Ligjëratë për të rinjtë e të rejat

 

 

PËRSE FALEM UNË?

Detyrim fetar apo update jete?

 

Kur e mbush ti baterinë tënde të brendshme? Mes stresit të shkollës, vërshimit të pandërprerë të informacioneve nga telefoni dhe rrëmujës së përditshme, namazi është shumë më tepër sesa thjesht një detyrim fetar. Ai sjell harmoni mes trupit dhe shpirtit, ta mundëson pesë herë në ditë ta kalosh mendjen në „modalitetin e fluturimit“ (flight mode), të gjesh qetësi dhe ta forcosh lidhjen tënde me Allahun t. dhe me bashkësinë e besimtarëve.

 

Nga Rehan Neziri

 

Kur e ke mbushur për herë të fundit baterinë tënde të brendshme?

Të flasim hapur: Sa herë e ke kontrolluar sot telefonin? Po sa herë ke gjetur kohë për veten dhe për Allahun t.?

TikToku, Instagrami, WhatsAppi, shkolla, provimet, shoqëria dhe familja – përditshmëria jonë është e mbushur me mesazhe, pritshmëri dhe gjëra që vazhdimisht na tërheqin vëmendjen. Jemi pothuajse gjithmonë online, gjithmonë të arritshëm dhe, jo rrallë, edhe të stresuar.

Kur bateria e telefonit zbret në dhjetë për qind, menjëherë e kërkojmë karikuesin. Por çfarë ndodh me baterinë tonë të brendshme? Kur gjejmë kohë të qetësohemi, të marrim frymë lirshëm dhe ta mbushim veten me energji të re?

Për shumë të rinj, namazi (salah) nganjëherë duket si një detyrim tjetër në orarin e ngjeshur të ditës. Diçka që duhet ta fusim disi mes shkollës, kohës së lirë dhe angazhimeve të tjera. Mirëpo, pas namazit fshihet shumë më tepër sesa thjesht kryerja e një detyre fetare.

Kur’ani na kujton një të vërtetë themelore: „O njerëz, ju jeni nevojtarë për Allahun, kurse Allahu është i Panevojshmi, i Denji për çdo lavdërim.“ (Fatir, 35:15)

Pra, ta kemi të qartë që në fillim: Allahu nuk ka nevojë për namazin tonë, ne kemi nevojë për të.

Në Islam, namazi është detyrim dhe një nga pesë shtyllat e fesë sonë. Por, njëkohësisht, ai është edhe një dhuratë: një mundësi për ta forcuar lidhjen me Allahun t., për të gjetur mbështetje në përditshmërinë tonë të ngarkuar dhe për t'u ndier më të lidhur me njerëzit përreth.

 

Për ta kuptuar më mirë përse falemi, le ta shohim namazin nga tri këndvështrime.

 

A. ANA FETARE DHE SHPIRTËRORE: LIDHJA IME ME ALLAHUN

Përfytyro sikur të kishe mundësi të flisje në çdo çast me dikë që të njeh plotësisht, që i di shqetësimet e tua dhe që e kupton çfarë po përjeton. Me dikë para të cilit nuk ke nevojë të shtirresh apo të paraqitesh ndryshe nga ç'je.

Pikërisht kjo lidhje e veçantë me Allahun t. qëndron në zemër të namazit.

 

1. Ta njohësh dhe ta adhurosh Krijuesin tënd

A e ke pyetur ndonjëherë veten se nga vjen jeta jote dhe kujt ia detyron gjithçka që ke?

Ne, si muslimanë, besojmë se Allahu t. na ka krijuar dhe na e ka dhuruar jetën. Namazi është një mënyrë e vetëdijshme për ta pranuar dhe shprehur këtë lidhje mes njeriut dhe Krijuesit të tij.

Në Kur’an thuhet: „O njerëz! Adhurojeni Zotin tuaj, i Cili ju ka krijuar juve dhe ata që ishin para jush, që të mund të bëheni të devotshëm!“ (el-Bekare, 2:21)

Kur falemi, ia kujtojmë vetes se nuk jemi në këtë botë pa qëllim. Jeta jonë ka një burim, një kuptim dhe një përgjegjësi.

