Tefsiri (komentimi) i sures el-Fatiha

 

Lexo këtë koment në PDF

 

Shkaku i zbritjes

Në renditjen e Mus’hafit është sureja e parë, ndërsa sipas rendit të zbritjes është sureja e pestë. Ekziston pajtim i përgjithshëm se ajo ka zbritur në Mekë, në vitet e para të pejgamberisë së Muhamedit s.a.v.s.

Në burimet islame nuk përmendet ndonjë ngjarje e veçantë si shkak i zbritjes së saj. Ajo është njëkohësisht si një hyrje në Kur’an dhe si një përmbledhje e tij.

Gjithashtu, është synuar që çdo besimtar ta lexojë atë në të gjitha rekatet e namazit, sikur të jetë duke biseduar me Zotin e tij, dhe nëpërmjet kësaj të afrohet tek Ai.

 

Emërtimet dhe numri i ajeteve

Në burimet që i trajtojnë shkencat e Kur’anit, kjo sure njihet me më shumë se një emër. Mirëpo, prej tyre, emërtimet “el-Fatiha”, “es-Seb‘ el-Methani” dhe “Ummu’l-Kitab” përmenden në hadithe (shih: Buhariu, “Tefsir”, 1; “Edhan”, 109; Tirmidhiu, “Salah”, 183).

Fatiha do të thotë “e para, fillimi, hapja”. Këtë emër e ka marrë sepse është sureja e parë që ka zbritur e plotë dhe sepse leximi dhe shkrimi i Kur’anit Fisnik fillon me të. Ajetet që kanë zbritur para sures Fatiha janë pjesë të sureve të cilave u përkasin, ndërsa zbritja e plotë e atyre sureve është përfunduar pas zbritjes së Fatihas.

es-Seb‘ el-Methani do të thotë “shtatë të përsëriturat”. Kjo sure e ka marrë këtë emër sepse përbëhet nga shtatë ajete dhe në namaz lexohet së paku dy herë, ose sepse në çdo rekat asaj i bashkëngjitet një sure tjetër apo disa ajete.

Ummu’l-Kitab do të thotë “thelbi, themeli, nëna e Librit”. Në disa hadithe është shprehur edhe në formën “Ummu’l-Kur’ân” (Nëna e Kur’anit).

Emërtimi i sures Fatiha me këtë emër lidhet me përmbajtjen e saj, për të cilën u bë fjalë më sipër dhe e cila do të shpjegohet së shpejti.

Ekziston pajtim i plotë se Fatiha është një sure me shtatë ajete. Mirëpo, mënyra e numërimit të këtyre shtatë ajeteve ndryshon për shkak të mospajtimit rreth çështjes nëse Besmelja është apo jo një ajet që bën pjesë në suren Fatiha.

Sipas dijetarëve të kiraetit (kurra’) të Mekës dhe Kufes, Besmelja është një ajet që bën pjesë në suren Fatiha, ndërsa ajeti që fillon me “el-hamdu” është ajeti i dytë. Sipas dijetarëve të kiraetit të Medinës, Basrës dhe Shamit, Besmelja nuk është ajet i sures Fatiha, ndërsa “el-hamdu...” është ajeti i parë.

Kësaj çështjeje do t’i rikthehemi përsëri gjatë tefsirit të Besmeles.

Sipas atyre që Besmelen nuk e llogarisin pjesë të sures Fatiha, pjesa që vjen pas “en‘amte alejhim” llogaritet si një ajet më vete dhe kështu plotësohet numri shtatë.

 

Temat që i trajton kjo sure

Kjo sure i përmbledh në vetvete të gjitha synimet e Librit hyjnor, si dhe kuptimet, njohuritë dhe dispozitat që ai i sjell.

Qëllimi i shpalljes së Kur’anit Fisnik është rregullimi i jetës së njerëzve në këtë botë dhe, pas një jete të mirë në këtë botë – në përputhje me vullnetin, kënaqësinë dhe rendin hyjnor – sigurimi i lumturisë së përjetshme.

Për arritjen e këtij qëllimi:

  1. Nevojiten urdhra dhe ndalesa.
  2. Zbatimi i këtyre urdhrave dhe ndalesave në jetë varet nga njohja e faktit se burimi i tyre është Allahu, Krijuesi, ekzistenca e të Cilit është e domosdoshme, i Cili zotëron cilësitë e përsosmërisë dhe është i pastër nga çdo lloj mangësie dhe të mete.
  3. Për ta përforcuar këtë besim, këtë njohuri dhe vetëdije, nevojitet edhe premtimi për shpërblim dhe dënim.

Nga fillimi i sures deri te “jeumi’d-din” shprehet në mënyrë të përmbledhur e para; deri te “mustekîm”, e dyta; ndërsa prej aty deri në fund shprehet, në mënyrë të përmbledhur dhe të përpiktë, premtimi për shpërblim dhe dënim, si dhe thelbi i rrëfimeve kur’anore, të cilat janë sjellë për t’i përforcuar këto tema, për t’i paraqitur ato në mënyrë të gjallë dhe për t’ua mundësuar njerëzve të marrin mësim nga e kaluara.

