Rehan Neziri
INSTRUMENTALIZIMI I FESË
Lexo artikullin në PDF
Feja ka qenë dhe është për miliarda njerëz burim kuptimi, shprese, ngushëllimi dhe orientimi moral. Ajo i ndihmon njerëzit, ndër të tjera, të përballen me vuajtjen, humbjen dhe vdekjen, ka krijuar bashkësi dhe ka frymëzuar vepra të jashtëzakonshme solidariteti. Pikërisht këtu qëndron edhe një paradoks: ajo që mund t’i nxjerrë në pah anët më humane të njeriut, mund të shndërrohet, kur instrumentalizohet, në një mjet jashtëzakonisht të fuqishëm manipulimi.
Keqpërdorimi i fesë fillon aty ku besimi, tekstet e shenjta, simbolet apo autoriteti fetar nuk shërbejnë më për orientimin shpirtëror të njeriut, por përdoren si mjete për arritjen e qëllimeve të tjera: pushtet, kontroll politik, përfitim ekonomik, nënshtrim psikologjik, përjashtim të të tjerëve apo edhe për arsyetim të dhunës.
Prandaj, kur flasim për keqpërdorimin e fesë, është e rëndësishme të bëjmë një dallim themelor: kritika ndaj instrumentalizimit të fesë nuk është kritikë ndaj vetë fesë. Përkundrazi, në një kuptim ajo është edhe mbrojtje e fesë nga ata që përpiqen ta përdorin atë për qëllime që nuk janë fetare.
Pse feja është kaq e fuqishme?
Politika mund të premtojë një shoqëri më të mirë. Shkenca përpiqet ta shpjegojë botën. Filozofia kërkon përgjigje për njeriun dhe ekzistencën. Arti i prek emocionet dhe imagjinatën. Por feja mund t’i përfshijë të gjitha këto dhe të shkojë edhe një hap më tej: ajo i prek pyetjet përfundimtare të ekzistencës: Kush jam? Pse ekzistoj? Çfarë është e mira dhe e keqja? Çfarë kuptimi ka vuajtja? Çfarë ndodh pas vdekjes?
Për besimtarin, përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve nuk janë thjesht teori. Ato e përbëjnë themelin e mënyrës se si ai e kupton veten dhe botën përreth. Pikërisht kjo e bën keqpërdorimin e fesë veçanërisht të ndjeshëm. Manipuluesi nuk e kontrollon vetëm një mendim politik apo një sjellje të caktuar. Ai mund të përpiqet të depërtojë deri te ndërgjegjja e njeriut.
Një pushtet tokësor mund të kërcënojë me humbjen e punës, burgun apo dhunën. Autoriteti fetar i keqpërdorur mund ta shtojë një dimension shumë më të thellë: frikën nga dënimi hyjnor, humbjen e shpëtimit apo vuajtjen përtej kësaj jete. Kështu, një frikë njerëzore dhe ekzistenciale mund të shndërrohet në instrument kontrolli.
Format e instrumentalizimit të fesë
Një nga format më problematike të instrumentalizimit shfaqet kur një individ apo institucion e paraqet vullnetin e vet si vullnet të Zotit. Në politikë mund t’i thuhet një udhëheqësi: “E ke gabim.” Një ligj mund të ndryshohet. Një qeveri mund të zëvendësohet. Një teori shkencore mund të hidhet poshtë kur faktet e reja e kundërshtojnë. Por çfarë ndodh kur një autoritet thotë: “Këtë nuk e kërkoj unë; këtë e kërkon Zoti”? Këtu debati ndryshon rrënjësisht. Kundërshtimi nuk paraqitet më si mospajtim me një njeri, por mund të interpretohet si kundërshtim ndaj vetë së shenjtës. Kritika bëhet mëkat, dyshimi bëhet dobësi e besimit dhe mosbindja mund të paraqitet si rebelim ndaj rendit hyjnor.
