Vepra E ardhmja e fesë e psikologut të njohur të religjionit Ali Köse paraqet një studim të faktuar me të dhëna empirike lidhur me statusin aktual-futurist të një fenomeni të mistershëm dhe shumëpërmasor, që prek shumë aspekte të jetës njerëzore individuale dhe shoqërore; që ekzistencës i jep një ngjyrë dhe kuptim të veçantë. Sado që supozohet se ndikimi i kësaj dukuri po dobësohet si pasojë kalimit nga faza e “kthimit të së shenjtës” që nisi me rënien e komunizmit (fillimvitet 1990) në atë të shekullit XXI, që disa e quajnë post-metafizike ose post-teologjike, ajo është aktive, e gjallë, ende frymëzon turma. Feja është një vlerë planetare që ka mbijetuar kundërshtarët e vet më të mëdhenj, modernizmin, shekullarizimin, dhe përmendet si fuqi relevante nga jeta individuale, bashkësinore, shoqërore, deri te ajo globale apo e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Libri që e keni para jep një pasqyrë të sfidave me të cilat përballet feja sot, duke ofruar një sërë profecish akademike e të spektrumeve të ndryshme në lidhje me të ardhmen e saj. Hipoteza e shkencizmit është se shkenca e ka bërë fenë të panevojshme, se në saje të potencës racionale për të ndërtuar një rend botëror antropocentrik, të shkëputur nga fuqitë mbinatyrore, “të çmagjepsur”, se në mileniumin e tretë njeriu do t’i kthehet vetes dhe nuk do të merret me qiellin. Ndërkohë gjetjet, siç shprehet Grace Davie, mësojnë se besimi fetar është vital, por përkatësia ndaj fesë institucionale (korporative) po dobësohet; besimi që dikur ishte punë bashkësie, tani perceptohet si preferencë personale. Trendi ose prirja gjithandej është privatizimi apo personalizimi i fesë. Secili e jeton fene sipas botekuptimit te vet të ri, të sintetizuar edhe me elemente nga fe e kultura të tjera (meditim, reinkarnim, astrologji, energji universale), larg fetarisë tradicionale-konvencionale të asaj që i takonte dikur familja. Madje disa autorë flasin edhe për besimin “zgjidh sipas dëshirës” (A la Carte).
Sot, në kohën e secular surge (ngritjes sekulare) humanizmi i thotë njeriut: “Ji vetvetja!” dhe “Thjesht, bëje!” (Just do it!), duke e zvogëluar çdo ditë në mënyrë eksponenciale numrin e atyre që duan të rikthejnë “mbretërinë e besimit”. Optimistët që dikur thonin “hapësira po risakralizohet”, se shoqëria po deshekularizohet, po duket se ua braktisin skenën analistëve defetistë të fesë që pohojnë se shumica e popullsisë po përvetësojnë qëllimet laike, duke krijuar “shoqëri të pas-fesë”, se i vetmi “arsenal” i kampit fetar është ndjesia se Zoti është në anën e tyre dhe se do të fitojnë shpërblimin maksimal në botën tjetër.
Përderisa brezat e mëparshëm përdornin terma si “respekt”, “etikë pune”, “vlera”, “parime morale”, “traditë”, brezi i ri përdor më shumë fjalë si “teknologji”, “muzikë”, “kulturë popullore”, “liri”, “tolerancë”, “më inteligjent”, “veshje”. Brezi i ri mendon se feja "është pengesë para dëshirave, kënaqësive dhe aspiratave, andaj po deizohet, agnosticiozohet.
Është kjo koha e tregut të fesë, e cunamit të sekteve, shurdhësisë ndaj fesë (Weber), ateizmit digjital, e “fesë së dataizmit” (fesë së të dhënave), e tekno-feve që mund ta pushtojnë botën me një premtim shpëtimi të bazuar në algoritme dhe gjene, “e inteligjencës artificiale” (si “Way of the Future” [Rrugë e së Ardhmes]). Në kohën kur feja jep pamjen e një mbreti pa shtet, që në të vërtetë nuk sundon mbi asgjë, guru-të e teknologjisë po tharmojnë një fe të re, të guximshme dhe pa zot, të orientuar nga teknologjia, që ndërveprimin që dikur sillej rreth fesë e kanë kaluar te rrjetet sociale që disa i quajnë “agora ateiste”.
Si përfundim mund të thuhet se fryma e kohës tregon se fetë, cila më pak e cila më tepër, janë në defanzivë - individët fetarë dhe feja po fillojnë të shihen si të “tjerë”, duke u periferizuar - andaj duhet të rikuperohen, duhet të gjejnë metoda të reja për të tërhequr njeriun e ri të periudhës së Revolucionit të Dytë Kognitiv që ka pretendime për t’u bërë “Homo Deus” (Njeri-Zot) dhe për të jetuar në një shoqëri të “pas fesë”. Në kohët e lashta njerëzit e mësonin fenë pa pasur nevojë të arsyetonin. “Fakti që një doktrinë ishte joracionale, nuk e bënte atë të kontestueshme.” Sot konteksti ka ndryshuar radikalisht, edhe në familjet fetarisht të fuqishme, shtrohen pyetje sfiduese, dikur të “paimagjinueshme”. Qasja e recipientëve është shumë më ekzaminuese, më proaktive, me shumë racionalitet e pragmatizëm funksional. S’ka më “qepe”, Si mund të shtrohësh kësifarë pyetjeje?”, “Ne po e ndjekim rrugën në të cilën i kemi gjetur paraardhësit tanë.” Kultura e mileniumit të tretë e godet fuqishëm emocionalitetin konservator.
Tani feja po përballet me një mendje të re, atë të “gjeneratës Beta” (2025-2039), të IA-së, dhe ajo si subjekt do të duhet të përpiqet t’i imponohet asaj. Ndryshe nga modelet tradicionale ku feja praktikohet fillimisht në objekte fizike, modeli fetar i Beta- është Digital-First, pika e parë e kontaktit me Zotin, dijen dhe komunitetin është ekrani apo display. Pra skena e predikimit po revolucionarizohet, kalon nga tempujt në rrafshin digjital, në Zoom Teams, podcast, në TikTok, Instagram ose mesazhet e drejtpëdrejta (DM). Në epokën e internetit dhe të krizave shpirtërore “kujdesi teologjik digjital", mbështetja shpirtërore, emocionale dhe komunitare janë një segment tjetër i pashmangshëm. Shpërfillja e tendencave teknologjike të kohës e zbeh frymën fetare dhe prezencën e saj në agorën e vlerave
Ky libër e pasuron literaturën e shkencave sociale, në veçanti të sociologjisë së fesë. Mendojmë se kjo vepër duhet të lexohet në veçanti nga qarku i teologëve në mënyrë që të skanojnë kontekstin e fetarisë në periudhën që Max Scheler do ta kishte quajtur të “përmbysjes së vlerave” (Die Wertumkehrung) dhe kur shënohet fluiditet feje dhe fetarie.
Ali Pajaziti
Ali Köse
E ardhmja e fesë (Dinin Geleceği)
Nga turqishtja: Ali Pajaziti
Formati: A5
Faqe: 490
Botoi: Logos-A, Shkup 2026