 

2. Të thuash faleminderit, edhe për gjërat e vogla

Kur dikush na bën një të mirë ose na dhuron diçka, zakonisht e falënderojmë. Por sa shpesh mendojmë për të mirat që i kemi çdo ditë dhe që na duken krejt të zakonshme?

Shëndeti, familja, miqtë e mirë, shtëpia, ushqimi, mundësia për t'u shkolluar apo thjesht fakti që zgjohemi në mëngjes dhe na jepet një ditë e re.

Allahu t. thotë në Kur’an: „Prandaj, adhuroje vetëm Allahun dhe bëhu prej falënderuesve!“ (ez-Zumer, 39:66)

Namazi është një nga mënyrat më të bukura për t'ia shprehur Allahut t. mirënjohjen tonë. Jo vetëm kur gjithçka na shkon mirë, por edhe në ditët krejt të zakonshme.

Një pyetje e vogël për ty: Cilat janë tri gjërat e para që të vijnë ndër mend, për të cilat mund të jesh mirënjohës sot?

 

3. Busulla jote morale

Të gjithë përballemi me situata kur nuk është e lehtë ta bëjmë atë që është e drejtë. A duhet ta them të vërtetën, edhe kur një gënjeshtër do të ishte më e lehtë? A duhet të qesh bashkë me të tjerët kur dikush përqeshet? A duhet t'ia kthej me të njëjtën monedhë dikujt që më provokon?

Namazi mund të na ndihmojë të sillemi më me vetëdije në situata të tilla.

Në Kur’an thuhet: „Vërtet, namazi të largon nga veprat e turpshme dhe të këqija.“ (el-Ankebut, 29:45)

Ai që ndalet rregullisht për të qëndruar para Allahut t., ia kujton vetes se sjellja dhe veprimet e tij kanë rëndësi. Vetëdija se Allahu t. na sheh mund të na nxisë të jemi më të ndershëm, më të respektueshëm dhe më të përgjegjshëm.

Sigurisht, askush nuk bëhet automatikisht i përsosur vetëm pse fal namaz. Por namazi mund të na ndihmojë që, herë pas here, ta drejtojmë sërish busullën tonë të brendshme kah e mira.

 

4. Një lidhje e drejtpërdrejtë me Allahun t.

Nganjëherë kemi gjëra që nuk duam t'ia tregojmë askujt. Shqetësime, frikë, shpresa apo dëshira për të cilat mezi i gjejmë fjalët e duhura.

Para Allahut t. nuk kemi nevojë për fjalë të përsosura dhe as për t'u paraqitur ndryshe nga ç'jemi.

Nëpërmjet lutjes personale (du’asë), mund t'i drejtohemi Atij në çdo kohë, t'ia shprehim dëshirat tona dhe t'i kërkojmë ndihmë.

Allahu t. thotë: „Kur robërit e Mi të pyesin për Mua, Unë jam afër. I përgjigjem lutjes së lutësit kur ai më lutet.“ (el-Bekara, 2:186)

Ky është një nga mesazhet më të bukura të besimit tonë: Ti nuk je vetëm me shqetësimet e tua.

Qoftë para një provimi të vështirë, gjatë një problemi me shokët, në një situatë të rëndë familjare apo në një çast gëzimi të madh, dera e lidhjes me Allahun t. është gjithmonë e hapur.

 

5. Një fillim i ri: Të gabosh dhe të rikthehesh

Askush nuk është i përsosur. Të gjithë bëjmë gabime, ndonjëherë themi fjalë për të cilat më vonë pendohemi ose veprojmë ndryshe nga ç'do të dëshironim.

Namazi na kujton se gjithmonë kemi mundësi të kthehemi tek Allahu t..

Edhe vetë abdesi, pastrimi ritual para namazit, ka një kuptim më të thellë. Ai nuk e pastron vetëm trupin, por e simbolizon edhe pastrimin shpirtëror.

