Recep Şentürk*

 

 

 

PËRSE SOCIOLOGJI TË REJA TË FESË?

KËRKIME NË PERËNDIM DHE NË BOTËN ISLAME**

 

 

 

Në këtë komunikatë do ta trajtojmë shkurt paraqitjen e sociologjisë së fesë në Perëndim, bartjen e saj në botën islame, më pastaj hyrjen në krizë të qasjes pozitiviste si në Perëndim ashtu edhe në botën islame dhe më në fund do ta trajtojmë edhe fazën (periudhën) e tanishme në të cilën gjendemi, atë të kërkimeve të reja. Duke i trajtuar këto periudha që i ka kaluar sociologjia e fesë, ne më së shumti do ta vëmë në dritë jo qasjen historike, porse fërkimet strukturore, kampimet si dhe vijat çarëse të saj. Sidomos kritikat që i janë drejtuar për shkak të pamjaftueshmërisë së saj në vendet ku është paraqitur sociologjia si dhe përpjekjet për kërkime të reja, mund të jenë të dobishme për sociologët e fesë në Turqi, në mënyrë që edhe ata të mos i bëjnë të njëjtat gabime. Çështjet që do t’i trajtojmë këtu, nuk janë përsëritje e punimit tonë me titull Sociologjitë e reja të fesë: Kërkime në Perëndim pas viteve 1960, porse një ‘shtojcë’ që synon krijimin e një lidhjeje midis temave që atje trajtohen vetëm në kontekstin perëndimor me Turqinë dhe me botën islame.

Në mesin e sociologëve turq, sidomos në saje të punimeve të Bajkan Sezerit dhe Korkut Tuna-s, gjithnjë e më shumë spikatet pamjaftueshmëria e sociologjisë së fesë me origjinë perëndimore në të kuptuarit e shoqërisë turke për shkak të dallueshmërisë kulturore. Mirëpo, në Turqi nuk janë diskutuar sa duhet kritikat rreth pamjaftueshmërisë së sociologjisë me origjinë perëndimore, ashtu siç është sot, edhe në të kuptuarit e vetë shoqërive perëndimore dhe se ajo në vete bart probleme esenciale. Në këtë komunikatë do të përpiqem të tregoj se problemet e sociologjisë që vërehen në Turqi dhe që i vishen zbatimit të saj në një mjedis tjetër nga ai i origjinës, në fakt janë probleme të vetë koncepteve dhe qasjeve bazë të sociologjisë. Një kërkim i ngjashëm me atë të pas viteve 1960 të sociologëve evropianë dhe amerikanë, të cilët i vërejtën këto probleme, shihet edhe në botën islame, sidomos në Egjipt dhe në Turqi.

________________

*   Universiteti "Ibn Haldun", Stamboll.

**  Titulli origjinal: "Niçin yeni Din Sosyolojileri? Batı’da ve İslam Dünyasında Yeni Arayışlar". Ky përkthim është pjesë e krestomacisë tri vëllimëshe Sociologji e Islamit, red. Ali Pajaziti, bot. Logos-A, Shkup, 2022, f. 145-161.

 

Nga turqishtja: Rehan Neziri

 

Lexo artikullin e plotë në PDF