E gjithë përmbajtja e Kur’anit Fisnik që lidhet me njohuritë, udhëzimin dhe mësimet mund të ndahet në dy pjesë: “ato që duhen ditur dhe besuar” dhe “ato që duhen vepruar”.

Në pjesën e parë përfshihen njohuritë rreth Allahut, pejgamberisë dhe botës së padukshme (gajbit), si dhe këshillat, shembujt, urtësitë dhe rrëfimet. Në pjesën e dytë përfshihen adhurimet, rregullimi i jetës dhe dispozitat e mësimet praktike e morale.

Sureja Fatiha i përmban të gjitha këto, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë, qoftë në thelbin e saj; ose, lidhur me këto çështje, i hap rrugë arsyes dhe i hedh asaj dritë.

Shprehja “Falënderimi i takon Allahut” i përfshin të gjitha cilësitë e përsosmërisë së Allahut të Lartësuar, të cilat e bëjnë Atë të denjë për hamd (lavdërim dhe madhërim).

Shprehja “Zotit të botëve” përfshin cilësitë e tjera të Tij që lidhen me krijimin dhe veprimin; emrat “i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti” shprehin rregullat e fesë që burojnë nga mëshira dhe dhembshuria e Allahut ndaj njerëzve; cilësimi “Sunduesit të Ditës së Gjykimit dhe Llogarisë” përfshin gjendjet e Kijametit dhe botën e Ahiretit.

Pjesa “Vetëm Ty të adhurojmë” shpreh besimin, adhurimin dhe rendin shoqëror; ndërsa fjalia “Vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë” shpreh ihlasin në vepra – që adhurimet të kryhen vetëm për hir të kënaqësisë së Allahut – dhe tevhidin – që njeriu të mos i nënshtrohet si rob askujt tjetër përveç Tij dhe që cilësitë e ndikimet që i përkasin vetëm Allahut të mos i atribuohen askujt tjetër.

Fjalia “Na udhëzo në rrugën e drejtë” e përfshin kornizën e adhurimit, të rendit të jetës, të mendimit dhe të moralit; pjesa “në rrugën e atyre që i ke begatuar...” përfshin brezat, popujt dhe bashkësitë shembullore që kanë jetuar në të kaluarën; ndërsa pjesa “jo në rrugën e atyre që kanë merituar zemërimin dhe as të atyre që kanë devijuar” i përfshin bashkësitë e kaluara që përbëjnë shembuj të këqij dhe nga gjendja e të cilave duhet marrë mësim.

Mund të thuhet se, duke filluar nga parafjala “bi” në fillim të Besmeles, pastaj duke kaluar te Besmelja, më tej te Fatiha dhe, në vazhdim, te i gjithë Kur’ani, të fshehtat hyjnore shpalosen perde pas perdeje; ndërsa drita e udhëzimit hyjnor, duke u përhapur nga një përmbajtje e ngjeshur në një vëllim të ngushtë drejt hapësirave gjithnjë e më të gjera e më pak të ngjeshura, përhapet në mbarë botët.

Kuptimet e “musahabe” (shoqërimit, të qenët së bashku) dhe “isti’ane” (kërkimit të ndihmës), që përmban parafjala “bi”, përfshijnë në tërësi marrëdhënien ndërmjet robit dhe Allahut dhe, rrjedhimisht, të gjithë qëllimin e fesë.

Pjesa tjetër e Besmeles dhe Fatiha vazhdojnë duke e shtjelluar edhe më tej këtë marrëdhënie, ndërsa suret dhe ajetet e tjera i sqarojnë këto kuptime duke formuar mes tyre një tërësi dhe duke i paraqitur me stile të përshtatshme për çdo nivel aftësie dhe kuptimi.

 

Vlera dhe rëndësia e kësaj sureje

Ekzistojnë shumë hadithe autentike rreth vlerës së hamdit (falënderimit), qoftë kur shprehet vetëm me fjalët “el-hamdu lil-lah” e të ngjashme, qoftë rreth vlerës së sures Fatiha në tërësi dhe vendit që ajo zë në jetën fetare të besimtarit:

“Dhikri më i lartë është ‘la ilahe il-lallah’, ndërsa lutja më e lartë është ‘el-hamdu lil-lah’.” (Tirmidhiu, “Du’a”, 9).

“Çdo punë e rëndësishme që nuk fillon me falënderimin e Allahut mbetet e mangët.” (Ibn Maxhe, “Nikah”, 19).

I Dërguari i Allahut, Muhammedi s.a.v.s., i tha sahabiut Ebu Seid b. Mual-la se, para se të dilte nga xhamia, do t’ia tregonte suren më madhështore në Kur’anin Fisnik; më pas i sqaroi se ajo është sureja Fatiha. (Buhariu, “Feda’il el-Kur’an”, 9).

Gjithashtu, në shumë hadithe autentike janë dhënë sqarime lidhur me veçorinë shëruese të sures Fatiha (për shembull, shih: Buhariu, “Feda’il el-Kur’an”, 9).

Shprehja e njohur si “E’udhu” ose “isti’adhe”, meqenëse në këtë formë nuk është ajet, nuk është shkruar në Mus’haf. Mirëpo, duke qenë se Allahu ka urdhëruar: “Kur ta lexosh Kur’anin, kërko mbrojtjen e Allahut prej shejtanit të mallkuar” (en-Nahl, 16:98), ata që fillojnë leximin e Kur’anit e zbatojnë këtë urdhër duke thënë “E’udhu...” paraBesmeles.

