TEFSIRI I AJETEVE 28-29 TË SURES EL-BEKARA
AJETI 28
كَیْفَ تَكْفُرُونَ بِاللّٰهِ وَكُنْتُمْ اَمْوَاتًا فَاَحْیَاكُمْۚ ثُمَّ یُمِیتُكُمْ ثُمَّ یُحْيِیكُمْ ثُمَّ اِلَیْهِ تُرْجَعُونَ (٢٨)
“Si mund ta mohoni Allahun, kur ju ishit pa jetë dhe Ai ju dha jetë? Pastaj Ai do t’ju bëjë të vdisni, më pas do t’ju ringjallë dhe në fund tek Ai do të ktheheni.”
Tefsiri (komentimi)
Në vetë trupin e njeriut, në mjedisin e tij të afërt dhe të largët (në gjithësi), ekzistojnë shenja dhe argumente të panumërta që e dëshmojnë ekzistencën dhe njëshmërinë e Allahut xh.sh.. Një prej tyre është krijimi i njeriut dhe sjellja e tij në jetë, e më pas vdekja e tij kur t’i vijë afati i caktuar. Nëse një gur lëviz nga vendi i tij, apo nëse në një vend mbin një bimë, njeriu mendon rreth asaj se kush e ka lëvizur gurin dhe se kush e ka mbjellë e bërë të mbijë atë bimë. Ndërkaq, jeta dhe ndërtimi i njeriut janë pakrahasimisht më të ndërlikuara, më madhështore, më të hollësishme, më mjeshtërore, më të rregullta, më të përllogaritura dhe më të mistershme sesa lëvizja e një guri apo mbirja e një bime.
Që njeriu të mendojë për veten dhe jetën e tij, e megjithatë të mos arrijë te njohja e Allahut xh.sh., duhet që zemra e tij të jetë vulosur dhe mendja e tij të jetë mbuluar e kushtëzuar për shkak të egos (nefsit), shejtanit dhe edukimit të gabuar. Lindja dhe vdekja ndodhin para syve tanë dhe është e pamundshme të mohohen.
Pejgamberët e Allahut xh.sh. kanë njoftuar se njeriu do të ringjallet pas vdekjes, se do të japë llogari për veprat që i ka kryer në këtë botë dhe se do të trajtohet sipas rezultatit të asaj llogarie. Arsyeja e natyrshme (fitrî), pra arsyeja e pastër, e paprishur dhe e pakushtëzuar, nuk përbën pengesë për pranimin dhe besimin në këtë lajmërim. Përkundrazi, me anë të metodës së krahasimit, arsyeja arrin lehtësisht në përfundimin se për Atë që e ka krijuar njeriun nga mosekzistenca dhe i ka dhënë jetë, dhënia e jetës përsëri pas vdekjes është edhe më e lehtë. Prandaj, ajo e pranon këtë të vërtetë.
Në këtë ajet u bëhet e ditur njerëzve se, kur ishin qenie pa jetë (në kuptimin e fjalëpërfjalshëm, “të vdekur”), atyre iu dha jetë; më pas do të vdesin dhe përsëri do të ringjallen. Shprehja në fillim të ajetit, “ringjallja kur ishit të vdekur”, ka nxitur te disa njerëz mendimin se, përpara gjendjes së parë të vdekjes, duhet të ketë ekzistuar edhe një jetë tjetër.
Prej këtij mendimi ka lindur besimi se njerëzit vdesin disa herë dhe rikthehen përsëri në këtë botë në trupa të tjerë (reinkarnacioni, tenasuhu).