Muhammedi s. ka shpjeguar se, gjatë marrjes së abdesit, mëkatet largohen bashkë me ujin, derisa njeriu del prej tij i pastruar. (Muslimi)

Në një hadith tjetër, ai ka thënë: "Çfarë mendoni, sikur para derës së ndonjërit prej jush të kishte një lumë, në të cilin ai do të lahej pesë herë në ditë, a do t’i mbetej ndonjë papastërti?" Ata iu përgjigjën: "Nuk do t’i mbetej asnjë papastërti."Ai tha: "Kështu është edhe me pesë namazet, nëpërmjet të cilave Allahu i shlyen mëkatet." (Buhariu dhe Muslimi)

Kjo nuk do të thotë se mund t'i shpërfillim gabimet tona. Pendimi i sinqertë, gatishmëria për të ndryshuar dhe ndreqja e padrejtësive që u kemi bërë të tjerëve mbeten shumë të rëndësishme.

Por mesazhi është shpresëdhënës: Nuk ke nevojë të jesh pa gabime për t'u kthyer tek Allahu t.. Përkundrazi, pikërisht kur gabon, ke edhe më shumë nevojë për këtë lidhje.

 

B. ANA PSIKOLOGJIKE DHE PRAKTIKE: „FLIGHT MODE“ PËR MENDJEN, JETËN DHE TRUPIN

A të ka ndodhur ndonjëherë të ndiesh sikur mendja jote nuk po gjen qetësi?

Provimi i radhës po afrohet, në grupin e WhatsApp-it vijnë vazhdimisht mesazhe, në rrjetet sociale duket sikur të gjithë bëjnë një jetë të përsosur, ndërsa njerëzit përreth presin që ti t'ia dalësh me gjithçka.

Nganjëherë, ajo që na duhet më së shumti është një pushim.

Namazi na jep mundësinë që disa herë gjatë ditës ta ndërpresim me vetëdije ritmin e përditshëm. Për disa minuta i lëmë mënjanë detyrat, shqetësimet dhe gjërat që na shpërqendrojnë, për t'u përqendruar në lidhjen tonë me Allahun t..

 

1. Të marrësh frymë lirshëm dhe të gjesh forcë të re

Në Kur’an thuhet: „Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut.“ (er-Ra'd, 13:28)

Edhe Muhammedi s. e lidhte namazin me çlodhjen dhe qetësinë. Ai i tha Bilalit, muezinit të tij: „O Bilal, na çlodh me thirrjen për namaz!“ (Ebu Davud)

Sa këndvështrim i bukur!

Namazi nuk është thjesht edhe një detyrë tjetër në listën tonë të përditshme. Ai mund të jetë një çast kur largohemi pak nga zhurma e ditës, marrim frymë më lirshëm dhe gjejmë forcë të re.

Kur përgatitemi për namaz, marrim abdes dhe drejtohemi me vetëdije nga Allahu t., për disa çaste e lëmë pas vrullin e përditshmërisë.

Edhe në periudha të vështira, namazi mund të na japë shpresë, ngushëllim dhe ndjenjë sigurie. Ai nuk na i zgjidh automatikisht të gjitha problemet, por mund të na ndihmojë të përballemi me to me më shumë durim, besim dhe forcë të brendshme.

Megjithatë, duhet ta dimë se jo çdo namaz përjetohet njësoj. Nganjëherë jemi të përqendruar dhe të qetë, ndërsa herë të tjera mendja na shkon në shumë drejtime. Kjo është njerëzore. E rëndësishme është që të përpiqemi vazhdimisht të qëndrojmë me vetëdije para Allahut t..

 

2. Ora jote e brendshme: Rregull dhe disiplinë

Përditshmëria jonë ka nevojë për një ritëm të caktuar. Kemi orare për shkollën, praktikën profesionale, punën, ushqimin dhe gjumin.

Pesë namazet ditore i japin ditës sonë një strukturë shtesë dhe të natyrshme. Kohët e tyre lidhen me pozitën e diellit dhe na shoqërojnë nga mëngjesi i hershëm deri në mbrëmje.

Kjo mund të na ndihmojë ta përdorim kohën në mënyrë më të vetëdijshme.

Ai që gjen rregullisht kohë për namaz, i ushtron njëkohësisht disa cilësi të rëndësishme: përgjegjësinë, durimin, vetëkontrollin dhe këmbënguljen.

Këto aftësi na hyjnë në punë edhe në fusha të tjera të jetës: gjatë mësimit, në sport, në përgatitjen profesionale apo më vonë në punë.

