Rehan Neziri

 

QYTETI MIDIS QEVERISJES, QYTETARISË, ELITËS MORALE DHE NDIKIMIT TË JASHTËM

 

“Fatin e një qyteti nuk e përcakton vetëm largpamësia dhe aftësia e atyre që qeverisin, por edhe niveli i kulturës dhe i arsimimit të atyre që qeverisen.” (Dücane Cündioğlu)

 

Kjo thënie e mendimtarit turk Dücane Cündioğlu – ku qyteti nënkupton shtetin ose mbarë shoqërinë - shpreh një nga parimet themelore të sociologjisë politike: asnjë shoqëri nuk ndërtohet vetëm nga elitat që qeverisin dhe as nuk degjenerohet e shkatërrohet vetëm nga paaftësia e tyre. Fati i saj përcaktohet nga marrëdhënia e ndërsjellë midis atyre që e ushtrojnë pushtetin dhe atyre që i nënshtrohen ose i japin legjitimitet këtij pushteti. Megjithatë, një analizë më e thellë e proceseve shoqërore tregon se kjo marrëdhënie nuk është dypalëshe. Midis qeveritarëve dhe qytetarëve qëndron një faktor i tretë me rëndësi vendimtare: elita intelektuale, kulturore dhe morale e shoqërisë. Për më tepër, në epokën moderne, sidomos në shoqëritë e vogla dhe në tranzicion, duhet marrë në konsideratë edhe një faktor i katërt: ndikimi i mjedisit ndërkombëtar dhe mbështetja e jashtme politike e institucionale.

Prandaj, fati i një qyteti, i një shteti apo i një kombi mund të kuptohet si rezultat i bashkëveprimit të katër forcave themelore: qeverisjes, qytetarisë, elitës morale dhe kontekstit ndërkombëtar.

 

Qeverisësit dhe përgjegjësia institucionale

Në çdo shoqëri, politikanët dhe qeverisësit e mbajnë përgjegjësinë kryesore për ndërtimin dhe funksionimin e institucioneve. Ata i hartojnë ligjet, i administrojnë burimet publike dhe e përcaktojnë drejtimin strategjik të shtetit. Kur elitat politike karakterizohen nga integriteti, kompetenca, transparenca dhe vizioni afatgjatë, ato krijojnë institucione të qëndrueshme, zhvillim ekonomik dhe (mirë)besim publik.

Por kur pushteti shndërrohet në instrument përfitimi personal, kur administrata mbushet me klientelizëm, kur dominojnë korrupsioni e nepotizmi dhe kur ligji zbatohet në mënyrë selektive, fillon erozioni i shtetit. Në këto rrethana, qytetarët e humbasin besimin në institucionet dhe demokracia rrezikon të reduktohet në një procedurë formale pa përmbajtje reale.

Megjithatë, edhe pse përgjegjësia e qeveritarëve është më e madhe, ata nuk veprojnë në një vakuum shoqëror.

 

Qytetarët dhe kultura politike

Demokracia nuk nënkupton vetëm të drejtën për të votuar, por edhe aftësinë për të gjykuar. Cilësia e qeverisjes varet në masë të madhe nga cilësia e kulturës politike të qytetarëve.

Një shoqëri që e konsideron korrupsionin si mjet normal për t’i zgjidhur problemet, që e vendos interesin familjar, klanor ose partiak mbi interesin publik, ose që e sheh shtetin si burim privilegjesh dhe jo si institucion të përbashkët, rrezikon t’i prodhojë vazhdimisht të njëjtat modele qeverisjeje.

Në këtë kuptim, politikanët shpesh janë pasqyra e kulturës politike që ekziston në shoqëri. Një demokraci e fortë nuk mund të mbështetet mbi qytetarë politikisht pasivë, të painformuar ose të gatshëm ta tolerojnë padrejtësinë për interesa afatshkurtra.

Por pyetja sociologjike shtrohet menjëherë: kush e formëson këtë kulturë politike?

 

Elita intelektuale si ndërgjegjja e shoqërisë

Pikërisht këtu shfaqet faktori i tretë: elita intelektuale, kulturore dhe morale.

