Rehan Neziri
SUNNETI DHE SHOQËRIA MODERNE:
PROBLEM I FESË APO I INTERPRETIMIT?
Një nga debatet më të rëndësishme të Islamit bashkëkohor ka të bëjë me pyetjen nëse Islami është në kundërvënie me modernitetin apo nëse ky antagonizëm lind nga mënyra se si Islami interpretohet dhe jetohet në rrethana të ndryshme historike. Në diskursin islam haset shpesh një qëndrim konservator sipas të cilit Sunneti i Pejgamberit a.s., e aq më pak Kur’ani fisnik, nuk i përshtatet shoqërisë moderne dhe se besimtari nuk duhet ta synojë përshtatjen me realitetin e kohës, por vetëm arritjen e Xhennetit.
Shkas për këtë artikull u bë citati i një "hoxhe" që i takon një spektri shumë konservator, ku ai thoshte: "E dimë se Sunneti i Pejgamberit a.s. nuk i përshtatet kësaj shoqërie ku jetojmë. Por ne kemi synim Xhennetin e jo t'i përshtatemi kësaj shoqërie."
Në shikim të parë, një qasje e tillë tingëllon thellësisht fetare dhe e devotshme. Megjithatë, ajo prodhon një paradoks: pa dashje, përputhet pjesërisht me pretendimet e islamofobëve, të cilët pohojnë se Islami është i papajtueshëm me botën moderne. Dallimi qëndron vetëm në vlerësim: islamofobët e konsiderojnë këtë si mangësi të Islamit, ndërsa konservatorët si dëshmi të epërsisë së tij. Por pyetja themelore mbetet: a qëndron problemi te vetë Islami apo te mënyra si ai interpretohet?
Shpesh ky perceptim lind nga një krahasim i pabalancuar. Nga njëra anë vendoset një version i idealizuar i Islamit të hershëm, ndërsa nga ana tjetër merren vetëm anët më problematike të modernitetit: konsumizmi, individualizmi ekstrem, relativizmi moral apo fragmentarizimi i familjes. Në këtë mënyrë lihen në hije edhe arritjet e qytetërimit modern, si zhvillimi shkencor, arsimi masiv, sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut dhe mbrojtja e dinjitetit njerëzor. Paradoksalisht, edhe islamofobët e bëjnë të njëjtin gabim, por në drejtim të kundërt: ata i krahasojnë idealet e modernitetit me shembujt më problematikë të botës islame. Në të dyja rastet krijohet një tablo e cunguar e realitetit.
Feja islame, me dy burimet e saj themelore – Kur'anin dhe Sunnetin – nuk është një sistem statik i shkëputur nga historia dhe shoqëria. Përkundrazi, historia e Islamit dëshmon për një aftësi të jashtëzakonshme për t’u jetësuar në kontekste të ndryshme kulturore e qytetëruese. Islami u përhap në Arabi, Persi, Andaluzi, Indi, Ballkan e Afrikë duke marrë forma të ndryshme kulturore pa e humbur identitetin e tij themelor.
Është me rëndësi të theksohet se askush nuk e kërkon ndryshimin e Kur'anit apo të Sunnetit. Këto burime, si tekste, mbeten të pandryshueshme. Ajo që ndryshon dhe duhet të ndryshojë është të kuptuarit dhe zbatimi i tyre në rrethana të reja historike, shoqërore dhe kulturore. Çdo brez muslimanësh është përballur me detyrën për të ndërtuar ura ndërmjet tekstit dhe kontekstit, ndërmjet vlerave të përhershme të shpalljes dhe sfidave të kohës së vet. Pikërisht për këtë arsye u zhvilluan institucionet si ixhtihadi (përpjekja intelektuale e dijetarit musliman për të nxjerrë ose zbatuar norma fetare nga burimet islame në rrethana të reja), usul el-fikhu (metodologjia e interpretimit dhe e nxjerrjes së normave juridike nga Kur'ani dhe Sunneti) dhe teoria e mekasid esh-sheri'ah (teoria islame e qëllimeve dhe objektivave të shpalljes hyjnore).
Feja nuk është një muze historik që ruan forma të ngrira të së kaluarës, por një sistem i gjallë që e ruan identitetin e saj duke u përballur vazhdimisht me sfidat e kohës.