Këtu qëndron një prej mekanizmave më të fuqishëm të abuzimit fetar: autoriteti njerëzor fshihet pas autoritetit hyjnor. Dhe pikërisht për këtë arsye, një bashkësi fetare e shëndetshme duhet të jetë në gjendje ta dallojë besimin në Zot nga bindja e pakushtëzuar ndaj njerëzve që pretendojnë se flasin në emër të Tij.
Feja shpesh hyn në jetën e njeriut shumë herët, nëpërmjet familjes, traditës dhe bashkësisë. Ajo lidhet me kujtimet e fëmijërisë, festat, ritualet, lindjen, martesën, vdekjen dhe momentet e krizës. Kjo e bën fenë një hapësirë jashtëzakonisht intime. Nëse pikërisht në këtë hapësirë ndodh manipulimi, pasoja mund të jetë shumë më e thellë se humbja e besimit te një institucion. Njeriu mund ta humbasë besimin te vetja, te bashkësia, madje edhe te mënyra se si deri atëherë e kishte kuptuar botën.
Frika nga Xhehennemi, dënimi, mallkimi apo përjashtimi nga bashkësia mund të përdoret për ta bërë individin të bindur. Ndjenja e fajit mund të kultivohet vazhdimisht. Vendimet për partnerin, profesionin, arsimimin apo mënyrën e jetesës mund të kalojnë gradualisht nga individi te autoriteti i grupit. Në këtë pikë, përulësia - një virtyt në shumë tradita fetare - mund të shtrembërohet në nënshtrim. Sakrifica mund të shndërrohet në vetëshkatërrim. Besnikëria në bindje të verbër. Këtu problemi nuk qëndron te përulësia, te sakrifica apo te besimi, por te personi që i përdor këto nocione për t’i dobësuar kufijtë personalë të tjetrit.
Kur feja hyn në shërbim të pushtetit
Instrumentalizimi i fesë bëhet edhe më i rrezikshëm kur bashkohet me politikën. Një konflikt politik normalisht zhvillohet rreth interesave konkrete: pushtetit, territorit, resurseve, ligjeve apo mënyrës së organizimit të shoqërisë. Për këto çështje, të paktën teorikisht, mund të negociohet. Por nëse konflikti shndërrohet në betejë mes “së mirës absolute” dhe “së keqes absolute”, kompromisi fillon të duket si tradhti.
Kjo është arsyeja pse sundimtarët, lëvizjet politike dhe ideologjitë përgjatë historisë kanë pasur tundimin ta veshin politikën me gjuhën e së shenjtës. Lufta nuk paraqitet më si luftë për territor, por si detyrë e shenjtë. Kundërshtari nuk është më thjesht rival politik, por armik i Zotit. Vdekja për një interes politik mund të paraqitet si martirizim.
Kështu politika fiton një lloj imuniteti moral që normalisht nuk e ka. Kur politika, ideologjia dhe feja shkrihen në njëra-tjetrën, krijohet një kombinim veçanërisht i fuqishëm: politika e siguron aparatin e pushtetit, ideologjia e ofron shpjegimin e botës, ndërsa feja e instrumentalizuar mund t’ia japë këtij pushteti vulën e absolutes. Atëherë udhëheqësi mund të shndërrohet në figurë shpëtimtare, programi politik në dogmë dhe kundërshtari në armik ekzistencial.
Një mekanizëm tjetër është përdorimi i identitetit fetar për krijimin e ndarjeve shoqërore. Një ndër nevojat elementare të njeriut është edhe ndenja e përkatësisë. Feja mund ta plotësojë këtë nevojë në mënyrë pozitive, duke krijuar bashkësi, solidaritet dhe përgjegjësi ndaj tjetrit. Por e njëjta ndjenjë e përkatësisë mund të instrumentalizohet. Atëherë mesazhi nuk është më: “Ne e kemi të përbashkët këtë besim”, por: “Vetëm ne jemi të drejtët.” Prej këtu distanca deri te “të tjerët janë të rrezikshëm” nuk është e madhe.