Shejtani, emri i vërtetë i të cilit është Iblis, për shkak se nuk iu bind urdhrit të Allahut “Bëji sexhde Ademit!” dhe e kundërshtoi atë duke pretenduar se ishte më i lartë se Ademi, u dëbua dhe u përzu nga vendbanimi i melekëve (bota e melekutit). Pas kësaj, ai e bëri detyrë të vetën që, në këtë botë të sprovës, të përpiqet t’i largojë robërit e Allahut nga rruga dhe kënaqësia e Tij (el-A‘raf, 7:11-17).

Shejtani përpiqet ta kryejë këtë detyrë duke i shfrytëzuar edhe xhinët dhe njerëzit e tjerë që e ndjekin atë (el-En‘âm, 6:112). Mirëpo, në ajetet përkatëse është sqaruar se shejtani nuk mund t’u bëjë dëm besimtarëve që i besojnë Allahut, mbështeten dhe i zënë besë Atij dhe se ai nuk ka pushtet mbi ta (en-Nahl, 16:98-100).

Për shkak të ajetit (16:98), kuptimi i të cilit u përmend më sipër, ata që fillojnë leximin e Kur’anit thonë “E’udhu bil-lahi…”, duke kërkuar mbrojtjen e Allahut. Mirëpo, lidhur me dispozitën e kësaj ka mendime dhe interpretime të ndryshme.

Sipas disa muxhtehidëve, meqenëse në ajet është përdorur forma urdhërore, thënia e “E’udhusë” është farz. Ndërsa sipas shumicës së muxhtehidëve, ky është një urdhër në formë këshille dhe rekomandimi; prandaj thënia e “E’udhusë” nuk është farz, por mendub – një veprim i nxitur dhe i konsideruar i mirë.

Meqenëse thënia e “E’udhusë” rekomandohet madje edhe gjatë leximit të Kur’anit – duke e thënë atë në fillim të leximit – që është pikërisht koha kur shejtani duhet të jetë më së largu prej njeriut, kuptohet se thënia e saj në fillim të punëve të tjera është edhe më e nevojshme.

Kur’ani u ka rekomanduar besimtarëve që të keqen ta kthejnë me të mirë, duke i larguar në këtë mënyrë të këqijat që mund t’u vijnë prej njerëzve, ndërsa me thënien e “E’udhusë” t’i largojnë prej vetes vesveset dhe nxitjet që vijnë prej shejtanit (shih: el-Mu’minun, 23:96-98).

Nga njëra anë, “E’udhuja” shërben si mjet për largimin e të këqijave dhe dëmeve të tilla materiale e shpirtërore; nga ana tjetër, ajo e ripërtërin te robi vetëdijen se ndodhet në një sprovë. Njëkohësisht, ajo e nxit njeriun të jetë vigjilent dhe i kujdesshëm në luftën që vazhdon gjatë gjithë jetës ndërmjet anës së tij të lartë e fisnike dhe anës së tij të ulët, luftë e cila i shërben zhvillimit dhe pjekurisë së tij.

 

Ajeti 1

بِسْمِ اللّٰهِ الرَّحْمٰنِ الرَّحِیمِ ﴿١﴾ 

Bismil-lahir-Rahmanir-Rahim

 

Përkthimi

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit.

 

Tefsiri

Po ta kemi parasysh se shprehjet e Besmeles, të cilat gjenden në fillim të sureve, janë shkruar në Mus’haf që nga koha kur Kur’ani Fisnik u mblodh për herë të parë në formë libri dhe se, në të njëjtën periudhë, në Mus’haf nuk është shkruar asgjë që nuk i përkiste Kur’anit, atëherë – megjithëse ekzistojnë edhe mendime të kundërta – Besmelja në fillim të çdo sureje duhet të konsiderohet si një ajet i veçantë, i cili nuk përfshihet në numrin e ajeteve të asaj sureje. I këtij mendimi janë edhe juristët hanefi (Xhessasiu, Ahkamu’l-Kur’an, I, 12).

Imam Shafiu e ka konsideruar Besmelen në fillim të sures Fatiha si një ajet të kësaj sureje. Ndërsa për Besmelet në fillim të sureve të tjera janë transmetuar prej tij dy mendime të ndryshme. Mendimi se Besmelja duhet të konsiderohet ajet që i përket secilës sure është shënuar si transmetimi më i saktë që i atribuohet atij.

Sipas Ebu Hanifes, meqenëse Besmelet në fillim të sureve janë ajete të veçanta, në namaz Besmelja lexohet në heshtje vetëm para Fatihas. Ndërsa para sures ose ajeteve që lexohen pas Fatihas, të njohura si sure shtesë, Besmelja nuk lexohet.

Në përputhje me të dhënat e mësipërme, Besmelja këtu është komentuar si ajeti i parë i kësaj sureje.

Besmelja zakonisht përkthehet: “Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit.” Në këtë fjali ekziston një folje që nuk përmendet shprehimisht, por që gjendet në qëllimin e çdo personi që e thotë Besmelen, në varësi të veprës që është duke filluar, si: “... lexoj”, “... filloj”, “... bëj”, “... ha” e të ngjashme.