Mirëpo, është e pamundshme që ky besim të nxirret apo të argumentohet nga Kur’ani Famëlartë dhe hadithet e Muhammedit s.a.v.s.. Kjo sepse në një ajet tjetër bëhet e ditur se mohuesit do të thonë: “O Zoti ynë! Ti na bëre të vdesim dy herë dhe na ngjalle dy herë. Tani i pranojmë mëkatet tona. A ka ndonjë rrugëdalje?” (Gafir / el-Mu’min, 40:11) Nëse e shqyrtojmë ajetin 28 duke u mbështetur në parimin se “ajetet e Kur’anit e shpjegojnë njëri-tjetrin”, atëherë nuk do të ishte e qëndrueshme që ky ajet të kuptohej si “vdekje e përsëritur shumë herë dhe rikthim në këtë botë, çdo herë në një trup tjetër”. Sipas kuptimit të ajetit të sures el-Mu’min, “vdekja ndodh dy herë dhe ringjallja gjithashtu dy herë”. Kur këto dy ajete i marrim si shpjegime të së njëjtës ngjarje nga dy këndvështrime të ndryshme, del në pah ky kuptim: Përpara se të krijoheshin dhe të lindnin, njerëzit nuk ekzistonin dhe, nga ky këndvështrim, ishin si të vdekur. Fillimisht, këtyre “të vdekurve”, domethënë atyre që nuk ekzistonin, iu dha ekzistenca dhe jeta. Kjo është “ringjallja e parë”. Më pas, ata që e përfunduan jetën e tyre në këtë botë, e shijuan vdekjen e parë. Kur të përfundojë jeta e të gjithë njerëzve dhe e kësaj bote dhe të ndodhë Kijameti, në tokë nuk do të mbetet asnjë qenie e gjallë. Pas kësaj, do t’i fryhet Surit (Borisë së Kijametit) dhe të gjithë njerëzit do të ringjallen, duke e filluar jetën e botës tjetër (Ahiretit). Kjo është “ringjallja e dytë”. Pra, për ta përmbledhur: njerëzit, ndërkohë që nuk ekzistonin, u sollën në ekzistencë; më pas vdiqën një herë në këtë botë dhe, pas Kijametit, u sollën në jetë për herë të dytë. Dy vdekjet dhe dy ringjalljet përbëhen pikërisht nga këto. Nga formulimi i këtij ajeti mund të nxirret edhe një kuptim tjetër: “Njeriu që jeton vdes dy herë dhe pas secilës vdekje ringjallet nga një herë.” Sipas këtij interpretimi, kur njeriut të gjallë i vjen afati i caktuar i jetës, ai vdes; më pas ringjallet në varr. Pas marrjes së parë në pyetje, vdes përsëri dhe, pas Kijametit, ringjallet edhe një herë. (Ebu’l-Muin en-Nesefi, Tebsiratu’l-edil-le, II, 764) Meqenëse shprehja “ringjallje nga gjendja e vdekjes”, kur përdoret për krijimin nga mosekzistenca dhe dhënien e jetës, ka kuptim figurativ, atëherë në ajetin e sures el-Mu’min shpjegohet edhe ngjarja e dy vdekjeve dhe dy ringjalljeve në kuptimin e tyre të mirëfilltë.
Sido që të interpretohen ajetet që flasin për vdekjen dhe ringjalljen, përfundimi se vdekja ndodh dy herë dhe ringjallja gjithashtu dy herë mbetet i pandryshuar. Kjo e vërtetë bie ndesh me besimin në reinkarnacion dhe tregon se ai nuk ka bazë.
Përveç kësaj, shumë ajete dhe hadithe e shpjegojnë qëllimin e krijimit të njeriut, arsyen dhe urtësinë e jetës së kësaj bote, si dhe të vërtetën se njeriu do të ringjallet pas vdekjes për ta marrë shpërblimin ose ndëshkimin që e ka merituar në bazë të veprave të tij në këtë botë. Po ashtu, ato i shpjegojnë rrugët dhe mjetet për edukimin dhe pastrimin e nefsit (egos), në mënyrë që ai ta arrijë pjekurinë shpirtërore të njeriut të përsosur (insan-i kamil). Të gjitha këto njohuri dhe të tjera të ngjashme përbëjnë argumente të qarta se besimi në rimishërim (rikthim në një trup tjetër, reinkanracion) është në kundërshtim me Islamin.
Besimi në rimishërim nuk ka asnjë argument as nga pikëpamja racionale dhe as nga ajo shkencore. Gjashtë (sot mbi 8 - sh.p.) miliardë njerëzit që jetojnë në botë nuk kanë njohuri apo vetëdije se kanë jetuar më parë në këtë botë në një trup tjetër. Përballë këtyre fakteve, informacionet që disa njerëz i japin nën ndikimin e hipnozës ose sugjestionit, sikur u përkasin jetëve të tyre të mëparshme, duhet të kenë shpjegime të tjera. Në të vërtetë, për të shpjeguar dukuri të tilla janë paraqitur teori të ndryshme, si vetëdija kolektive, pamjet e ngjashme me ëndrrat, kontakti me xhinët dhe lojërat e kujtesës.