Kur identiteti fetar bashkohet me nacionalizmin, etninë apo një projekt politik, dallimet fetare mund të përdoren për të prodhuar frikë, armiqësi dhe përjashtim. Një fqinj që deri dje ishte thjesht pjesëtar i një feje tjetër mund të shndërrohet, me anë të propagandës, në kërcënim për kombin, kulturën apo mënyrën e jetesës.
Kjo është një nga shenjat më të qarta të instrumentalizimit: feja nuk përdoret për ta bërë njeriun më të përgjegjshëm ndaj tjetrit, por për t’i dhënë arsye që ta përjashtojë atë.
Format e keqpërdorimit të fesë janë shumë më të gjera. Autoriteti shpirtëror mund të përdoret për përfitime financiare, duke u premtuar njerëzve shërim, shpëtim apo begati në këmbim të parave. Institucionet fetare mund të tundohen ta mbrojnë reputacionin e tyre duke fshehur krime ose duke i mbrojtur autoritetet e veta në vend të viktimave.
Po ashtu, interpretimi dogmatik mund të përdoret për t’i refuzuar njohuritë shkencore ose trajtimet mjekësore. Edukimi fetar mund të kalojë nga transmetimi i besimit në indoktrinim, nëse fëmijës nuk i lihet hapësirë për pyetje, dyshim dhe zhvillim të mendimit kritik.
Në të gjitha këto raste ndryshojnë metodat, por parimi mbetet i njëjtë: diçka që gëzon besim të jashtëzakonshëm, pra feja, përdoret për një qëllim tjetër.
Historia tregon qartë se edhe politika, nacionalizmi, ideologjitë, filozofia, shkenca, arsimi, arti dhe sporti mund të instrumentalizohen.
Sporti mund ta shfrytëzojë e ta shpërdorojë nevojën njerëzore për përkatësi. Propaganda mund ta përdorë artin për ta lavdëruar pushtetin. Arsimi mund të shndërrohet në indoktrinim. Shkenca mund të keqpërdoret për t’u dhënë petk “objektiv” paragjykimeve politike. Ideologjia mund të kërkojë bindje po aq fanatike sa një sekt.
Në këtë kuptim, problemi është më i gjerë se feja: është aftësia njerëzore për ta shndërruar një burim kuptimi, dijeje apo bashkësie në instrument pushteti.
Megjithatë, feja ka një veçori dalluese: ajo mund t’i bashkojë në të njëjtën kohë identitetin, moralin, bashkësinë, frikën nga vdekja dhe shpresën për atë që ndodh përtej saj. Kjo i jep instrumentalizimit fetar një thellësi të veçantë psikologjike.
Qëndrimi i Islamit ndaj instrumentalizimit të fesë
Nga këndvështrimi islam, instrumentalizimi i fesë për interesa personale, politike apo materiale bie ndesh me vetë parimet mbi të cilat duhet të mbështetet besimi. Kur’ani e kritikon shprehimisht përdorimin e shpalljes për përfitime të kësaj bote: “Ata i këmbyen argumentet e Allahut për një çmim të vogël…” (et-Teube, 9:9). Kjo kritikë e prek pikërisht një nga format themelore të instrumentalizimit: përdorimin e autoritetit të së shenjtës për interesa që nuk burojnë nga vetë e shenjta, nga vetë feja.
Në Islam, autoriteti fetar nuk duhet ta vendosë interesin e individit, grupit apo pushtetit mbi drejtësinë. Kur’ani kërkon që besimtari të qëndrojë i palëkundur në drejtësi, madje edhe kur kjo është kundër interesit të tij, familjes apo njerëzve të afërt: “Qëndroni të palëkundur në drejtësi…” (en-Nisa, 4:135). Kjo krijon një kriter të rëndësishëm: një veprim nuk bëhet i drejtë vetëm sepse kryhet në emër të fesë. Përkundrazi, edhe ai që flet në emër të fesë mbetet i detyruar nga drejtësia.