Në shqip, nga shprehja “të hash apo të lexosh me emrin e Allahut” mund të kuptohet sikur ajo që hahet ose lexohet bëhet së bashku me emrin e Allahut. Meqenëse ky nuk është kuptimi i synuar, për ta shprehur qëllimin në mënyrë më të saktë, Besmelja mund të përkthehet edhe në forma të tilla si: “Në emër të Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit...”, “duke përmendur emrin e Allahut...”, “duke kërkuar ndihmë prej Allahut...”

Kur njeriu e ndërmerr një veprim apo fillon një punë të rëndësishme, së pari thotë “E’udhu bil-lahi…”, duke i larguar ndikimet e mundshme negative, e më pas e thotë Besmelen. Në këtë mënyrë, ai pranon që në fillim se nuk është i mjaftueshëm vetëm me fuqinë e vet; se suksesi dhe fuqia mund të vijnë vetëm prej Allahut; se, si një qenie të cilën Allahu e ka bërë halife (mëkëmbës) në tokë, ai vepron në pronën e Tij dhe në emër të Tij; dhe se, nëse i tejkalon kufijtë e vendosur nga Allahu, i Cili është Pronari dhe Sunduesi i vërtetë, do ta ketë tradhtuar amanetin. Duke e pranuar këtë që në fillim, njeriu njëkohësisht merr forcë prej kësaj vetëdijeje.

Këtu, në mënyrë të tërthortë, gjendet edhe kuptimi i fjalës së tevhidit. Ashtu si në fjalën e tevhidit, me shprehjen “la ilahe” së pari fshihen nga mendja të gjitha hyjnitë e rreme dhe më pas, me shprehjen “il-lallah”, në zemër dhe në mendje vendoset Allahu, Zoti i vërtetë, i Vetmi, pa shok dhe pa të ngjashëm; po kështu, kur thuhet E’udhuja dhe Besmelja, së pari pastrohet mjedisi i papastër që e pengon marrëdhënien e njeriut me Allahun, e më pas përdoret çelësi më i përshtatshëm i kësaj marrëdhënieje, hapen dyert e duhura dhe vendoset një lidhje e shëndoshë.

Në gjuhën e Kur’anit, edhe emri-cilësi er-Rahman i përket vetëm Allahut dhe nuk është përdorur për asnjë qenie tjetër. er-Rahman do të thotë: “Ai që, qysh nga e kaluara më e largët, u dhuron të gjitha krijesave mirësi, begati dhe mëshirë të pafundme e të pakufishme.”

Kur er-Rahmani i trajton krijesat me mëshirën e Tij, Ai nuk shikon nëse qenia që përfiton prej saj e meriton apo është e denjë për të. Shfaqja e kësaj cilësie bie mbi gjithçka, mu si shiu ose, si dielli që ngroh e ndriçon gjithçka.

Er-Rahim do të thotë “shumë i mëshirshëm, me mëshirë të bollshme” dhe me këtë cilësi mund të përshkruhen edhe njerëzit. Emri-cilësi er-Rahim i Allahut shpreh më tepër mëshirën, mirësinë dhe dhembshurinë e Tij të pakufishme, të cilat krijesat e Tij do t’i marrin në të ardhmen si diçka që e kanë merituar dhe për të cilën janë bërë të denjë.

Mbrojtja dhe falja përbëjnë vetëm një pjesë të kësaj mëshire të pafundme e të gjerë dhe vetëm një prej mënyrave të shumta në të cilat shfaqen ndikimet e saj.

 

Ajeti 2

اَلْحَمْدُ لِلّٰهِ رَبِّ الْعَالَمِینَ ﴿٢﴾ 

 

Përkthimi

Hamdi i takon Allahut, Zotit të botëve.

 

Tefsiri

Në gjuhën tonë, fjalët lavdërim dhe falënderim, ndërsa në arabisht fjalët med’h dhe shukr, kanë kuptime të afërta me fjalën hamd. Megjithatë, ndërmjet tyre ekzistojnë disa dallime të holla.

Med’hi (lavdërimi) bëhet përballë një të mire apo një bukurie. Zotëruesi i kësaj mirësie ose bukurie mund të lavdërohet pavarësisht nëse ajo është rezultat i vullnetit dhe veprimit të tij apo jo. Kështu, një person mund të lavdërohet për bukurinë e tij, e cila nuk është rezultat i vullnetit të vet, ashtu siç mund të lavdërohet edhe për virtyte të tilla si bujaria dhe trimëria.

Ndërsa hamdi bëhet vetëm për një mirësi dhe bukuri që burojnë nga vullneti dhe zgjedhja.

Shukri dhe falënderimi nënkuptojnë “t’i përgjigjesh në mënyrë të përshtatshme, me fjalë ose në forma të tjera, një mirësie dhe një të mire të bërë me vullnet të lirë”. Ky është një detyrim moral që pritet të përmbushet si kundërpërgjigje ndaj mirësive që vijnë si prej Allahut, ashtu edhe prej njerëzve.