Intelektualët, akademikët, mësuesit, gazetarët, shkrimtarët, artistët dhe udhëheqësit fetarë nuk qeverisin drejtpërdrejt, por ata ndikojnë në mënyrën se si shoqëria mendon. Ata i formësojnë konceptet e drejtësisë, përgjegjësisë, dinjitetit dhe interesit publik.

Mendimtarë bashkëkohorë si Weber, Gramsci, Bourdieu etj. e konsiderojë elitën intelektuale si faktor kyç në krijimin e kulturës dominuese të një shoqërie dhe e theksojnë rëndësinë e kapitalit kulturor në riprodhimin ose transformimin e strukturave shoqërore. Në të dy rastet, mesazhi është i qartë: pushteti politik nuk mund të kuptohet pa kulturën që e mbështet atë.

Nëse intelektualët heshtin përballë padrejtësive, nëse artistët e zëvendësojnë kritikën me konformizmin, nëse mediat e fshehin ose e shtrembërojnë të vërtetën për interesa politike ose ekonomike, dhe nëse autoritetet fetare e kufizojnë rolin e tyre vetëm në kryerjen e ritualeve duke e shmangur përgjegjësinë morale ndaj jetës publike, atëherë shoqëria e humbet mekanizmin e saj të vetëkorrigjimit.

Në anën tjetër, kur këto elita e kryejnë misionin e tyre, ato bëhen ndërgjegjja kritike e kombit. Ato i edukojnë qytetarët, i kërkojnë llogari pushtetit dhe krijojnë një kulturë që e favorizon meritën, drejtësinë dhe përgjegjësinë.

 

Faktori i katërt: ndikimi ndërkombëtar

Në rastin e shoqërive të vogla ose të dala nga periudha të gjata tranzicioni, ekziston edhe një faktor i katërt që nuk mund të injorohet: mjedisi ndërkombëtar.

Historia moderne e Ballkanit, por edhe e shumë vendeve të tjera, tregon se proceset e demokratizimit dhe të ndërtimit institucional shpesh janë ndihmuar nga faktorë të jashtëm. Perspektiva e integrimit europian, bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbështetja e organizatave ndërkombëtare kanë luajtur rol të rëndësishëm në forcimin e institucioneve, reformimin e administratës dhe promovimin e standardeve demokratike.

Në rastin shqiptar, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, ndikimi euro-atlantik ka qenë një nga faktorët më të rëndësishëm të stabilitetit politik dhe institucional gjatë dekadave të fundit. Angazhimi për integrim në strukturat perëndimore krijon presion për reforma, kërkon vendosjen e standardeve dhe ofron mbështetje për ndërtimin e institucioneve moderne.

Megjithatë, ndikimi i jashtëm i ka kufijtë e tij.

Asnjë organizatë ndërkombëtare nuk mund të prodhojë ndershmëri publike. Asnjë ambasadë nuk mund të krijojë vetëdije qytetare. Asnjë proces integrimi nuk mund ta zëvendësojë përgjegjësinë morale të elitave vendore.

Mbështetja e jashtme mund të ndihmojë në krijimin e kornizës institucionale, por përmbajtjen e saj duhet ta ndërtojë vetë shoqëria.

 

Dilema shqiptare dhe ballkanike

Një pjesë e madhe e shoqërive ballkanike duket sikur janë bllokuar pikërisht në ndërthurjen problematike të këtyre katër faktorëve.

Politika shpesh karakterizohet nga polarizimi dhe klientelizmi. Kultura qytetare mbetet e brishtë dhe e ndikuar nga lidhjet personale, grupore, krahinore ose partiake. Një pjesë e elitës intelektuale dhe morale shpesh e ka humbur pavarësinë kritike përballë pushtetit. Ndërkohë, mbështetja ndërkombëtare, ndonëse e rëndësishme, nuk ka arritur gjithmonë ta prodhojë transformimin e nevojshëm që e kërkon ndërtimi i një shteti funksional.