Po aq domethënës është parimi kur’anor: “Nuk ka detyrim në fe” (el-Bekare, 2:256). Besimi, në kuptimin e tij të mirëfilltë, nuk mund të prodhohet me dhunë apo imponim. Kështu, përdorimi i frikës, i presionit ose i pushtetit për ta kontrolluar ndërgjegjen e njeriut krijon një tension themelor me natyrën e besimit si bindje e brendshme.
Kur’ani e dënon gjithashtu përvetësimin e pasurisë në mënyrë të padrejtë dhe përdorimin e autoriteteve për përfitime të paligjshme (el-Bekara, 2:188). Kjo është relevante edhe për abuzimin ekonomik me fenë: autoriteti shpirtëror nuk e legjitimon shfrytëzimin financiar të besimtarëve.
Nga këto parime del një dallim thelbësor: në Islam, e shenjta nuk duhet të vihet në shërbim të interesit; interesi dhe pushteti duhet t’i nënshtrohen kërkesës për drejtësi dhe përgjegjësi morale. Kur një politikan e përdor fenë për ta shenjtëruar pushtetin e vet, kur një predikues e përdor frikën fetare për t’i kontrolluar njerëzit, apo kur dikush e përdor autoritetin fetar për pasuri dhe privilegje, problemi nuk është vetëm keqpërdorimi i njerëzve, por edhe keqpërdorimi i vetë besimit dhe fesë.
Prandaj, nga perspektiva islame, kritika ndaj instrumentalizimit të fesë nuk duhet parë domosdoshmërisht si kritikë ndaj Islamit. Ajo është pikërisht e kundërta: përpjekje për ta mbrojtur fenë nga shndërrimi i saj në instrument të pushtetit, interesit dhe manipulimit njerëzor.
Edhe ateizmi mund të instrumentalizohet
Kjo bëhet veçanërisht e qartë kur e shohim shembullin e kundërt. Nëse problemi do të ishte thjesht ekzistenca e fesë, atëherë shoqëritë që e eliminuan fenë me forcë duhej të ishin çliruar edhe nga dogmatizmi. Historia e shekullit XX tregon se nuk ndodhi kështu.
Në regjime të ndryshme totalitare komuniste, përfshirë Shqipërinë e Enver Hoxhës, ateizmi shtetëror u përdor për ta shtypur lirinë fetare dhe për të eliminuar autoritete që mund të konkurronin me shtetin. Institucionet fetare u mbyllën, hoxhallarët dhe priftërinjtë u persekutuan dhe besimi privat u trajtua si kërcënim politik.
Paradoksi është shumë domethënës: duke e luftuar fenë, sistemet e këtilla morën vetë disa tipare të strukturave dogmatike. U krijua kulti i udhëheqësit, tekstet ideologjike morën status pothuajse të paprekshëm, ndërsa kundërshtari u trajtua si heretik ose apostat politik.
Kjo na çon te një përfundim më i gjerë: rreziku themelor nuk është besimi fetar, por pretendimi njerëzor për ta zotëruar një të vërtetë absolute që ia jep të drejtën ta kontrollojë ndërgjegjen e të tjerëve.
Pra, edhe një ideologji jofetare mund të sillet si fe politike kur nuk pranon kritikë, kur krijon të vërteta të paprekshme dhe kur kërkon bindje totale.
Mbrojtja e fesë nga instrumentalizimi
Mund të duket paradoksale, por një nga mënyrat më të mira për ta mbrojtur fenë nga keqpërdorimi është lejimi i pyetjeve rreth saj ose, më mirë thënë, rreth interpretimeve të saj. Kur një institucion, udhëheqës apo interpretim fetar vendoset përtej çdo kritike, krijohet terreni ku abuzimi mund të fshihet më lehtë.