Edhe hamdi bëhet me gjuhë; thuhet “hamd i qoftë”, “el-hamdu lil-lâh...”. Mirëpo, shkaku i hamdit nuk janë vetëm begatitë dhe mirësitë, por të gjitha të mirat dhe bukuritë që burojnë nga vullneti dhe zgjedhja. Në këtë kuptim, hamdi i takon vetëm Allahut. Kjo sepse të mirat dhe bukuritë që u përkasin të tjerëve, në kuptimin e tyre të vërtetë dhe të plotë, nuk varen vetëm nga vullneti i tyre.

Në të mirat dhe bukuritë që varen nga vullneti i njerëzve është i pranishëm edhe vullneti i Allahut. Ndërsa të mirat, bukuritë dhe dobitë që nuk varen nga vullneti dhe zgjedhja e tyre janë drejtpërdrejt vepër e Krijuesit, e Fuqisë që ka përcaktuar dhe krijuar natyrën dhe veçoritë e tyre dhe ua ka dhuruar ato njerëzve. Prandaj, në këtë kuptim, i gjithë hamdi i takon Allahut dhe është vetëm i Tij.

Alem (botë) është çdo gjë materiale dhe shpirtërore, e dukshme dhe e padukshme, që Allahu i Lartësuar e ka krijuar në këtë botë dhe në Ahiret. Qeniet materiale që shihen, perceptohen dhe mund të arrihen nga njohuria njerëzore quhen “bota e mulkut dhe e shehadetit” (bota e dukshme), ndërsa qeniet përtej materies quhen “bota e gajbit dhe e melekutit” (bota e padukshme).

Pronar i vetëm i botës së gajbit dhe melekutit është Allahu. Edhe pse Pronari i vërtetë i botës së mulkut dhe shehadetitështë Allahu, në dukje dhe në kuptim figurativ mund të ketë edhe pronarë të tjerë.

Sipas njohurive që na kanë ardhur nëpërmjet shpalljes, bota e shehadetit dhe e mulkut, në krahasim me botën e gajbit dhe të melekutit, është si një pikë uji në det apo një kokërr rëre në shkretëtirë. Hapësira kozmike deri ku ka arritur njohuria njerëzore deri në ditët tona ka një madhësi që e mahnit mendjen. Por, nëse edhe kjo madhësi, përballë botës së gajbit, mbetet sa një kokërr rëre, atëherë madhështia e botës së gajbit është e tillë që peshorja e arsyes nuk mund ta masë.

Kur çështja shihet nga ky këndvështrim, çdo njohuri e re që arrihet rreth madhësisë së gjithësisë dhe hollësive të rendit të saj, përveçse tregon se deri ku mund të arrijë arsyeja që Allahu ia ka dhuruar njeriut, shërben edhe si një masë që ia mundëson atij ta përfytyrojë pafundësinë e të fshehtave që ende mbeten për t’u zbuluar.

Kështu, madhështia e botës së gajbit kuptohet nëpërmjet besimit (imanit) dhe njohjes shpirtërore (irfanit). Prej kësaj arrihet te ajo gjendje mahnitjeje që i ka hije njeriut përballë madhështisë së Allahut, Zotit të të gjitha botëve – Pronarit të tyre, Sunduesit, Atij që i përcakton dhe i krijon, i ruan dhe i zhvillon. Kur njeriu, përballë kësaj madhështie, bie në sexhde, gjendja e tij e mahnitjes shndërrohet në qetësi, siguri, dashuri, afërsi dhe prehje shpirtërore.

Kur fjala Rabb përdoret e vetme, me të nënkuptohet vetëm Allahu. Ajo është një prej emrave të Tij të bukur dhe e shpreh cilësinë e pronësisë, zotërimit dhe edukimit e përkujdesjes. Mirëpo, kjo fjalë mund të përdoret edhe për të tjerët kur është pjesë e një togfjalëshi, si për shembull “rabbu’d-dar” (i zoti i shtëpisë).

 

 

Ajeti 3

اَلرَّحْمٰنِ الرَّحِيمِ ﴿٣﴾

 

Përkthimi

Të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit.

 

Tefsiri

Për kuptimet e emrave er-Rahman dhe er-Rahim, mund t’i referoheni shpjegimit të ajetit të parë (Besmeles).

 

 

Ajeti 4

مَالِكِ یَوْمِ الدِّینِ ﴿٤﴾ 

 

Përkthimi

Sunduesit të Ditës së Llogarisë dhe Shpërblimit (Ditës së Ahiretit).

 

Tefsiri

Në togfjalëshin që e kemi përkthyer “Sunduesi i Ditës së shpërblimit dhe dënimit (ed-din)”, fjala malik do të thotë “pronar i pasurisë dhe i pronës”. Dijetarët e kiraetit e kanë lexuar këtë fjalë edhe në formën melik, me kuptimin “sundues, zotërues i pushtetit”.

Kur këto dy fjalë përdoren për njerëzit, ndërmjet malikut dhe melikut ekzistojnë dallime të rëndësishme për sa i përket fuqisë, autoritetit dhe të drejtës së disponimit. Pronari i pasurisë dhe i pronës (malik) nuk ka domosdoshmërisht autoritet mbi të tjerët; ndërsa sunduesi (melik), i cili ka autoritet mbi të tjerët, nuk është pronar i çdo pasurie dhe prone.