AJETI 29
هُوَ الَّذِی خَلَقَ لَكُمْ مَا فِی الْاَرْضِ جَمِیعًا ثُمَّ اسْتَوٰٓى اِلَى السَّمَٓاءِ فَسَوّٰیهُنَّ سَبْعَ سَمٰوَاتٍ وَهُوَ بِكُلِّ شَیْءٍ عَلِیمٌ (٢٩)
Përkthimi
“Ai është që krijoi për ju gjithçka që gjendet në tokë. Pastaj iu drejtua qiellit dhe e përsosi dhe e rregulloi atë në shtatë qiej. Ai është i Gjithëdijshëm për çdo gjë.”
Tefsiri (komentimi)
Fakti se toka dhe qiejt kanë një fillim dhe se përpara këtij fillimi ata nuk ekzistonin, është vërtetuar edhe nga degë të ndryshme të shkencës, si matematika, astronomia dhe fizika diellore. “Studimet, vëzhgimet dhe përllogaritjet e kryera tregojnë se lënda fillestare e gjithësisë ishte në formën e një sfere gjigante, të përbërë nga atome të zhveshura, dhe se, për shkak të forcës së madhe të shtytjes së ndërsjellë ndërmjet këtyre atomeve, kjo lëndë fillestare u zgjerua dhe u përhap në gjithësi, sikurse një bombë që shpërthen. Megjithatë, pavarësisht kërkimeve të bëra, ende nuk dihet plotësisht se si u formua kjo lëndë fillestare e gjithësisë. Në fillim nuk ekzistonin as hapësira dhe as koha. Sipas një teorie, në një periudhë kur nuk kishte as lëndë dhe as hapësirë, kur nuk mund të flitej për dritë apo energji dhe kur nuk ekzistonte madje as zbrazëtia, gjithçka u shfaq si rezultat i një shpërthimi të jashtëzakonshëm. Në një temperaturë tepër të lartë u krijuan atomet. Ligjet e fizikës dhe të kimisë filluan të vepronin. Nga protonet, neutronet dhe elektronet u formuan elementet e rënda. Lindën yjet, u shfaqën diejt dhe u formuan galaktikat.” (Taşkın Tuna, Uzay ve Dünya (Hapësira dhe Toka), fq. 22, 27) Shkencëtarët e vendosin kohën e këtij shpërthimi të madh miliarda vjet më parë. Prandaj, galaktika të panumërta, si galaktika e Rrugës së Qumështit, ku ndodhen Toka dhe Dielli, kanë filluar të krijohen miliarda vjet më parë, ndërsa përpara kësaj kohe ato nuk ekzistonin.
Mënyra se si ka ardhur në ekzistencë lënda fillestare e gjithësisë mbetet ende një çështje e panjohur për shkencën. Të gjitha fetë qiellore janë të një mendimi se kjo lëndë ka një Krijues dhe se zhvillimet e mëvonshme janë realizuar nga Ai Krijues, dituria e të Cilit është e pafundme, ndërsa urtësia, fuqia dhe mjeshtëria e Tij janë të pakrahasueshme.
Në këtë ajet dhe në ajete të tjera bëhet e ditur se, ashtu siç Allahu i Madhëruar e ka krijuar Tokën, po ashtu është Ai që i ka krijuar dhe i ka rregulluar edhe qiejt, të cilët në ajet përmenden si “shtatë qiej”. Komentuesit e Kur’anit, të cilët këta shtatë qiej i kanë konsideruar si qiejt e Tokës ose si qiejt e hapësirës, kanë dhënë shpjegime duke u mbështetur në teoritë e lashta të Aristotelit dhe Ptolemeut, si dhe në njohuritë mbi sistemin diellor dhe gjithësinë, të zhvilluara pas Mesjetës nga Koperniku, Galileu, Kepleri, Njutoni, Ajnshtajni dhe Stephen Hawking. Megjithatë, nuk ekziston një njohuri e sigurt dhe përfundimtare se çfarë nënkuptohet saktësisht me këta shtatë qiej. Sipas përdorimit të gjuhës arabe, është gjithashtu e mundshme që shprehja “shtatë qiej” të kuptohet si një shprehje figurative që tregon shumësinë, pra si “shumë qiej”.
Burimi:
Komision, Kur’an Yolu Tefsiri, Diyanet, vëll. I, faqet 95–99.
Nga turqishtja: Rehan Neziri