Pejgamberi Muhammed s. ka shpjeguar se ndër veprat më të dashura tek Allahu t. janë ato që kryhen vazhdimisht, edhe nëse janë të vogla. (Buhariu & Muslimi)

Mesazhi është i thjeshtë: Nuk kanë vlerë vetëm arritjet e mëdha dhe të rralla. Edhe hapat e vegjël, kur bëhen rregullisht, kanë një rëndësi të veçantë.

 

3. Pastërtia dhe lëvizja: Trupi dhe shpirti së bashku

Para namazit marrim abdes. Gjatë tij lajmë, ndër të tjera, fytyrën, duart dhe këmbët.

Në Islam, pastërtia nuk është vetëm çështje higjiene të jashtme. Ajo ka edhe një kuptim të thellë shpirtëror. Muhammedi s. ka thënë: „Pastërtia është gjysma e besimit.“ (Muslimi)

Edhe trupi ynë merr pjesë në namaz. Ne qëndrojmë në këmbë (kijam), përkulemi (ruku) dhe biem në sexhde, duke e vendosur ballin në tokë.

Këto lëvizje sjellin një kalim të natyrshëm dhe të butë nga një qëndrim trupor në tjetrin. Natyrisht, namazi nuk e zëvendëson sportin apo ushtrimet fizike, por na kujton se besimi ynë nuk përbëhet vetëm nga mendimet dhe fjalët.

Në namaz marrim pjesë me tërë qenien tonë njerëzore: me trupin, mendjen dhe zemrën.

Pikërisht këtu qëndron një nga bukuritë e veçanta të namazit: bota jonë e brendshme dhe ajo e jashtme bashkohen. Atë që besojmë, mendojmë dhe ndiejmë, e shprehim edhe me anë të qëndrimit dhe lëvizjeve të trupit.

 

C. ANA SHOQËRORE: NDJENJA E VËRTETË E BASHKËSISË

Në jetën e përditshme njerëzit krahasohen vazhdimisht me njëri-tjetrin.

Kush i ka atletet më të shtrenjta? Kush e ka telefonin më të ri? Kush ka më shumë ndjekës në rrjetet sociale? Kush është më i njohur apo më i suksesshëm?

Në namazin me xhemat, dallimet e tilla e humbin rëndësinë.

Në xhami, njerëz me profesione, përvoja jetësore, mundësi ekonomike dhe prejardhje kulturore të ndryshme qëndrojnë krah për krah njëri-tjetrit.

Të gjithë drejtohen nga i njëjti Krijues.

 

1. Namazi i përbashkët na afron

Qoftë me familjen, me shokët apo në xhami, falja e përbashkët mund t'i forcojë marrëdhëniet dhe të krijojë një ndjenjë të veçantë përkatësie.

Aty takojmë njerëz, njihemi me njëri-tjetrin, e ndihmojmë njëri-tjetrin dhe e kuptojmë se jemi pjesë e një bashkësie më të madhe.

Muhammedi s. e ka theksuar vlerën e veçantë të namazit me xhemat: „Namazi me xhemat është 27 herë më i vlefshëm se namazi i falur individualisht.“ (Buhariu & Muslimi)

Pra, namazi i përbashkët nuk është vetëm një adhurim individual që kryhet pranë të tjerëve. Ai është edhe shprehje e lidhjes dhe e bashkimit mes besimtarëve.

 

2. Të barabartë, pa presionin e statusit

Përfytyro një saff (resht) namazi: pranë një nxënësi mund të qëndrojë një mjek, pranë një biznesmeni një praktikant, ndërsa pranë një të moshuari një i ri.

Këtu nuk ka rëndësi çfarë marke ka bluza jote, sa para ke apo sa pëlqime marrin postimet e tua.

Të gjithë qëndrojnë para Allahut t. dhe e falin të njëjtin namaz.

Kjo na kujton se vlera e njeriut nuk përcaktohet nga pozita e tij shoqërore, nga pasuria apo nga pamja e jashtme.

Para Allahut t. nuk kanë rëndësi numrat e ndjekësve në rrjetet sociale, por besimi, sinqeriteti dhe veprat tona.

 

3. Paqja fillon nga vetja jonë

Çdo namaz përfundon me përshëndetjen e paqes: Es-selamu alejkum – Paqja qoftë mbi ju! Gjatë kësaj përshëndetjeje ne e kthejmë kokën djathtas dhe majtas.