Kur cilësitë malik dhe melik përdoren për Allahun e Lartësuar, në kuptimin e tyre nuk mund të ketë asnjë mangësi. Kjo sepse Ai është njëkohësisht Pronari i të gjitha botëve dhe Sunduesi, urdhri i të Cilit vlen mbi çdo njeri dhe çdo gjë. Nuk mund të përfytyrohet asnjë pushtet mbi pushtetin e Tij.

Melik është cilësi që i përket Qenies (Dhatit) së Allahut, ndërsa malik është cilësi që lidhet me veprimin e Tij.

Nga ajetet e tjera që e shpjegojnë këtë çështje kuptohet se “Dita e shpërblimit dhe e dënimit (ed-din)” është dita e llogaridhënies dhe e gjykimit në Ahiret (për shembull, shih: el-Infitar, 82:17-19).

Allahu i Lartësuar, në çdo kohë dhe pavarësisht nga koncepti i kohës, është Sunduesi absolut, Pronari, Meliku dhe Maliku. Mirëpo, në jetën e kësaj bote, për qëllim sprove, Allahu i Lartësuar u ka dhënë edhe robërve të Tij një masë pronësie dhe pushteti.

Ata që kanë iman, por jetojnë në pakujdesi, qoftë edhe herë pas here, nuk janë kujdesur sa duhet që të jenë të vetëdijshëm për pronësinë dhe pushtetin e Allahut; ndërsa ata që nuk kanë iman kanë mbetur krejtësisht pa këtë vetëdije dhe e kanë mohuar atë.

Në botën e Ahiretit, meqenëse edhe ky pushtet i dukshëm dhe i përkohshëm i njeriut do të marrë fund, cilësitë e Allahut si Melik dhe Malik do të shfaqen dhe do të bëhen të qarta me gjithë madhështinë e tyre.

Prandaj, në Ahiret, Ai është “Melik dhe Malik”, si në të vërtetë ashtu edhe në mënyrë të dukshme.

 

 

Ajeti 5

اِیَّاكَ نَعْبُدُ وَاِیَّاكَ نَسْتَعِینُ ﴿٥﴾ 

Përkthimi

(O Allah!) Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.

 

Tefsiri

Nga Besmelja e deri në këtë pjesë, Allahu i Lartësuar ka dhënë sqarime të rëndësishme rreth Qenies dhe cilësive të Tij, robërve të Tij, marrëdhënies së Tij të pandërprerë me ta dhe me gjithësinë, përfundimit të jetës së kësaj bote dhe Ditës së Llogarisë.

Pasi njerëzit i dëgjojnë dhe i kuptojnë këto të vërteta me iman dhe i rrënjosin në vetëdijen e tyre, tek ata lindin ndjenja, mendime dhe një mënyrë e caktuar sjelljeje. Duke i dhënë shprehje pikërisht kësaj gjendjeje të tyre, Allahu i Lartësuar thotë:

“Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.”

Pra, meqenëse cilësitë e pashoqe dhe të pakrahasueshme të përmendura më sipër i përkasin vetëm Allahut, atëherë, nga këndvështrimi i njeriut, bëhet krejtësisht e natyrshme që edhe adhurimi t’i kushtohet vetëm Atij dhe ndihma të kërkohet vetëm prej Tij.

Ibadeti (adhurimi) është kuptuar si “robërim dhe adhurim”. Në kuptimin e tij të plotë, ky koncept përmban dashurinë, frikën dhe nënshtrimin; bashkimi i këtyre tri qëndrimeve dhe ndjenjave e përbën themelin e ibadetit.

Qëllimi i krijimit të njerëzve është ibadeti, por ata nuk janë detyruar ta bëjnë atë. Pra, ibadeti në kuptimin terminologjik nuk ndodh si lëvizjet dhe dukuritë që nuk varen nga vullneti. Përkundrazi, njeriu – si pjesë e sprovës së jetës së kësaj bote – e përmbush urdhrin hyjnor me vullnetin e tij të lirë ose e lë pas dore.

Të gjitha begatitë dhe mundësitë e kësaj bote i janë dhënë njeriut si mjete që ai të jetojë në mënyrë të denjë për qenien njerëzore, pra duke qenë rob vetëm i Allahut. Ata që nuk i përdorin këto begati dhe mundësi në përputhje me qëllimin e tyre, nuk ua kanë ditur vlerën dhe kanë rënë në shpërdorim.

Fuqia dhe vullneti i kufizuar i njeriut nuk janë gjithmonë të mjaftueshme për t’i përmbushur nevojat e tij materiale dhe shpirtërore dhe për t’i kryer ato që priten prej tij. Për këtë arsye, njerëzit e kanë ndier veten të detyruar të kërkojnë dhe të marrin ndihmë si prej njerëzve të tjerë, ashtu edhe prej fuqive që i konsiderojnë mbinjerëzore.

Mirëpo, rrugët që njerëzit i kanë ndjekur për të kërkuar dhe marrë ndihmë nga këto dy burime, si dhe sistemet e metodat që i kanë përvetësuar, në periudhat kur nuk i kanë kushtuar vëmendje udhëzimit hyjnor, i kanë çuar në shirk (politeizëm) dhe fatkeqësi. Si rrjedhojë, janë shfaqur shumë fe të kota dhe sisteme të padobishme.