Kjo krijon një situatë ku secili faktor ndryshimin e pret nga tjetri: qytetarët presin politikanë më të mirë, politikanët e fajësojnë kulturën qytetare, intelektualët ankohen për mungesën e hapësirës publike, ndërsa partnerët ndërkombëtarë kërkojnë reforma që shpesh nuk mbështeten nga energjia e nevojshme e brendshme.

 

Perspektiva islame mbi qeverisjen dhe përgjegjësinë shoqërore

Analiza sociologjike e marrëdhënies midis qeverisësve dhe qytetarëve gjen një jehonë interesante edhe në traditën islame. Në literaturën klasike muslimane është përcjellë shpesh thënia: „Ashtu siç jeni, ashtu do të qeveriseni.“

Pavarësisht diskutimeve rreth statusit të saj nëse është hadith apo jo, kjo thënie shpreh një ide të afërt me sociologjinë moderne: qeverisja nuk është krejtësisht e shkëputur nga karakteri moral dhe kultura e shoqërisë. Elitat politike nuk lindin në boshllëk, por formohen brenda një mjedisi kulturor që ndikon në vlerat, pritshmëritë dhe sjelljet e tyre. Në këtë kuptim, cilësia e qeverisjes shpesh e pasqyron, të paktën pjesërisht, cilësinë morale dhe qytetare të vetë shoqërisë.

Në të njëjtën kohë, Islami nuk e redukton përgjegjësinë vetëm te qytetarët. Pejgamberi a.s. e konsideroi kompetencën dhe meritën si kushte themelore të ushtrimit të pushtetit. Në një hadith të njohur ai tha: „Kur të humbet amaneti, prite Kijametin (‘fundin e botës’).“ U pyet: „Si humbet amaneti, o i Dërguar i Zotit?“ Ai tha: „Kur çështjet publike t’u besohen atyre që nuk janë të denjë (kompetentë) për to.“ (Buhariu)

Kjo thënie e vendos në qendër parimin e meritokracisë dhe të përgjegjësisë publike. Pushteti nuk duhet t’u besohet atyre që e kërkojnë për përfitim personal, por atyre që e zotërojnë integritetin, dijen dhe aftësinë për ta ushtruar atë në dobi të komunitetit.

Kështu, perspektiva islame paraqet një ekuilibër të veçantë: nga njëra anë ia kujton shoqërisë se qeverisja e pasqyron gjendjen morale të saj, ndërsa nga ana tjetër i kërkon asaj që amanetin e udhëheqjes ta vendosë në duart e njerëzve më të denjë dhe më kompetentë. Pikërisht në këtë ndërthurje të përgjegjësisë qytetare dhe meritës politike qëndron një nga kushtet themelore për ndërtimin e një shteti të drejtë dhe funksional.

 

Përfundim

Thënia e Dücane Cündioğlu-t mbetet një pikënisje e vyer për ta kuptuar fatin e shoqërive moderne. Megjithatë, në realitetin bashkëkohor ajo mund të zgjerohet më tej: fati i një qyteti nuk përcaktohet vetëm nga cilësia e qeverisësve dhe niveli i qytetarëve, por edhe nga integriteti i elitës intelektuale dhe morale, si dhe nga aftësia për të përfituar në mënyrë të mençur nga mundësitë që i ofron mjedisi ndërkombëtar.

Qeveritarët i ndërtojnë institucionet. Qytetarët u japin atyre legjitimitet. Elitat kulturore dhe morale e formësojnë ndërgjegjen kolektive. Faktori ndërkombëtar – kur janë në pyetje shtetet që konsolidohen nga e para - krijon kushte dhe mundësi zhvillimi.

Por në fund, asnjëri prej këtyre faktorëve nuk mund ta zëvendësojë tjetrin. Një shoqëri përparon vetëm atëherë kur këta të katër veprojnë në të njëjtin drejtim. Sepse ligjet mund të importohen, institucionet mund të reformohen dhe mbështetja e jashtme mund të sigurohet; por karakteri qytetar, kultura e përgjegjësisë dhe integriteti moral duhet të ndërtohen nga vetë shoqëria.

 

 

Kreuzlingen, 02.06.2026