Kur'ani dhe Sunneti përmbajnë mësime universale dhe tejkohore, si besimi (akide), adhurimet (ibadetet) dhe parimet themelore morale (ahlaku). Por ato përmbajnë edhe elemente historike dhe lokale që lidhen me realitetin e Arabisë së shekullit VII. Kjo nuk e zvogëlon karakterin e tyre hyjnor; përkundrazi, dëshmon se shpallja iu drejtua njerëzve konkretë në rrethana konkrete. Brenda këtyre formave historike gjenden vlera universale që mund të aktualizohen në kohë dhe vende të ndryshme.
Historia e hershme islame e dëshmon këtë dinamikë. Vendimi i Omerit r.a. për pezullimin e kategorisë së el-muel-lefetu kulubuhum (atyre që duhet t’u ngrohen zemrat për Islam) në shpërndarjen e zekatit tregon se edhe sahabët nuk e kuptonin tekstin si sistem juridik të ngurtë, por e kërkonin qëllimin që qëndronte pas tij. Kjo logjikë qëndron në themel të mekasid esh-sheri'ah: drejtësia, mëshira, dinjiteti njerëzor dhe e mira e përbashkët.
Një nga dobësitë e qasjeve konservatore është prirja për ta identifikuar pothuajse tërësisht Islamin me mjedisin historik dhe kulturor të Arabisë së shekullit VII. Kështu, elemente të caktuara arabe – të pranishme në kontekstin e Kur'anit, më dukshëm në Sunnet dhe edhe më tepër në traditën e mëvonshme islame – trajtohen si norma universale të vetë fesë. Si pasojë, zbehet dallimi ndërmjet mësimeve thelbësisht fetare dhe formave historike e kulturore nëpërmjet të cilave ato janë shprehur. Universaliteti i Islamit nuk qëndron në arabizimin e popujve, por në aftësinë e vlerave të tij për t’u mishëruar në gjuhë, kultura dhe qytetërime të ndryshme.
Një pasojë e kësaj qasjeje mund të jetë krijimi i tensionit ndërmjet identitetit fetar dhe atij kulturor. Në përpjekje për ta “pastruar” Islamin nga të ashtuquajturat bid’ate (risi apo shtesa njerëzore në fe), shpesh refuzohen si devijime nga “Islami autentik” edhe tradita e forma kulturore që historikisht kanë bashkëjetuar me Islamin. Kështu, ajo që në thelb është dallim kulturor interpretohet si dallim fetar, ndërsa besimtari rrezikon të ndihet i huaj ndaj kulturës dhe shoqërisë së vet.
Jeta nuk ndalet dhe historia nuk pushon së lëvizuri. Prandaj edhe mendimi fetar nuk mund të mbetet i ngrirë në një epokë të vetme historike. Ta ruash ritmin e jetës nuk do të thotë ta ndryshosh fenë, por ta mbash atë të gjallë dhe frymëzuese. Nuk duhet të kemi frikë kinse çdo interpretim i ri nënkupton me automatizëm shtrembërimin dhe humbjen e fesë. Historia e mendimit islam është histori interpretimesh të shumta; ajo që mbetet e pandryshuar janë burimet dhe vlerat e tyre universale, ndërsa ajo që ndryshon është të kuptuarit dhe zbatimi i tyre.
Prandaj, problemi nuk qëndron te Kur'ani dhe Sunneti, por te pretendimi se një interpretim historik i tyre është i vetmi interpretim i vlefshëm për çdo kohë dhe vend. Në këtë kuptim, tradita nuk duhet të kuptohet si ruajtje mekanike e formave të së kaluarës, por si bartje krijuese e frymës së tyre në kohë të reja. Siç shprehet një thënie e njohur:
“Tradita nuk është adhurimi i hirit, por ruajtja dhe bartja e zjarrit.”
Në fund, synimi për Xhennetin dhe përgjegjësia për ndërtimin e kësaj bote nuk janë alternativa që e përjashtojnë njëra-tjetrën. Kur'ani nuk e paraqet Ahiretin si arsye për t’u larguar nga bota, por si motivim për ta ndërtuar atë mbi drejtësi, dije dhe mëshirë.
Besimtari nuk thirret të arratiset, të izolohet e të getoizohet nga shoqëria ku jeton, por të bëhet faktor ndërtues i saj.
Besnikëria ndaj Islamit nuk qëndron në ruajtjen e hirit të formave historike, por në bartjen e zjarrit të vlerave të tij universale në çdo kohë dhe vend.
Kreuzlingen, 13.06.2026