Ky ajet na tregon drejtimin e saktë nga duhet të kthehemi kur adhurojmë dhe kur kërkojmë ndihmë, duke e sjellë parimin e tevhidit: adhurimin e Allahut të Vetëm, kërkimin e strehimit tek Ai dhe drejtimin vetëm kah Ai.

Fakti që në ajet është zgjedhur forma “adhurojmë, kërkojmë”, në vend të “adhuroj, kërkoj”, tregon se besimtarët, ithtarët e tevhidit, përbëjnë një tërësi. Për këtë arsye, ata duhet të veprojnë sipas parimit “nuk jemi ti dhe unë, por jemi ne” dhe ta ruajnë ekuilibrin ndërmjet individit dhe shoqërisë.

Lidhja që e formon këtë “ne” është imani dhe adhurimi ndaj Allahut të Vetëm. Edhe hadithi me kuptimin: “O robër të Allahut! Bëhuni vëllezër!” (Buhariu, “Nikah”, 45; Muslimi, “Birr”, 23, 28-32) e sqaron më tej këtë kuptim.

Besimtarët e ndihmojnë njëri-tjetrin vëllazërisht, por njëkohësisht e dinë se, pavarësisht se nga dora e kujt vjen një mirësi, në të vërtetë çdo begati vjen prej Allahut dhe, nëse Ai nuk dëshiron, askush nuk mund të japë asgjë.

 

 

Ajeti 6

اِهْدِنَا الصِّرَاطَ الْمُسْتَقِيمَ ﴿٦﴾ 

 

Përkthimi

Na udhëzo në rrugën e drejtë!

 

Tefsiri

Gjatë rregullimit të jetës së tyre materiale dhe shpirtërore, njerëzit, krahas asaj që është e drejtë, kanë bërë edhe gabime; ata janë drejtuar edhe në rrugë të gabuara, pa krye dhe devijuese.

Shkaku kryesor i devijimit dhe i gabimit është kur njeriu e konsideron veten të mjaftueshëm dhe refuzon t’i drejtohet Allahut për të marrë dije dhe fuqi. “Vërtet, njeriu e tejkalon kufirin, sepse e sheh veten të vetëmjaftueshëm! Ndërkohë, çdo gjë i përket vetëm Zotit tënd (dhe tek Ai do të kthehet).” (el-Alak, 96:6-8)

Lutja “Na e trego rrugën e drejtë” është njëkohësisht udhëzim dhe paralajmërim i Zotit për robërit e Tij. Sikur njeriu të ishte i mjaftueshëm për vetveten, nuk do të kishte nevojë për dikë tjetër që ta shihte dhe ta gjente rrugën e drejtë.

Meqenëse Krijuesi e ka dhënë këtë udhëzim, detyra e njeriut është t’ia vërë veshin udhëzimit hyjnor dhe, duke i përdorur njohuritë dhe aftësitë njerëzore në përputhje me këtë udhëzim, t’i shfrytëzojë siç duhet mundësitë që Allahu ia ka vënë në dispozicion, në mënyrë që çdo hap ta hedhë drejt.

“Rruga e drejtë” (es-sirat el-mustekim) është Islami. Islam është gjithashtu emri i përgjithshëm i feve që Allahu ua ka dërguar robërve të Tij nëpërmjet pejgamberëve.

Marrëdhëniet ndërmjet Krijuesit dhe krijesës, Allahut dhe robit, arsyes dhe shpalljes, lirisë dhe detyrimit, padrejtësisë dhe drejtësisë, së mirës dhe së keqes... vetëm në Islam janë vendosur në vendin e tyre të duhur, janë krijuar marrëdhëniet dhe ekuilibrat e drejtë dhe janë treguar rrugët për vendosjen e tyre.

Nëse kjo shpjegohet me një shembull të përmendur në hadith: ekziston një rrugë krejtësisht e drejtë; në të dyja anët e saj ndodhen dy mure; në mure ka dyer të mbuluara me perde dhe në fillim të rrugës gjendet një thirrës, i cili thërret:

“O njerëz! Hyni të gjithë në rrugën e drejtë dhe mos u shpërndani e mos u përçani!”

Kur dikush dëshiron të hyjë në njërën prej dyerve të mbuluara me perde, një thirrës tjetër nga lart i thotë:

“Mos e ngri atë perde! Sepse, nëse e ngre, do të hysh brenda dhe do të vazhdosh në atë rrugë!” (Musnedi, IV, 182-183; Shevkaniu, I, 20)

Në këtë shembull, rruga është Islami; muret janë kufijtë e vendosur nga Allahu; dyert janë haramet; thirrësi në fillim të rrugës është Libri i Allahut; ndërsa thirrësi dhe paralajmëruesi nga lart është këshilluesi hyjnor që gjendet në zemrën e çdo besimtari.

Kështu, në Islam, duke vepruar së bashku shpallja, ndërgjegjja dhe arsyeja, gjendet rruga e drejtë.

Nuk është as dituria ajo që moralit i jep lartësi, as ndërgjegjja; ndjenja e virtytit te njerëzit buron nga frikërespekti ndaj Allahut xh.sh.

