Rehan Neziri

 

 

Kur gjithçka shpallet urgjente, asgjë nuk mbetet më prioritare

Reflektim mbi rendin e vlerave në Islam

 

 

Një nga krizat më të heshtura të kohës sonë nuk është mungesa e dijes, as varfëria e mjeteve, por çrregullimi i prioriteteve. Njeriu modern di shumë, vepron shumë, angazhohet pareshtur, por shpesh pa një busull të qartë që t’i tregojë se çfarë duhet të vihet e para, çfarë pas saj, e çfarë, ndonëse e lejueshme, mund të presë.

Një nga pyetjet më të rëndësishme që njeriu duhet t’ia bëjë vetes nuk është: Çfarë po bëj?, por: Çfarë po vë në vend të parë? Sepse jeta nuk gjykohet vetëm nga shumësia e veprave, por nga renditja e tyre. Kur gjithçka shpallet urgjente, asgjë nuk mbetet vërtet prioritare.

Islami e sheh jetën e njeriut si një tërësi të harmonizuar mes trupit, mendjes dhe shpirtit. Çdo prishje e këtij ekuilibri prodhon shtrembërim, edhe nëse synimet duken të mira. Prandaj Kur’ani na kujton: “Zoti ynë, Ti nuk e ke krijuar këtë kot.” (Alu Imran, 3:191) 

Islami, si fe dhe si mënyrë jetese, nuk i sheh gjërat të shpërndara në kaos, por të radhitura në një rend kuptimplotë. Ai nuk i barazon veprat, angazhimet dhe qëllimet, por i vlerëson, i peshon dhe i rendit sipas rëndësisë së tyre reale për njeriun, shoqërinë dhe, në fund, për marrëdhënien e tij me Allahun xh.sh..

Në jetën personale, njeriu shpesh bie në grackën e barazimit të veprave. Ai mendon se çdo gjë e mirë është e barabartë me tjetrën, pa e kuptuar se edhe brenda së mirës ka hierarki. Kur’ani e shtron këtë parim me qartësi tronditëse kur pyet: “A janë të barabartë ata që dinë me ata që nuk dinë?” (ez-Zumer, 39:9) Pyetja nuk kërkon përgjigje, sepse vetë jeta e dëshmon se barazia absolute mes veprave dhe njerëzve është iluzion moral.

 

Jeta si zgjedhje dhe përgjegjësi

Në jetën e përditshme secili prej nesh, me vetëdije apo pa të, ndërton një listë prioritetesh: shëndetin, punën, familjen, arsimin, argëtimin, fenë, angazhimin shoqëror. Problemi nuk qëndron te ekzistenca e këtyre fushave, por te renditja e tyre.

Nga këndvështrimi islam, prioritet do të thotë vendosje e çdo gjëje në vendin e vet. Jo gjithçka që është e mirë është domosdoshmërisht më e mira në çdo kohë. Këtë e shohim qartë në Kur’an, kur Allahu xh.sh. i vë përballë disa vepra që, në pamje të parë, duken të barabarta, por në peshoren hyjnore nuk janë: A mos e konsideruat dhënien e ujit haxhinjve dhe kujdestarinë ndaj xhamisë së shenjtë, si besimin e atij që i besoi Allahut dhe Ditës së Fundit dhe që luftoi në rrugën e Allahut? Jo, ato nuk janë të barabarta te Allahu. (Et-Teube, 9:19)

Ky ajet nuk e nënvlerëson shërbimin fetar, por e vendos atë në hierarkinë e duhur, duke treguar se forma fetare pa thelb moral dhe besim aktiv nuk mjafton.

 

Kur humbet baraspesha

Në shoqëritë tona bashkëkohore, çrregullimi i prioriteteve shfaqet në forma të ndryshme. Te shumë të rinj, trupi fiton epërsi absolute mbi mendjen dhe shpirtin. Argëtimi vlerësohet më shumë se familja, fama më shumë se dija, ndërsa idhuj bëhen figura kalimtare të ekranit, jo mendimtarët dhe bartësit e vlerave.

Kur’ani na kujton se ky reduktim i njeriut është padrejtësi ndaj vetvetes dhe shoqërisë. As jeta, as koha, as energjia njerëzore nuk janë për t’u shpenzuar kot, pa qëllim dhe pa rend.

Por edhe në rrethet fetare vërehet shpesh humbje e baraspeshës. Njerëz që angazhohen me pasion në çështje dytësore, ndërkohë që e shpërfillin familjen, sjelljen, dijen dhe përgjegjësinë shoqërore. Ndodh që ashpërsia të paraqitet si devotshmëri, ndërsa mençuria të akuzohet si kompromis.