Por paqja nuk duhet të mbetet vetëm një fjalë që e shqiptojmë në fund të namazit. Ajo duhet të pasqyrohet edhe në sjelljen tonë. Si sillemi me prindërit? Si i trajtojmë shokët dhe shoqet e shkollës? Si reagojmë kur dikush na fyen, kur lind një konflikt apo kur takojmë njerëz që mendojnë ndryshe nga ne?

Namazi na kujton se besimi duhet të bëhet i dukshëm edhe në jetën e përditshme: përmes respektit, gatishmërisë për të ndihmuar, mirëkuptimit dhe sjelljes paqësore.

Ai që e shqipton përshëndetjen e paqes në namaz, duhet të përpiqet ta përhapë atë paqe edhe jashtë namazit.

Pikërisht këtu dëshiroj ta ndaj me ju një thënie domethënëse të poetit Necip Fazıl Kısakürek:

Namazi fillon atëherë kur del nga xhamia,

Haxhi, kur kthehesh nga Meka,

Ndërsa agjërimi, kur përfundon Ramazani.

Përse? Sepse vetëm pas namazit bëhet e dukshme se çfarë ka ndryshuar ai brenda nesh: si u flasim prindërve, sa të drejtë jemi në shkollë dhe a arrijmë ta ruajmë qetësinë kur dikush na provokon.

Nëse namazi na ndihmon të bëhemi më të mirë në jetën e përditshme, atëherë ai e ka arritur qëllimin e tij.

 

 

Përfundim: Detyrim fetar apo mundësi për ta përmirësuar jetën?

Ndoshta tani po e pyet veten: Nëse namazi ka kaq shumë anë pozitive, përse nganjëherë më duket kaq i vështirë?

Sepse jo gjithçka që është e rëndësishme dhe e vlefshme është gjithmonë e lehtë.

Edhe përgatitja për provime, ushtrimet e rregullta fizike apo marrja e përgjegjësive kërkojnë ndonjëherë mund dhe përpjekje. Megjithatë, ne e dimë përse ia vlen t'i bëjmë.

Ngjashëm është edhe me namazin.

Po, namazi është detyrim në Islam. Por është një detyrim që ka një kuptim të thellë. Ai na lidh me Allahun t., na kujton vlerat tona, i jep strukturë ditës sonë dhe na bën më të vetëdijshëm për njerëzit që na rrethojnë.

Ndoshta qëndrimi ynë ndaj namazit do të ndryshonte, nëse nuk do të pyesnim vetëm: „A duhet të falem tani?“, por edhe: „Çfarë mund të më japë ky namaz sot?“

Dhe ndoshta atëherë do të zbulonim se namazi nuk na merr thjesht kohë nga përditshmëria jonë, por mund t'i japë asaj një kuptim më të thellë.

Shumë të rinj mendojnë: „Së pari duhet ta rregulloj jetën time, pastaj të filloj të falem rregullisht.“

Por ndoshta pikërisht namazi është një hap i rëndësishëm në këtë rrugë.

Nuk ke nevojë ta rregullosh më parë gjithë jetën për të filluar me namazin – namazi mund të të ndihmojë ta rregullosh vetë jetën.

Nuk ke pse të presësh derisa gjithçka të bëhet e përsosur. Fillo aty ku je. Gjej kohë me vetëdije, përpiqu ta kuptosh më mirë domethënien e namazit dhe ndërto, hap pas hapi, një lidhje më të fortë me Allahun t..

Sepse nganjëherë përditësimi (update) më i rëndësishëm i ditës nuk ndodh në telefonin tënd, por në zemrën tënde.

 

Tani radha është e jotja!

Cila nga këto tri anë të namazit të tërheq më shumë?

1. Ana fetare dhe shpirtërore: Afërsia me Allahun, mirënjohja, falja e mëkateve dhe mundësia për një fillim të ri?

2. Ana psikologjike dhe praktike: “Flight mode“ për mendjen, qetësia e brendshme, organizimi i ditës dhe harmonia mes trupit e shpirtit?

3. Ana shoqërore: Ndjenja e bashkësisë, solidariteti, barazia dhe paqja?

 

Dhe, në fund, edhe një pyetje:

Kur do të gjesh sot pak kohë për ta mbushur baterinë tënde të brendshme?