 

 

Ajeti 7

صِرَاطَ الَّذِينَ اَنْعَمْتَ عَلَیْهِمْۙ غَیْرِ الْمَغْضُوبِ عَلَیْهِمْ وَلَا الضَّٓالِّينَ ﴿٧﴾

 

Përkthimi

(Na udhëzo) në rrugën e atyre që i ke begatuar; e jo në rrugën e atyre që e kanë merituar zemërimin dhe as të atyre që kanë devijuar.

 

Tefsiri

Këtu, duke iu referuar historisë, jepet edhe një kriter dhe argument tjetër për ta dalluar rrugën e drejtë nga ajo e shtrembër. Islami nuk është rruga e drejtë vetëm sepse kështu ka urdhëruar Allahu në Librin e Tij; njëkohësisht, edhe përvojat e atyre që gjatë historisë e kanë refuzuar udhëzimin hyjnor tregojnë se rruga e drejtë është Islami.

Për këtë arsye, ata që e kërkojnë rrugën e drejtë dhe ata që dëshirojnë ta verifikojnë drejtësinë e rrugës në të cilën ndodhen, duhet t’i drejtohen historisë dhe t’i shqyrtojnë rrugët e metodat e atyre që e kanë arritur lumturinë e vërtetë, të atyre që kanë devijuar dhe të atyre që e kanë merituar zemërimin e Allahut xh.sh..

Në histori gjenden si shembuj për t’u ndjekur, ashtu edhe mësime për t’u marrë. Shembujt për t’u ndjekur shihen te individët dhe ummetet që kanë ecur në gjurmët e pejgamberëve; ndërsa mësimet paralajmëruese shihen tek ata që u janë kundërvënë pejgamberëve dhe e kanë sfiduar Allahun e Lartësuar.

Në disa transmetime, “ata që kanë devijuar” janë shpjeguar si të krishterët, ndërsa “ata që e kanë merituar zemërimin hyjnor” si hebrenjtë (për shembull, shih: Musned, IV, 378; Tirmidhiu, “Tefsîr”, 2). Kjo është bërë vetëm për shkak se këto dy bashkësi përbënin shembuj të afërt për nga koha dhe vendi.

Në një hadith kudsij të transmetuar nga Muslimi (shih: “Salah”, 38), pasi përcillet se Allahu i Lartësuar ka thënë: “Namazin (Fatihan) e kam ndarë ndërmjet Meje dhe robit Tim në dy pjesë të barabarta dhe robi Im do ta marrë atë që e kërkon”, vazhdohet kështu:

Kur robi (duke lexuar Fatihan në namaz) thotë: “Hamdi i takon Allahut, Zotit të botëve”, Allahu thotë: “Robi Im më bëri hamd.”

Kur robi thotë: “Të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit”, Allahu thotë: “Robi Im më lavdëroi.”

Kur thotë: “Sunduesit të vetëm të Ditës së Gjykimit”, Allahu thotë: “Robi Im e shprehu madhështinë Time.”

Kur thotë: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë”, Allahu thotë: “Kjo është pjesa e përbashkët ndërmjet Meje dhe robit Tim dhe robi Im do ta ketë atë që e kërkon.”

Kur robi thotë: “Na udhëzo në rrugën e drejtë; në rrugën e atyre që i ke begatuar; jo në rrugën e atyre që kanë merituar zemërimin dhe as në rrugën e atyre që kanë devijuar!”, Allahu thotë: “Kjo i përket vetëm robit Tim dhe robit Tim do t’i jepet ajo që e kërkon.”

Fjala “Amin”, që ka kuptimin “Pranoje lutjen tonë, bëje të jetë kështu dhe mos na kthe duarbosh”, është bërë një shprehje e përbashkët e të gjithë muslimanëve, pavarësisht nga gjuha që e flasin, madje edhe e pjesëtarëve të feve qiellore.

Kjo fjalë nuk është pjesë e sures Fatiha dhe as nuk është ajet. Në shumë hadithe është transmetuar se i Dërguari i Allahut, Muhammedi s.a.v.s., pas Fatihas ka thënë “Amin” dhe ka porositur që edhe të tjerët ta thonë atë (për shembull, shih: Muslimi, “Salah”, 72-76).

Në hadithe është sqaruar gjithashtu se, kur ai që e lexon ose e dëgjon Fatihan – qoftë në namaz apo jashtë namazit – thotë “Amin” në fund të sures, në të njëjtën kohë edhe melekët thonë “Amin”. Kjo lutje, e shprehur njëkohësisht si në botën e shehadetit, ashtu edhe në botën e gajbit, do të pranohet nga Allahu (shih: Buhariu, “Edhan”, 112-113; Muslimi, “Salah”, 72-76).

Gjithashtu, meqenëse hadithet autentike tregojnë se, kur Fatiha lexohet me zë, edhe lutja “Amin” thuhet me zë, shumica e medh’hebeve të fikhut e kanë përvetësuar këtë qëndrim (Shevkaniu, Nejl el-Eutar, II, 229-232).

Ndërsa sipas hanefive, fjala “Amin” në namaz thuhet gjithmonë me zë të ulët.

 

 

Burimi: Komision, Kur'an Yolu Türkçe Meal ve Tefsiri, bot. Diyanet İşleri Başkanlığı

 

Nga turqishtja: Rehan Neziri