullat.

 

Nga turqishtja: Rehan Neziri

 

Lexo broshurën në PDF