Kritika, por jo nënçmimi, ndaj një kleriku nuk është domosdoshmërisht sulm ndaj fesë. Hetimi i një institucioni nuk është persekutim i besimtarëve. Kundërshtimi i një interpretimi nuk është domosdoshmërisht mohim i së shenjtës. Përkundrazi, dallimi mes këtyre niveleve është kusht për një jetë fetare të shëndetshme.
Një besim që mund të ekzistojë vetëm duke i ndaluar pyetjet, bëhet i varur nga frika. Një besim që mund të përballet me pyetjen, kritikën dhe lirinë e ndërgjegjes, ka shumë më pak nevojë për detyrim.
Në fund, diskutimi mbi keqpërdorimin e fesë na çon përtej fesë. Njeriu mund të absolutizojë pothuajse gjithçka: kombin, racën, klasën, partinë, udhëheqësin, tregun, shkencën, ideologjinë, madje edhe kundërshtimin ndaj fesë ose ndaj një feje të caktuar. Rreziku lind kur njëra prej tyre shpallet aq absolute sa individit nuk i mbetet më e drejta për të pyetur, për të dyshuar dhe për të thënë “jo”.
Por instrumentalizimi i fesë mbetet veçanërisht i fuqishëm sepse e prek atë që për shumë njerëz është më intime se politika dhe më e thellë se ideologjia: marrëdhënien me kuptimin e jetës, me ndërgjegjen dhe me të shenjtën.
Prandaj përgjigjja ndaj keqpërdorimit të fesë nuk duhet të jetë lufta kundër fesë. Një luftë e tillë mund të përfundojë duke e përsëritur të njëjtin gabim në drejtim të kundërt.
Përgjigjja është kufizimi i pushtetit mbi ndërgjegjen. Një shoqëri e lirë duhet ta mbrojë besimtarin nga detyrimi për të hequr dorë nga besimi dhe jobesimtarin nga detyrimi për të besuar. Duhet ta mbrojë qytetarin nga politikani që kërkon ta shenjtërojë pushtetin e vet, por edhe besimtarin nga autoriteti fetar që përpiqet ta paraqesë interesin e vet si urdhër hyjnor.
Sepse kufiri vendimtar nuk kalon gjithmonë mes fesë dhe jofesë. Ai kalon mes besimit dhe manipulimit, bindjes dhe detyrimit, autoritetit dhe abuzimit me autoritetin, lirisë së ndërgjegjes dhe pushtetit mbi ndërgjegjen.
Dhe ndoshta pikërisht këtu duhet kërkuar kriteri më i thjeshtë: aty ku e shenjta përdoret për t’ia marrë njeriut lirinë, dinjitetin dhe përgjegjësinë personale, nuk kemi më vetëm çështje besimi. Kemi çështje manipulimi, keqpërdorimi dhe instrumentalimi.
Përmbyllje
Çfarë ndodh kur besimi fetar, në vend që të jetë burim shprese, kuptimi dhe orientimi, shndërrohet në instrument pushteti? Pikërisht fuqia e madhe shpirtërore e fesë mund ta bëjë atë objekt të manipulimit politik, ideologjik, psikologjik dhe ekonomik. Artikulli i shqyrton mekanizmat e këtij keqpërdorimi, nga kontrolli përmes frikës dhe autoritetit hyjnor deri te ndërthurja e fesë me politikën dhe ideologjinë. Përmes krahasimit edhe me instrumentalizimin e ateizmit, ngrihet një pyetje më e gjerë: A është problemi vetë feja, apo prirja njerëzore për ta shpallur një të vërtetë absolute dhe përmes saj të sundojë mbi të tjerët? Në qendër mbetet një kufi vendimtar: ai mes besimit dhe manipulimit, lirisë së ndërgjegjes dhe pushtetit mbi të.