Pejgamberi a.s. e paralajmëroi qartë këtë devijim kur tha: “Janë shkatërruar ata që e kanë tepruar në fe, ekstremistët.”dhe kur i tha një sahabiu, i shqetësuar nga zgjatja e tepruar e namazit nga ana e tij kur Muhammedi a.s. mungonte në xhami: “O njerëz, nga mesi juaj ka të atillë që të tjerët i ftohin nga namazi e feja.” (Buhariu dhe Muslimi)

Feja islame nuk kërkon lodhje të shpirtit, por ndriçim të tij.

 

Mençuria e rendit islam të vlerave

Tradita islame është traditë e ekuilibrit. Ajo dallon mes asaj pa të cilën jeta shkatërrohet (darurijjat), asaj pa të cilën vështirësohet (haxhijjat) dhe asaj që e zbukuron jetën (tahsinijjat). Për këtë arsye, Islami e konsideron mbrojtjen e jetës, mendjes, fesë, familjes, pasurisë dhe dinjitetit si themel të çdo rendi të shëndoshë.

Kur këto prioritete shpërfillen, lindin konflikte dhe padrejtësi. Prandaj parimet profetike këmbëngulin që e keqja të mos largohet me një të keqe më të madhe dhe që dëmi i vogël të tolerohet vetëm për ta shmangur një shkatërrim më të madh.

Në historinë islame, një nga rreziqet më të mëdha ka qenë absolutizimi i formës në dëm të qëllimit. Shembulli i Marrëveshjes së Hudejbijes mbetet model i përjetshëm i mençurisë ruajtjes së rendit të prioriteteve, përparësive: Pejgamberi a.s. pranoi të hiqte dorë nga formulime simbolike të dashura për sahabët, për ta ruajtur paqen, jetën dhe të ardhmen e thirrjes islame. Ishte një mësim i qartë: jo çdo tërheqje është humbje, dhe jo çdo këmbëngulje është fitore.Ishte fitorja e qëllimit mbi formën.

 

Cilësia, jo thjesht sasia

Islami nuk mashtrohet nga numrat. Kur’ani e përmend këtë parim në mënyrë të qartë: “Sa e sa grupe të vogla, me lejen e Allahut, kanë mposhtur grupe të mëdha.” (el-Bekara, 2:249)

Pejgamberi a.s. paralajmëroi se do të vijë një kohë kur muslimanët do të jenë shumë në numër, por pa peshë reale, “si shkuma e ujit”, sepse në zemrat e tyre do të mbizotërojë dashuria për këtë botë dhe frika nga sakrifica. Ky është përkufizimi profetik i një shoqërie që ka humbur prioritetet. Shoqëria e humbet forcën e saj jo kur pakësohet për nga numri, por kur i humb prioritetet morale.

Po ashtu, Islami i jep përparësi dijes para veprës së verbër. Ajeti i parë i shpallur fillon me “Ikre’”, jo si thirrje për memorizim mekanik, por për lexim me kuptim dhe vetëdije. Devotshmëria e shkëputur nga dija ka prodhuar në histori deformime të rënda fetare, nga havarixhët e hershëm deri te ekstremizmat modernë.

 

Feja është lehtësim, e jo barrë

Në thelb, Islami erdhi për ta orientuar jetën, jo për ta bërë atë të padurueshme. Islami nuk e ndërton njeriun mbi barrë, por mbi përballueshmëri. Kur’ani thotë qartë: Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështërsim.” (el-Bekara, 2:185)

Në jetën personale, kjo do të thotë se njeriu nuk matet me sa e vështirë është rruga që e zgjedh, por me sa e drejtë dhe e dobishme është ajo. Përkushtimi që e shkatërron familjen, shëndetin apo mendjen nuk është devotshmëri, por keqkuptim i fesë.

Pejgamberi a.s. e përktheu këtë parim në praktikë kur tha: “Lehtësoni dhe mos vështirësoni, përgëzoni dhe mos mbillni neveri (në punët e fesë)!” (Buhraiu dhe Muslimi)

Kur formalizmi dhe literalizmi e ngushtojnë atë që feja e ka lënë të gjerë, feja e humb funksionin e saj shërues dhe shndërrohet në barrë psikologjike dhe shoqërore.

 

Një mësim për kohën tonë

Njohja dhe respektimi i prioriteteve nuk është luks teorik. Është çështje jetike për individin dhe shoqërinë. Me ndryshimin e kohës, vendit dhe rrethanave, ndryshojnë edhe format e angazhimit, por nevoja për rend, ekuilibër dhe mençuri mbetet e pandryshuar.

Islami nuk na kërkon thjesht të bëjmë vepra të mira. Ai na fton ta bëjmë veprën e duhur, në kohën e duhur, në vendin e duhur dhe me qëllimin e duhur. Vetëm atëherë feja shndërrohet në forcë ndërtuese, e jo në simbol identitar pa shpirt. Vetëm atëherë feja mbetet burim jete, drejtësie dhe shprese - e jo barrë, e as flamur përçarjeje.